Miratohen tarifat e regjistrimit të mjeteve lundruese; Me procedurat e reja do ofrohen 14 shërbime

29/06/2021 4:00 PM 0 komente

Pas hyrjes në fuqi të procedurave të reja për regjistrimin e mjeteve lundruese dhe ngritjes së sistemit të ri të dixhitalizuar për monitorimin e tyre, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka miratuar tarifat e regjistrimit të mjeteve lundruese.

Në udhëzimin e përbashkët botuar në fletoren zyrtare përcaktohen tarifat për disa shërbime, duke nisur nga regjistrimi i mjeteve lundruese me motor dhe pa motor, nxjerrja e certifikatës së regjistrimit, zgjatjen e afateve të lejes së lundrimit deri në çregjistrimin e mjeteve lundruese. Shërbimet e kërkuara do të ofrohen nga sektori i regjistrimit të mjeteve lundruese dhe detare, në Drejtorinë e Përgjithshme Detare.

Sipas udhëzimit tarifat për 14 shërbimet varjojnë nga 500 lekë deri në 10,000 lekë. Të ardhurat, që realizohen nga shërbimet të derdhen në llogarinë e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit, sipas ligjit nr. 10109, datë 2.4.2009, “Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë”.

Për përcaktimin e tarifave ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, si dhe ministria e Financave dhe ekonomisë janë mbështetur në ligjin e ndryshuar “Për administratën detare dhe Rregulloren “Për regjistrimin e mjeteve lundruese”.

Më herët Drejtoria e Përgjithshme Detare tha se para 1 korrikut do të jenë gati dy sistemet e reja, për regjistrimin e mjeteve lundruese dhe monitorimin online të tyre. Sistemi i parë do të ketë si funksion krijimin e një regjistri elektronik ku do të regjistrohen të gjitha mjetet lundruese dhe në të cilin do të kenë akses institucionet ligjzbatuese si Gjykata, Prokuroria, Policia etj. Sistemi i dytë do të vendoset në kapiteneritë e porteve të cilat në zbatim të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë do të monitorojnë lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese në hapësirën detare dhe ujërat e brendshëm tokësor të Republikës së Shqipërisë. Ky sistem lehtëson veprimtarinë monitoruese të kapitanerive të porteve, të cilat do të kryejnë verifikimet në formë dixhitale, pa qenë e nevojshme të dalin në det.

Lexo edhe këtë:

Regjistrimi dhe monitorimi elektronik i mjeteve lundruese, Drejtoria Detare: Sistemet e reja do jenë gati para 1 korrikut

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of