Miratimi nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Finanicare (AMF), në mbledhjen e datës 26 mars 2021, të rregullores së shoqërisë “Regjistri Shqiptar i Titujve – ALREG” sh.a. “Për fondin e garancisë” e bën atë tërësisht funksionale. Rregullorja, sipas AMF-së, shënon plotësimin e bazës rregullative për funksionimin e infrastrukturës së procesit të pastregtimit, të transaksioneve të realizuara në Bursën e Titujve.
Nga data 1 mars 2021, shoqëria ALREG është e gatshme të kryejë praktikisht funksionin e saj të klerimit dhe të shlyerjes së transaksioneve në tituj si rezultat i anëtarësimit të saj në sistemin e pagesave ndërbankare me vlerë të madhe – AIPS. Operimi i sistemit të shlyerjes së titujve nga shoqëria ALREG është i lidhur domosdoshmërisht me nevojën e krijimit të Fondit të Garancisë, i cili financohet nga pjesëmarrësit e sistemit të shlyerjes së titujve.
Krijimi i Fondit të Garancisë ka për qëllim sigurimin apo garantimin e transaksioneve të kryera në Bursën e Titujve, të cilat dështojnë të shlyhen për arsye të mungesës së vlerave monetare dhe/ose të titujve nga pjesëmarrësit në transaksion.
Transaksionet e ekzekutuara në Bursën e Titujve finalizohen përmes procesit të shlyerjes së titujve, si proces pastregtimi, i cili ka të bëjë me transferimin e titujve përkundrejt pagesës midis palëve të përfshira në transaksion. Mospërmbushja e detyrimeve nga pjesëmarrësit për të finalizuar transaksionin në tituj, kërkon marrjen e masave për parandalimin e rasteve të tilla nga ALREG. Vijueshmëria e shlyerjes së transaksioneve, edhe në rastet e mospërmbushjes së detyrimeve sigurohet nëpërmjet përdorimit të fondit të garancisë për llogari të palës që dështon të përmbushë detyrimin. Kështu, fondi i garancisë siguron përmbushjen e detyrimeve të pjesëmarrësve në transaksion.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Asnje gje nuk morem vesh. A ka mundesi te sqaroni, pse eshte krijuar ky Alreg dhe per cfare u sherben njerezve.