Miratohet procedurat dhe kriteret për përfitim të granteve shtetërore për financim të projekteve te të rinjtë

14/01/2021 9:00 AM 0 komente

Miratohen kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes së organizatave rinore apo të rinjve, që do të përfitojnë financime nga fondet grant nga buxheti i shtetit, të dedikuara për rininë.

Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR), nëpërmjet fondit grant të dedikuar për rininë, të miratuar në ligjin vjetor të buxhetit, financon projektet e propozuara nga organizatat rinore, të rinjtë apo njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Vendimi i qeverisë i botuar në Fletoren Zyrtare përcakton se organizatat rinore, që do të përfitojnë mbështetje financiare, duhet të kenë zbatuar, për një periudhë të paktën 2-vjeçare, projekte e programe me ndikim te të rinjtë; të mos jenë në proces falimentimi ose likuidimi; të mos kenë detyrime tatimore dhe të mos jenë të dënuar, organizata dhe përfaqësuesi i saj ligjor, me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Aplikimi për mbështetje financiare, dërgimi i projektpropozimit dhe i dokumentacionit shoqërues nga organizatat rinore do të bëhet përmes portalit e-Albania apo në faqen zyrtare të AKR-së.

AKR-ja, brenda muajit korrik të çdo viti, harton programin vjetor të financimit të projekteve rinore për vitin pasardhës dhe brenda muajit janar të çdo viti, skemën e shpërndarjes së pjesës së fondit grant, që do të përdoret për financimin e projekteve rinore.

Pagesat për financim projektesh kryhen për organizatat rinore me 3 këste, si: kësti i parë, deri në 50% të vlerës së financimit menjëherë pas shpalljes fitues të projektit; kësti i dytë, deri në 40% të vlerës së projektit, menjëherë pas përfundimit dhe vlerësimit pozitiv mbi realizimin e fondeve të këstit dhe kësti i tretë 10% në përfundim të projektit.

Subjektet konkurruese duhet të plotësojnë dhe të ngarkojnë elektronikisht dokumentet, si: formularin e aplikimit, ku të përcaktohet qartësisht qëllimi i projektit dhe veprimtaritë specifike që do të kryhen, në funksion të tij; aktin e regjistrimit në gjykatë; kopjen e statutit, ku specifikohet, si pjesë e veprimtarisë zhvillimi i aktiviteteve rinore; dokumentacionin që provon përvojë në zhvillimin e aktiviteteve rinore; vërtetimin nga organet tatimore që i ka përmbushur në mënyrë të rregullt detyrimet; vërtetimin nga gjykata të 3 muajve të fundit se nuk është në procedurë falimenti dhe/ose likuidimi; vërtetimin bankar të 3 muajve të fundit nga data e mbylljes së aplikimit; vërtetim nga gjykata të 3 muajve të fundit që nuk janë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, organizata dhe përfaqësuesi i saj ligjor; bilancin vjetor të tyre, si një kriter për të shpërndarë në mënyrë jo vetëm cilësore por dhe të drejtë grantin për financim; projektpropozimin përkatës ose dokumentet shoqëruese të tij.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of