Institucionet shtetërore dhe personat juridikë publikë (kontrolluesit publikë) mund të marrin të dhëna personale nga shërbimi i gjendjes civile dhe Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile (RKGJC), vetëm nëse kjo e drejtë u njihet me ligj të veçantë.
Në udhëzimin e përbashkët të Ministrisë të Brendshme dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjes të Dhënave përcaktohet sasia e informacionit që mund të marrin 36 institucione shtetërore. Në aktin nënligjor përcaktohet edhe mënyra e përcjelljes të informacionit në rrugë elektronike ose shkresore, siç parashikohet rast pas rasti në anekset e udhëzimit.
Dokumenti i botuar në Fletoren Zyrtare specifikon se personat juridikë apo fizikë privatë (kontrolluesit privatë), mund të marrin të dhëna personale nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile, nga regjistrat themeltarë dhe nga aktet e gjendjes civile të një personi, vetëm nëse marrin pëlqimin me shkrim nga ana e subjektit të të dhënave. Përjashtim nga ky rregull bëhet për rastet kur përpunim i tillë i të dhënave personale nga kontrolluesit privatë, autorizohet nga dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Punonjësit e zyrave të gjendjes civile në bashki, njësi administrative dhe në zyrat e arkivit të gjendjes civile pranë prefektit të qarkut duhet regjistrojnë të gjitha kërkesat, duke evidentuar datën kur është paraqitur kërkesa, kontrolluesin që kërkon të dhëna personale, të dhënat që kërkohen të përpunohen dhe ato të cilat janë dhënë ose jo, si dhe qëllimin e deklaruar nga kontrolluesit në fjalë për përpunimin e këtyre të dhënave. Këto informacione i jepen, sipas kërkesës, Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili mund t’i përdorë për qëllime hetimi administrativ dhe/ose për qëllime statistikore.
Lista e institucioneve që marrin informacion, lloji dhe sasia e informacionit që jep shërbimi i gjendjes civile
–Agjencia e Trajtimit të Kredive
Të dhënat si:-emër;-mbiemër;-numër personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendbanimi(adresa)
-Agjencia Shtetërore e Kadastrës(ASHK)
Të dhënat që përmban certifikata e lindjes dhe certifikata familjare
Drejtoria e Tatimeve
Të dhënat si:-emër;-mbiemër;-numër personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendbanimi(adresa)
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF)
Të dhënat si:-emër;-mbiemër;-numër personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendbanimi(adresa)
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit
Të dhënat si:-emri; -mbiemri; -numri personal; -atësia; -amësia; -gjinia; -datëlindja; -vendlindje (qyteti, fshati); -vendbanimi (adresa); -gjendja civile; -mbiemri para/pas martese; -shtetësia; -bashkia /njësia administrative; -historikun e gjeneraliteteve të ndryshme gjatë viteve për periudhën kohore nga viti 1941–1991”
Avokati i Popullit
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj, por që kanë lidhje me hetimin.
Avokatura e Shtetit
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligjdhe t ë vlerësuara në përputhje me qëllimin e përcaktuar në kërkesë.
Banka e Shqipërisë
Të dhënat si: -emër;-mbiemër;-numri personal;-atësia-datëlindje;-gjinia;-vendbanimi (adresa).
Byroja Shqiptare e Sigurimit
Të dhënat si: Vendbanimi (adresa)/vendqëndrimi për personat (shkaktarë/përfitues) të një procedure dëmshpërblimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve
Të dhënat që ndodhen edhe në dokumentin e identifikimit të të dënuarit:-emër;-mbiemër;-numri personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendlindje; -vendbanimi (adresa);-çdo informacion tjetër që kërkohet për të plotësuar dokumentacionin e personit të privuar nga liria.
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave
Të dhënat si:-emër;-mbiemër;-numri personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendlindje;-gjendjacivile;-gjinia;-lidhja me kryefamiljarin;-përbërja familjare aktuale dhe historike.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor
Të dhënat, si: numri personal; emër; mbiemër; atësi; mëmësi; datëlindje; vendlindje; shteti i lindjes; numri i letërnjoftimit ID; lloji letërnjoftimit ID; data e lëshimit të letërnjoftimit ID; data e skadencës së letërnjoftimit ID
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar
Të dhënat si: -emër;-mbiemër (para ose pas martese);-numri personal;-atësi;-amësi;-datëlindje;-vendlindje;-vendbanimi (adresa);-gjendja civile;-të dhënat që përmban certifikata familjare;-shtetësia.
Enti Kombëtar i Banesave
Të dhënat që përmban certifikata familjare,si:-emër;-mbiemër;-numër personal;-atësi;-amësi;-datëlindja;-gjendja civile;-vendlindje; -shtetësi-vendbanimi (adresa).
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj/vlerësuar në përputhje me qëllimin e përcaktuar në kërkesë.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore(ISSH)
Të dhënat që përmban certifikata e vdekjes, si:-emër;-mbiemër para ose pas martese;-numër personal;-atësi;-amësi-datëlindjes;-vendlindje;-gjinia;-gjendja civile -shtetësia;-data e vdekjes;-vendi i vdekjes;-vendbanimi(adresa)
KQZ
Të dhënat si: emër; mbiemër; numër personal; atësi; amësi; datëlindje; vendbanimi(adresa)
Ministria e Mbrojtjes
Të dhënat si: emër; mbiemër; numër personal; atësi; amësi; datëlindje; vendbanimi(adresa). Këto të dhëna u përkasin personave për të cilët ka filluar procedimi penal për vepra të parashikuara nga Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale
Të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj/vlerësuar në përputhje me qëllimin e përcaktuar në kërkesë.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj dhe vlerësuar në përputhje me qëllimin.
Organet e qeverisjes vendore
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj dhe vlerësuar në përputhje me qëllimin e përcaktuar në kërkesë.
Përfaqësitë diplomatike të qeverive të huaja
Të dhënat e domosdoshme, të cilat vlerësohen të nevojshme për plotësimin e qëllimit. Marrë si në kërkesë përcakton qartë qëllimin e marrjes së të dhënave. Transferuesi i të dhënave vlerëson dhënien e sasisë së të dhënave në përputhje me qëllimin.
Përfaqësuesit dhe avokatët me prokurë
Të dhënat që kanë lidhje me personin që përfaqëson avokati dhe që kanë lidhje me çështjen ose personin që përfaqësohet ose mbrohet prej tij.
Policia e Shtetit
Të gjitha të dhënat e domosdoshme për kryerjen e funksioneve të përcaktuara me ligj dhe vlerësuar në përputhje me qëllimin.
Institucione të tjera, si: Prefektët, Shërbimi i Provës, Noterët, Zyrat e Përmbarimit, Shërbimi Informativ, Prokuroria e Përgjithshme.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.