Licencat që do të miratohen për ndërhyrje të punimeve në pasuritë kulturore nuk do të kenë afat vlefshmërie.
Në rast se kërkesa për lincencim do të jetë nga personat fizikë, do të jetë e detyrueshme punësimi i një drejtuesi teknik të licencuar për këto veprimtari.
Për rastet e aplikimeve nga personat juridikë, kriter për licensim do të jetë përvoja 5-vjeçare në projektimin dhe restaurimin e veprave të artit. Vendimi për kushtet dhe kriteret për dhënien e licencave për ndërhyrje në pasuritë kulturore u botua në Fletoren Zyrtare.
Vendimi përcakton se licencat për çdo individ, person fizik dhe juridik, të miratuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ose nga KKTKM-ja përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të konsiderohen të vlefshme deri 6 muaj nga data e hyrjes në fuqi të kritereve të reja.
Brenda këtij afati, subjektet duhet të bëjnë rinovimin e licencave me formatin e ri të kategorive, si dhe në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në këtë vendim. Pas këtij afati, licencat e parinovuara janë të pavlefshme.
Të gjitha subjektet, të cilat kanë paraqitur kërkesat për licencë për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale dhe nuk janë shqyrtuar nga KKTKM-ja përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi, duhet të dorëzojnë dokumentacionin plotësues, për të provuar plotësimin e kushteve për licencim sipas këtij vendimi, brenda 31 dhjetorit 2020.
Subjektet e licencuara do të paguajnë edhe kuotën vjetore të licencave, një pagesë periodike vjetore, në vlerën 200 lekë. Nga pagesa e tarifës do të përjashtohen ato subjekte, licenca e të cilëve është pezulluar ose revokuar.
Kriteret e reja për licencim:
Për person fizik
-Të ketë të punësuar si drejtues teknik individin e licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që plotëson kushtet e posaçme për kategorinë/nënkategorinë e licencës, sipas kreut II të këtij vendimi. Kontrata e punësimit ndërmjet personit fizik dhe individit të licencuar nuk mund të jetë më pak se 1 vit. Personi fizik licencohet për të njëjtën kategori/nënkategori të licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale që disponon drejtuesi teknik;
-Në rastin kur personi fizik zotëron licencë si individ në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, nuk ka nevojë të punësojë një drejtues teknik.
Për personin juridik
-Të ketë të paktën 5 vjet përvojë si person juridik në veprimtarinë kryesore projektim dhe/ose zbatim dhe/ose mbikëqyrje dhe kolaudim të punimeve të ndërtimit dhe/ose restaurimin e veprave të artit.
-Të ketë të punësuar si drejtues teknik individ të licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, që plotëson kushtet e posaçme për kategorinë/nënkategorinë e licencës, sipas kreut II të këtij vendimi. Kontrata e punësimit ndërmjet personit juridik dhe individit të licencuar nuk mund të jetë më pak se 1 vit. Personi juridik licencohet për të njëjtën kategori/nënkategori të licencës për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale që disponon drejtuesi teknik.
Kufizime për dhënien dhe përdorimin e licencës
-Licenca nuk lejohet të tjetërsohet apo të trashëgohet nga një subjekt (individ, person fizik, person juridik) tek tjetri.
-Individët e licencuar në fushën e veprimtarisë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale, të cilët punojnë si drejtues teknikë pranë një personi fizik ose juridik të licencuar për zbatim, nuk mund të përdorin licencë si individë për mbikëqyrje e kolaudim të punimeve të zbatimit në konservim e restaurim, gjatë kohës që janë të punësuar në këtë pozicion.
– Kur ndodh ndryshimi faktik i të dhënave të përcaktuara në licencë, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, pavarësisht se mund të cenojë apo jo këto kritere, subjekti (individ, person fizik, person juridik) duhet të njoftojë menjëherë në formë zyrtare, Sekretarinë Teknike të KKTKM-së, pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (në vijim “IKTK”).
-Kur vlerësohet se dokumentet e dorëzuara nga subjekti (individ, person fizik, person juridik) provojnë përmbushjen përsëri të kritereve të licencimit, atëherë KKTKM-ja miraton ndryshimet dhe subjekti pajiset me licencën e ndryshuar. Përdorimi i licencës pezullohet për periudhën deri në miratimin e ndryshimeve dhe pajisjen me licencën e ndryshuar.
Afatet e vlefshmërisë së licencës
– Licenca për veprimtarinë ndërhyrëse në pasuritë kulturore materiale është pa afat, për të gjitha subjektet e licencuara.
– Subjekti, person fizik apo juridik, njofton në formë zyrtare në Sekretarinë Teknike të KKTKM-së, pranë IKTK-së: a) menjëherë, kur kontrata e punësimit të drejtuesit teknik ndërpritet përpara afatit; b) të paktën 45 ditë përpara mbarimit të kontratës së punësimit të drejtuesit teknik, nëse kjo kontratë do të ripërtërihet; c) të paktën 45 ditë përpara mbarimit të kontratës së punësimit të drejtuesit teknik, nëse kjo kontratë nuk do të ripërtërihet./D.A
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.