Miratohet aplikacioni prej 38 milionë eurosh për ‘Autostradën e Paqes’

24/02/2021 12:09 PM 0 komente

Qeveria e Kosovës njoftoi se ka miratuar aplikacionin në vlerë 38 milionë euro për ndërtimin e “Autostradës së Paqes” në kuadër të asistencës teknike të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

Sipas njoftimit, këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në muajin dhjetor 2020 nga WBIF.

“U miratua edhe aplikacioni për raundin e gjashtë të granteve investuese të WBIF, për Autostradën e Paqes, seksionin Besi-Merdar, në vlerë prej 38 milionë eurosh. Këto mjete financiare pritet t’i shtohen grantit me vlerë të njëjtë tashmë të miratuar në dhjetor nga WBIF, dhe kjo pritet të çojë vlerën totale të përfitimit për këtë projekt në 76 milionë euro nga grantet e WBIF ose 40 për qind e kostos totale të projektit”, njofton Qeveria.

Po ashtu, janë miratuar projektet për “Rehabilitimin dhe ndërtimin e infrastrukturës për mbrojtjen nga vërshimet përgjatë lumenjve Drini i Bardhë, Sitnica dhe Morava e Binçës”, “Ndërtimi i hidro sistemit Ibër-Lepenc”, dhe “Përmirësimi i infrastrukturës në institucionet e arsimit të lartë”.

Aplikacionet e miratuara do të jenë në funksion të zbatimit të përfitimeve që Kosova do të ketë nga Plani për Ekonomi dhe Investime i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

“Autostrada e Paqes”, përkatësisht rruga Besi – Merdare, është paraparë të ndërtohet pas nënshkrimit të marrëveshjes së 4 shtatorit në Shtëpi të Bardhë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në pikën e tretë të marrëveshje është ndërtimi i “Autostradës së Paqes”, lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares dhe asaj midis Prishtinës dhe Nishit, sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte bilaterale shtesë dhe prania ndërkombëtare e Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) me kohë të plotë në Serbi.

“Në takimet me Korporatën Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), USAID dhe EXIM, projektet të cilat janë paraqitur, në takime të ndara për financim janë: autostrada Besi – Merdare, hekurudha Prishtinë – Merdare, hekurudha Prishtinë – Porti i thellë në Adriatik. Të gjitha këto projekte do të zhvillohen tutje gjatë takimeve të ardhshme që pritet të ndodhin gjatë muajve në vijim”.

Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Washington kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim ekonomik.

Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of