Përparësi kryesore në strehim nëpërmjet programeve sociale do të kenë pronarët e truallit, kur zhvillimi i zonës do të bëhet në truall me ndërtime të legalizuara.
Për rastet ku zhvillimi i zonës do të bëhet në pronë shtetërore përparësitë për strehim do të përcaktohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas sistemit të pikëzimit dhe kritereve të përzgjedhjes që përcaktohen në ligjin për strehimin social. Në rastet kur investimi realizohet nga subjekte private, njësia e vetëqeverisjes vendore përfiton 3% të sipërfaqes funksionale të ndërtimit mbi 2,000 m2, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin social. Në Fletoren Zyrtare u miratua vendimi me kriteret për përfituesit e programeve sociale të strehimit.
Gjatë ndërtimit të banesave në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, familjeve përfituesve do t’u paguhet qiraja nga pushteti vendor nëse ata janë zhvendosur nga ndërtime që nuk mund të legalizohen, gratë kryefamiljare dhe nëna të vetme.
Vendimi parashikon se për rastet kur investitori i zonës që zhvillohet është subjekt privat (nuk është bashkia) shpenzimet për pagesat e qirave do të ndahen mes investitorit, familjeve dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjes së lidhur. Për familjet që janë pa të ardhura dhe gratë kryefamiljare në bazë të një marrëveshje qiraja mbulohet tërësisht nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose investitori.
Kriteret për përfituesit e programit të strehimit
-Në rast zhvillimi të zonës me intensitet të ulët ndërtimi, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi ( i zënë me ndërtime të rregullta, me intensitet të ulët ndërtimi, është në pronësi të subjekteve private, pronarë të banesave. Me “ndërtime të rregullta”, sipas kësaj shkronje, kuptohen ndërtime të realizuara sipas legjislacionit për planifikimin e territorit që ka qenë në fuqi në kohën kur janë realizuar ndërtime, të cilat kanë përfunduar procesin e legalizimit, ndërtime pa leje që janë në proces legalizimi, si dhe ato që plotësojnë kushtet ligjore për legalizim): i. fillimisht përfitojnë banorët që banojnë në banesat që ndodhen në zonë dhe janë pronarë të truallit dhe banesës; ii. sipërfaqja e ndërtimit që i takon investitorit në ndërtimin e ri, edhe kur investitor është njësia e vetëqeverisjes vendore, është e barabartë me diferencën midis sipërfaqes së përgjithshme të ndërtimit dhe sipërfaqes që i takon pronarit sipas marrëveshjes; iii. në rastet kur investimi realizohet nga subjekte private, njësia e vetëqeverisjes vendore përfiton 3% të sipërfaqes funksionale të ndërtimit mbi 2,000 m2, sipas parashikimeve të ligjit për strehimin social.
-Në rastin e shkronjës “c”, të pikës 2, të kreut I, të këtij vendimi, kur trualli është i lirë dhe është në pronësi të shtetit ose të subjekteve private përparësi në trajtimin me strehim kanë pronarët e truallit, nëse ata janë në nevojë për strehim. Ndarja e pronësisë në objektin që ndërtohet realizohet sipas kritereve të përcaktuara në shkronjën “b”, të kësaj pike. Kur trualli i lirë është në pronësi të shtetit, përparësitë përcaktohen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas sistemit të pikëzimit dhe kritereve të përzgjedhjes që përcaktohen në ligjin për strehimin social.
Si do të subvencionohet qiraja gjatë periudhës së ndërtimit
-Gjatë ndërtimit të banesave në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, familjeve/individëve që do të përfitojnë prej tyre, iu sigurohet strehim sipas rregullave të mëposhtme: a) Nëse investitor është njësia e vetëqeverisjes vendore, kur familjet/individët janë zhvendosur nga ndërtime pa leje të papërfunduara, objekte që nuk mund të legalizohen, si dhe nga objekte të papërshtatshme për banim, njësitë e vetëqeverisjes vendore kujdesen që këto familje, dhe veçanërisht gratë kryefamiljare dhe nëna të vetme, të përfshihen në programin e banesave sociale me qira dhe, kur njësia e vetëqeverisjes vendore nuk disponon banesa sociale me qira, familjet dhe individët e zhvendosur trajtohen me subvencionimin e qirasë në tregun e lirë ose mund të vendosen në strehët e përkohshme;
-Nëse investitor i zonës që zhvillohet është një subjekt i ndryshëm nga njësia e vetëqeverisjes vendore, familjet, që banojnë në zonat që zhvillohen me qëllim strehimi, sistemohen nga subjekti që investon në banesa të përshtatshme dhe në distanca sa më të afërta me zonën e tyre aktuale të banimit. Shpenzimet për pagesat e qirave ndahen mes investitorit, familjeve dhe njësisë së vetëqeverisjes vendore, sipas marrëveshjes së lidhur. Për familjet pa të ardhura dhe me të ardhura shumë të ulëta, si dhe gratë kryefamiljare e nënat e vetme, qiraja mbulohet tërësisht nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe/ose investitori, sipas marrëveshjes së lidhur;
-Kur ndërtimi i banesës bëhet mbi truallin nga i cili janë zhvendosur familje/individë që banojnë në ndërtime pa leje të papërfunduara e ndërtime pa leje, që nuk mund të legalizohen, me përparësi trajtohen ato familje, të cilat nuk disponojnë banesë në pronësi, truall për ndërtim apo ndonjë pronë tjetër që mund të përdoret për banim dhe kanë të ardhura jo më të larta se 100% e të ardhurave mesatare familjare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.