Kalimi drejt kanaleve dixhitale mund të jetë një nga efektet më të thella dhe më pozitive të pandemisë te remitancat.
Gjatë fjalës në aktivitetin “Remitancat, ndikimi i tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit”, zëvendësguvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi tha se idetë dhe teknologjitë e reja kanë mundur të zhvillojnë mjete dhe mënyra efektive për të anashkaluar kufizimet dhe efektet e imponuara nga mbyllja e aktivitetit ekonomik dhe masat e distancimit social, si pasojë e pandemisë.
Kjo tendencë konfirmohet edhe nga drejtuesit e institucioneve financiare ku kanalizohen remitancat. Sipas tyre, pandemia ndihmoi në formalizimin e dërgesave të emigrantëve, edhe falë tarifave më të ulëta përmes kanaleve dixhitale.
“Duke mos pasur mundësi të sillnin para dorazi, përmes të njohurve apo linjave të transportit, emigrantët shqiptarë dërguan më shumë para nëpërmjet kanaleve formale. Kjo u favorizua padyshim edhe nga tarifat më të ulëta të shërbimeve online. Pandemia i shtyu kompanitë e shërbimeve të pagesave që të shkojnë gjithnjë e më shumë drejt zgjidhjeve dixhitale. Një tendencë e tillë ndihmoi në përmirësimin e një problematike të hershme lidhur me transfertat e remitancave: faktin që në një pjesë shumë të madhe ato hyjnë përmes kanaleve jo zyrtare,” shprehej në një intervistë për revistën Monitor administratori i Union Financiar Tiranë, Elton Çollaku.
Bazuar në studimet dhe anketat e Bankës së Shqipërisë, për familjet që marrin dërgesa nga emigrantët, remitancat janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave, duke zënë një përqindje të konsiderueshme të të ardhurave të tyre mujore. Pavarësisht kësaj, niveli i përfshirjes financiare është më i ulët për familjet pritëse të remitancave.
Zj.Minxhozi prezantoi risitë që sjell miratimi e zbatimi i Ligjit “Për shërbimet e pagesave” në tërësinë e tij, por dhe në fushën e remitancave.
“Më konkretisht, risitë kryesore të synuara në këtë drejtim lidhen me zgjerimin e gamës së aktiviteteve të Operatorëve të Dërgesave të Parave dhe balancimin e kushteve të operimit në raport me bankat. Kjo mundëson rritjen e efikasitetit të këtyre institucioneve, si dhe krijimin e mundësisë së hapjes së llogarive në distancë dhe zhvillimin e tregtisë elektronike, të cilat mund të kthehen në një kanal të ri për dërgimin e remitancave pranë familjeve,” tha zj.Minxhozi.
Sipas saj, zgjerimi i prezencës fizike dhe asaj virtuale të ofruesve të shërbimeve nëpërmjet promovimit të bankës që funksionon me agjentë, si dhe dixhitalizimi i shërbime duke thyer barrierat gjeografike, i mbështetur edhe nga një kuadër prudencial për mbrojtjen e konsumatorit, do të ndikojnë ndjeshëm në rritjen e efikasitetit të shërbimeve të ofruara në tregun e remitancave.
Remitancat përbëjnë mbi 10% të PPB-së së vendit dhe, sipas Bankës së Shqipërisë, analizat e detajuara të impaktit të tyre në jetën ekonomike janë thelbësore. Gjatë gjysmës së parë të vitit 2020, kur goditja e pandemisë ishte më e fortë, remitancat u pakësuan ndjeshëm, megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të vitit, ato pësuan një rritje të shpejtë në terma vjetorë, me 9.2%.
Rritja ka vazhduar edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, me 10.6% me bazë vjetore. Sipas zj.Minxhozi, ky zhvillim tregon se emigrantët kanë shtuar sasitë e dërguara në vend për të ndihmuar familjet e tyre të gjendura në vështirësi ekonomike si pasojë e krizës së COVID-19.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.