Ministria e Financave miratoi vendimin për dhënien e grantit prej 16 mln lekësh nga fondi i Ndihma Shtetërore për 20 biznese të vogla që do të shpallen fituese nga aplikimi i projektit “Fuqizimi i të rinjve dhe i të rejave”.
Projekti që mbështetet me grantin e Komisionit të Ndihmës Shtetërore do të zbatohet nga Bashkia e Tiranës. Ky autoritet do të jetë edhe dhënësi i ndihmës për projektet që shpallen fitues. Plani i ndihmës ka si objektiv mbështetjen me grante të të rinjve dhe të rejave të prekur nga pasojat e tërmetit dhe pandemisë globale të shkaktuar nga Covid-19.
Përfitues do të jenë 20 ndërmarrje mikro që do të ushtrojnë veprimtarinë ekonomike në territorin e Bashkisë së Tiranës, në sektorët e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit (TIC), agrobujqësisë etj dhe ndërmarrje që ofrojnë shërbime në treg. Çdo përfitues do të mbështetet me grant të drejtpërdrejtë në shumën 800,000 lekë. Intensiteti i ndihmës do të jetë sa 80% e kostove të pranueshme.
Komisioni i Vlerësimit të Grantit do të përzgjedhë aplikantët përfitues, në bazë të kritereve të përcaktuara në draftudhëzuesin operacional të projektit “Fuqizimi i të rinjve dhe i të rejave”, i cili do të miratohet me vendim të Këshillit Bashkiak Tiranë.
Sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, plani i ndihmës do të zbatohet në vitin 2021 dhe skema synon ngritjen e një sipërmarrjeje të qëndrueshme private, duke gjeneruar vende të lira pune dhe duke mundësuar trajnime për hartimin e planit të biznesit. Ndihma e dhënë synon mbështetjen e sektorëve të përcaktuar në vendim, ka efekt në konkurrencë dhe në tregti, si dhe u jep një avantazh ekonomik kundrejt ndërmarrjeve ekzistuese në treg, sepse plani synon të mbështesë krijimin ose zgjerimin e aktiviteteve të zbatueshme të ndërmarrjeve nga të rinjtë, të aftë për të pasur sukses në një treg konkurrues dhe shmangien e falimentimit të ndërmarrjet ekzistuese në treg.
Vendimi përcakton se Bashkia e Tiranës, brenda datës 31 mars të çdo viti, duhet të paraqesë raport për impaktin e ndihmës shtetërore gjatë vitit paraardhës financiar. Raportet e zbatimit duhet të përmbajnë informacion të detajuar mbi shpenzimet e kryera dhe rezultatet e arritura. Të gjitha të dhënat për zbatimin e plani të ndihmës të ruhen deri në dhjetë vjet, pasi ndihma e fundit individuale të jetë dhënë në kuadër të këtij plani.
Financimi
-Ndihma mbulon kostot e investimit në asete të prekshme dhe të paprekshme.
-Kostot e parashikuara të pagave, në lidhje me punësimin e krijuar drejtpërsëdrejti nga projekti i investimit, të përllogaritura gjatë një periudhe 2-vjeçare.
– Investimi do të konsiderohet si kosto e pranueshme, pra në asete të prekshme dhe/ose të paprekshme për ngritjen e një ndërmarrjeje të re apo zgjerimin e një ndërmarrjeje ekzistuese, për të diversifikuar prodhimin e një ndërmarrjeje me produkte të reja shtesë ose një ndryshim rrënjësor në procesin e përgjithshëm të prodhimit të një ndërmarrjeje ekzistuese.
– Vendet e punës të jenë të krijuara në mënyrë të drejtpërdrejtë nga projekti i investimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.