Kandidatët për përmbarues, ndihmëspërmbaruesit dhe përmbaruesit gjyqësor privatë do t’i nënshtrohen trajnimeve kualifikuese të detyrueshme për formimin e tyre profesional.
Kandidatët për përmbarues do të kryejnë kurse të detyrueshme trajnimi që zgjasin 1 vit. Përmbaruesit e tjerë privatë do të kenë të detyrueshme kryerjen e trajnimeve profesionale teorike dhe praktike, kohëzgjatja e të cilave do të miratohet me udhëzim të Ministrisë të Drejtësisë.
Kurset profesionale nga përmbaruesit privatë do të kryhen pranë Qendrës Kombëtare të Trajnimit të Përmbaruesve privatë. Rregullorja e botuar në Fletoren zyrtare përcakton se kjo qendër do të ngrihet pranë Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Tarifat për trajnimet dhe kurset do të përcaktohen nga Këshilli Drejtues i Dhomës.
Rregullorja përcakton se për kandidatët përmbarues do të jetë i detyrueshëm “formimi fillestar” nëpërmjet trajnimit 1-vjeçar të organizuar nga Qendra Kombëtare. Për ndihmëspërmbaruesit dhe përmbaruesit do të jetë i detyrueshëm “formimi vazhdues” që bazohet në trajnimet e formimit vazhdues profesional të organizuar nga Qendra. Në fund të programit të detyrueshëm për trajnimin fillestar dhe trajnimit vazhdues, pjesëmarrësit pajisen me certifikatën e përfundimit me sukses të trajnimit fillestar ose vazhdues, që lëshohet nga Këshilli Drejtues. Nuk do të pajisen me certifikatë pjesëmarrësit që mungojnë qoftë edhe një seancë të trajnimit vazhdues. Në këtë rast, me kërkesë të tyre, përmbaruesit mund të marrin vërtetim vetëm për kohën që kanë frekuentuar.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës ka të drejtën të përcaktojë rregulla të posaçme për identifikimin dhe monitorimin e pjesëmarrësve në aktivitetet trajnuese të programit për trajnimin fillestar dhe vazhdues përpara lëshimit të certifikatës.
Pranë Qendrës do të angazhohen trajnerët që do të zhvillojnë kurset kualifikuese. Trajnerët që të përzgjidhen nga aplikimet duhet të plotësojnë disa kritere, si eksperienca si juristë dhe mësimdhënie akademike. Aplikimi bëhet duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që vërteton përmbushjen e kritereve shoqëruar me një kërkesë zyrtare.
Programet e trajnimit
-Programi i detyrueshëm për trajnimin fillestar për kandidatët përmbarues
-Programi i detyrueshëm për trajnimin vazhdues për ndihmëspërmbaruesit dhe përmbaruesit gjyqësor
-Kurse trajnimi për juristë që synojnë njohuri profesionale, teorike dhe praktike në fushën e ekzekutimit të detyruar përmbarimor
-Trajnime informuese në fushën e ekzekutimit të detyrueshëm
-Botimin e materialeve apo të revistave në fushën e ekzekutimit të detyrueshëm;
-Organizimin e konferencave kombëtare apo ndërkombëtare në bashkëpunim me institucione të huaja, në fushën e ligjit dhe veçanërisht ekzekutimit të detyrueshëm
Kriteret për përzgjedhjen e trajnerëve
-Të ketë eksperiencë mbi 5-vjeçare si juristë; eksperiencë mësimdhënie akademike mbi 2 vjet; eksperiencë mbi 5-vjeçare si përmbarues; eksperiencë mësimdhënie akademike mbi 2 vjet; përvojë profesionale e specifikuar në fushën/kursin/temën për të cilën do të jenë trajnues.
-Kritere shtesë të rëndësishme për përzgjedhjen e të gjithë trajnerëve, të cilët duhet të konkurrojnë në mënyrë kumulative me kriteret e mësipërme, janë: a) integriteti moral dhe reputacioni i mirë në detyrën e tyre, i cili ka të bëjë me respektimin e vazhdueshëm të rregullave në detyrën e tij/saj; b) aftësi të larta në komunikim; c) aktiviteti shkencor në formën e botimeve dhe të konferencave; ç) të ketë aftësitë e nevojshme për të vlerësuar nevojat për trajnimin profesional të përmbaruesve/ndihmëspërmbaruesve; d) të kenë njohuri të mira të gjuhës angleze; përbën avantazh në përzgjedhje zotërimi edhe i gjuhëve të huaja të tjera; dh) aftësi të prezantimit dhe të transmetimit të saktë dhe të qartë të informacionit te pjesëmarrësit.
-Aplikimi bëhet duke paraqitur dokumentacionin e nevojshëm që vërteton përmbushjen e kritereve të mësipërme, të shoqëruar nga një: a) kërkesë zyrtare në format fizik apo elektronik; b) një kopje të jetëshkrimit, duke specifikuar eksperiencën dhe trajnimet e marra, pjesëmarrjen në konferenca apo botime, të vërtetuar me dokumentet përkatëse; c) titullin e temës, çështjes apo nënçështjes për të cilën kërkojnë të japin ekspertizën e tyre; ç) metodologjinë që do të përdorin në trajnim; d) projektprogramin e detajuar, sipas nenit 17 të kësaj rregulloreje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.