Kryeqyteti i Bjellorusisë, Minsk, është “shtëpi” e Bibliotekës Kombëtare të vendit. Një bibliotekë e cila ka një arkitekturë të veçantë, që i ngjan një diamanti. Ose ndoshta një anije kozmike.
Biblioteka është ndërtuar e gjitha me xham dhe çelik, është e lartë 72 metra dhe ka 23 kate me libra dhe dokumente. Ajo është shndërruar në një simbol (viziv) të qytetit.
Përtej aspektit teknologjik, Biblioteka Kombëtare e Minskut zotëron rreth 8 milionë libra, disa prej të cilëve shumë të vjetër. Ky është koleksioni më i madh i teksteve biellosusë – është biblioteka e tretë në botë, pas Moskës dhe Shën Petërbugut për sa i përket gjuhës ruse. Për të gjetur librat që dëshironi ofrohet një katalog dixhital dhe një krah i robotizuar futuristik, i cili pasi merr librat i transporton ato përgjatë shinave që gjenden në tavan.
Biblioteka Kombëtare e Minskut është projektuar nga arkitektët Viktor Kramarenko dhe Michail Vinogradov. Forma e saj, si diamant, është një përfaqësim i “diamantit të dijes”, i ruajtur në libra – shpjegojnë ata.
Gjatë ditës, struktura e veçantë reflekton dritën e diellit, ndërsa natën, falë sistemit të veçantë të ndriçimit i projektuar nga Walter Industries, i përbërë nga 4636 drita e led, ajo ndryshon ngjyrë. Biblioteka është e dukshme qindra metra larg.
Biblioteka mund të mirëpresë 2000 lexues në të njëjtën kohë dhe 500 persona në sallën e saj të konferencës. Ndër të tjera ofron shërbime si palestër dhe Spa me saunë shumë më ekonomike sesa në qytet. Biblioteka Kombëtare e Minskut nuk është thjesht një vend për të lexuar. Përveç 90 mijë anëtarëve që e frekuentojnë rregullisht, ajo vizitohet çdo vit nga 30 mijë turistë që shfletojnë me kureshtje librat dhe nga kati i saj i sipërm shijojnë panoramën.