Miratohet plani kombëtar për moshimin e popullsisë, problematikat në rritje të moshës së tretë

31/12/2019 11:00 AM 0 komente

Shqipëria ka filluar të përjetojë efektet e moshimit të popullatës, pas një periudhë transformimi demografik që ka ndodhur kohët e fundit në Shqipëri, periudhë gjatë së cilës proporcioni i personave të moshuar është rritur me disa herë, ndërkohë që ka rënë proporcioni i fëmijëve si pasojë e rënies se fertilitetit dhe I adultëve të rinj, si pasojë e emigracionit, sipas dokumentit politik kombëtar për moshimin, të pubikuar në Fletoren Zyrtare.

Jetëgjatësia mesatare ka ardhur vazhdimisht në rritje dhe ka gjithnjë e më shumë persona, që mund dhe duhet të vijojnë të marrin pjesë active në shoqëri edhe pas moshës së pensionit. Nga ana tjetër, tranzicioni i përshpejtuar demografik është shoqëruar nga një zvogëlim i familjes dhe I rolit të saj tradicional mbështetës për të moshuarit me nevoja të veçanta. Për më tepër, ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit, Shqipëria nuk trashëgon nga e kaluara një system tradicional e të integruar të kujdesit shëndetësor e social për të moshuarit. Në këtë kontekst është e nevojshme të ndërtohet një plan kombëtar në këtë fushë, plan i cili do të mbështeste një integrim më të mirë të të moshuarve në shoqëri, si dhe një jetë të gjatë, të shëndetshme dhe produktive.

Sipas raportit, Ka rreth 400,000 të moshuar në Shqipëri – 14 për qind e popullsisë totale. Rreth 60 për qind e tyre jetojnë në zona të izoluara. Të moshuarit që jetojnë vetëm ose në varfëri, gjë e cila në ndërveprim me barriera të ndryshme (si kushte të veçanta shëndetësore ose infrastruktura e dobët) pengon pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në shoqëri.

Popullsia e Shqipërisë në 1 janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë, duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 janar 201820 . Tranzicioni demografik në Shqipëri ka kulmuar dukshëm me një “plakje” graduale të popullatës gjatë dekadave të fundit. Kështu, numri i individëve të moshuar përbën mbi 11% të popullatës së përgjithshme të vendit tonë, me një tendencë në rritje përgjatë viteve të ardhshme.

Shqipëria po fillon të përjetojë efektet e moshimit të popullsisë – procesi sipas të cilit të moshuarit zënë një përqindje proporcionalisht më të madhe të të gjithë popullsisë. Në dy dekadat e fundit, ka ndodhur një transformim demografik i veçantë, ndërsa rritja e përqindjes së personave të moshuar mbi 65 vjeç, shoqërohet me ulje të përqindjes së fëmijëve dhe të të rinjve22. Kjo situatë amplifikohet akoma më shumë nga niveli i lartë i emigrimit të të rinjve dhe moshave të mesme, gjë që e bën të domosdoshme vendosjen e çështjeve të moshimit mes prioriteteve kryesore të qeverisë shqiptare.

Emigracioni i vazhdueshëm në shkallë të gjerë dhe lindshmëria dhe vdekshmëria në rënie, kanë pasur një ndikim shumë të madh në strukturën e popullsisë së Shqipërisë. Numri i personave në grup-moshën 15–64 vjeç ka mbetur mjaft i qëndrueshëm gjatë periudhës ndërmjet dy censuseve të fundit, duke rënë nga 1.96 milionë në vitin 1989 në 1.90 në vitin 2011. Nga ana tjetër, në një popullsi përgjithësisht në rënie, vërehet një rritje e mprehtë e numrit të të moshuarve mbi 65 vjeç, nga 169 në 318 mijë në të njëjtën periudhë23. Ky është një tregues i qartë i transformimit të plotë të shoqërisë, në një periudhë kohore prej vetëm 22 vjet.

Në të kaluarën martesa ishte universale në popullsinë e Shqipërisë dhe rimartesa, veçanërisht te meshkujt, ishte shumë e zakontë, ndërsa analiza aktuale tregon një shtyrje të martesës, rënie të shkallës së rimartesës dhe madje shfaqjen e fenomenit të braktisjes së saj. Niveli i ulët i martesave, aktualisht, reflektohet nga një nivel i rritjes së divorceve. Demografët e kanë përshkruar zhvillimin nga regjimet e lindshmërisë dhe vdekshmërisë së lartë, te lindshmëria dhe vdekshmëria e ulët si “tranzicion demografik”.

Problemet e moshës së tretë

Problemi më kritik i moshës së tretë është varfëria ekonomike, e shkaktuar nga mungesa ose pamjaftueshmëria e të ardhurave. Pavarësisht reformimit të skemës së pensioneve, sistemi përballet me sfida të lidhura me demografinë dhe ekonominë. Raporti i vartësisë së moshimit pothuaj u dyfishua nga 8.6% në vitin 1989 në 16.7% në vitin 2011. Në vitin 2030, ky raport do të jetë dyfishuar sërish për të arritur në nivelin 32.9%.

Rreth 30% e të moshuarve shqiptarë jetojnë në blloqe apartamentesh të ndërtuara para viteve 90, ku një kufizim i rëndësishëm i lëvizshmërisë për 80% të tyre është mungesa e ashensorit. Shumica dërrmuese ose 93% e të moshuarve ka akses në banja të përshtatshme, por vetëm 76% e kanë këtë brenda shtëpisë.

Gjendja shëndetësore e të moshuarve është problemi i dytë për nga rëndësia. Të moshuarit vuajnë më shumë se një sëmundje kronike. Ata shprehen se nuk e përballojnë dot blerjen e ilaçeve dhe shpesh detyrohen të marrin vetëm një pjesë të ilaçeve, kryesisht ato që janë më rimbursim. Nga ana tjetër, sistemi publik i kujdesit shëndetësor është i papërgatitur për të përballuar nevojën në rritje të të moshuarve.

Nga disa studime, që ka kryer Shoqata e Gerontologjisë, e ngritur posaçërisht për evidentimin e problemeve të të moshuarve, rezulton se rreth 60 për qind e të moshuarve në të i gjithë vendin, vuajnë nga sëmundje kronike, ndërkohë që rreth 30 për qind deri në 40 për qind e medikamenteve, përdoret nga mosha e tretë, duke ndikuar ndjeshëm në buxhetin e shtetit. Gjendja shëndetësore, sidomos e të moshuarve mbi 75 vjeç dhe të sëmurë, është faktor kritik përjashtimi.

Studimi “Vlerësimi i kushteve socialekonomike, pjesëmarrjes shoqërore dhe gjendjes shëndetësore të të moshuarve në Shqipëri”, i realizuar nga Rrjeti Shqiptar i Moshimit në vitin 2017, konfirmon se rreth 8% e të moshuarve nuk kanë asnjë kontakt me pjesëtarët e familjes dhe/ose miqtë, duke dëshmuar për një izolim të plotë social të kësaj kategorie të moshuarish. Shkalla e përjashtimit social është disi më e lartë te femrat (8.7%) në krahasim me meshkujt (7.7%), dhe është shumë më e lartë te të moshuarit në moshë shumë të madhe, në krahasim me ata me moshë më të re.

Braktisja nga familja ose jetesa në vetmi është problemi më i ri me të cilin përballen të moshuarit në Shqipëri. Pjesërisht për shkak të dobësimit të lidhjeve familjare në kohën moderne dhe pjesërisht për shkak të imigracionit dhe emigracionit, të moshuarit edhe pse nuk përballen me problemin e mungesës së strehimit, vuajnë vetminë, e cila rëndon edhe më shumë gjendjen e tyre shëndetësore dhe emocionale.

Plani Kombëtar i Veprimit, 2020–2024

Politikat që parashikon plani kombëtar I veprimit për 2020-2024 përfshijnë:

Politika 1. Mbrojtje dhe përfshirje sociale për të moshuarit: Rezultati i pritshëm për këtë politikë prioritare është mbrojtja e të moshuarve më në nevojë, përmes përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit pensioneve dhe mekanizmave të tjerë socialë, në përputhje me standardet evropiane dhe ato ndërkombëtare. Gjithashtu do të mbështeten qeveritë vendore, për t’i shndërruar bashkitë në komunitete më miqësore për moshimin, duke krijuar më shumë mjedise të përshtatshme për shëndetin e mirëqenien e të moshuarve apo duke nxitur përfshirjen e tyre në jetën komunitare e shoqërore.

Politika 2: Shërbimet sociale e shëndetësore të përshtatshme dhe të integruara për të moshuarit: Për këtë politikë prioritare është forcimi i kapaciteteve të sistemeve të shërbimeve shëndetësore dhe sociale në mënyrë, që të jenë në gjendje t’I përgjigjen një proporcioni gjithnjë e më të madh të të moshuarve në popullatë, duke përmirësuar shëndetin e tyre kur kanë nevojë dhe duke lehtësuar përdorimin nga ana e tyre të shërbimeve dhe mbrojtjen përmes mekanizmave financiarë dhe socialë. Kjo do të siguronte një mirëqenie, autonomi, jetë aktive dhe pjesëmarrje shoqërore për të moshuarit për një kohë sa më të gjatë.

Politika 3. Promovimi i shëndetit, mirëqenies së të moshuarve dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi moshimin: Rezultati i pritshëm për këtë politikë prioritare është promocioni më i mirë i shëndetit dhe i parandalimit të sëmundjeve në të gjitha moshat dhe në të gjitha nivelet e shoqërisë. Gjithashtu, pritet të arrihet një ulje e invaliditetit dhe abuzimit te të moshuarit, për një moshim të shëndetshëm, si dhe një imazh pozitiv i moshimit në shoqëri.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of