Miratohet VKM, si do të funksionojë garancia për huatë për pagat e punonjësve te biznesi i madh

07/04/2020 8:45 PM 0 komente

Bizneset e mëdha, që kanë vështirësi të paguajnë punonjësit e tyre, mund të marrin hua pranë bankave, që do të jetë e garantuar nga qeveria.

Sipas kushteve të miratuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Bankat për çdo Biznes pjesëmarrës mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej Biznesit në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë së 150 000 lekë.
Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Bankës dhe Biznesit, në përputhje me Marrëveshjen e Garancisë.

Bankat e nivelit të dytë nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë dhe do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%.

VENDIMI
Këshilli i Ministrave ka miratuar Vendimin “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19, si edhe për përcaktimin e kushteve dhe kritereve të marrëveshjes së garancisë dhe marrëveshjes së mirëkuptimit”.

Miratimi i këtij Vendimi është pjesë e paketës së masave të marra nga Qeveria Shqiptare për t’i ardhur në ndihmë bizneseve dhe familjeve të punonjësve të tyre, përmes krijimit të Linjës së Garancisë Shtetërore në vlerën 11 Miliardë Lekë.
Instrumenti i Garancisë Sovrane vjen ne zbatim te aktit normativ numer 6, datë 21.03.2020, si propozim i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe synon stimulimin e huadhënies duke synuar lehtësimin afatshkurtër të pasojave ekonomike duke mundësuar mjete monetare shtesë për bizneset e prekura nga vendimet e Qeverisë në kuadër të masave kundër COVID 19.

Vendimi, prezanton kushtet dhe kriteret për Marrëveshjen e Garancisë Shtetërore të Huasë dhe Marrëveshjes së Mirëkuptimit për bizneset, që do të marrin kredi, limitet e alokuara të Garancisë Shtetërore për bankat e nivelit të dytë dhe autorizon Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të lidhur marrëveshje me Bankat në shprehje të interesit të tyre për këtë instrument. Kryeministri miraton strukturën e posacme ndërinstitucionale, e cila do të monitorojë dhe raportojë ecurinë e Garancisë Shtetërore të Huasë.

Marrëveshja e Garancisë e lidhur ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe secilës prej Bankave pjesëmarrëse, bëhet për të përcaktuar kushtet e pjesëmarrjes së Bankave në këtë skemë garancie të administruar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
Në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të marrë përsipër të garantojë Bankat deri në vlerën maksimale të miratuar për çdo bankë.

Kjo vlerë përfaqëson vlerën maksimale të pagesave, që mund të kryhen nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar pretendimet e humbjes së Bankës nga huatë që do t’i nënshtrohen kësaj skeme garancie.
Ndarja e vlerës së garancisë për çdo Bankë është bërë duke marrë në konsideratë tregun e kredisë, që zotëron secila nga Bankat, që operon në Republikën e Shqipërisë, bazuar në të dhënat e siguruara nga Banka e Shqipërisë. Vlera e Garancisë Shtetërore, që do të lëshohet në favor të secilës prej bankave të nivelit të dytë, detajohet në Vendimin e Këshillit të Ministrave.

Në vendim integrohen dy draft marrëveshjet, që do të bëjnë të mundur zbatimin e Grancisë Shtetërore për Huanë:
– Marrëveshja e Garancisë “Për miratimin e garancisë shtetërore të huasë me bankat e nivelit të dytë për pagat e bizneseve, aktiviteti i të cilëve është prekur nga vendimet e qeverisë në kuadër të menaxhimit të situatës së krijuar nga COVID-19”;
– Marrëveshja e Mirëkuptimit, e cila do të nënshkruhet nga secili biznes që do të marrë kredi.
Marrëveshja e Garancisë do të ketë në Aneks të saj Marrëveshjen e Mirëkuptimit, nënshkrimi i së cilës do të jetë kusht për kualifikimin e huasë në skemën e garancisë për bizneset.
Duke qenë se nëpërmjet miratimit të Garancisë Shtetërore risku i kreditit i transferohet qeverisë, bizneset pjesëmarrëse në skemë do të kenë mundësinë të përfitojnë terma preferenciale për kreditë që do të merren për këtë qëllim, krahasuar me kushtet aktuale të tregut:
– Qëllimi i përdorimit të fondeve të Huasë do të jetë vetëm për të paguar pagat e punonjësve të Huamarrësit, bazuar në listëpagesat e procesuara pranë Bankave në muajin Shkurt.
– Vlera e Huasë e vendosur në dispozicion nga Bankat për çdo Biznes pjesëmarrës mund të variojë në përputhje me kërkesën e paraqitur nga Biznesi, por duke mos tejkaluar vlerën e 3 pagave mujore bruto të punonjësve të deklaruar prej Biznesit në përputhje me Legjislacionin Tatimor në fuqi, por në asnjë rast vlera mujore bruto e pagës për punonjës nuk duhet të jetë më e lartë së 150 000 lekë.
– Termat dhe kushtet e Huasë do të përcaktohen në Marrëveshjen e Huasë, e cila do të nënshkruhet ndërmjet Bankës dhe Biznesit, në përputhje me Marrëveshjen e Garancisë.
– Në cdo rast dhënia e kredisë do të realizohet sipas politikave të brendshme të cdo banke në lidhje me riskun e kredisë, por bankat e nivelit të dytë do të sigurojnë procedura të thjeshtuara dhe kohë shumë të shpejtë të procesimit të kerkeses së kredisë.
– Në instrumentin e kredisë së garantuar nga kredia sovrane, biznesi mund të përfitojë një periudhë pa pagesë principali, jo më pak se 3 muaj.
– Marrëveshja parashikon edhe shqyrtimin e nevojës së kërkesës së ristrukturimit përgjatë kohës së shlyerjes së kredisë, me aprovim të Bankës në momentin e analizës së riskut për këtë kërkesë.
– Bankat e nivelit të dytë nuk do të aplikojnë kosto administrative mbi kredinë dhe do të ofrojnë një normë interesi preferenciale, të barabartë me normën mesatare të interesit të tre ankandeve të fundit të bonove të thesarit 12 mujore plus një marzh prej 0.5%, por në asnjë rast jo më të lartë se 2.85%.
– Subjektet private duhet të përcjellin kërkesat e aplikimit për kredi pranë njërës prej bankave të nivelit të dytë, jo më vonë se 30 ditë nga data e nënshkrimit të Marrëveshjes së Garancisë Shtetërore mes Këshillit të Ministrave dhe Bankës përkatëse.

Struktura e posacme ndërinstitucionale, e ngritur me urdhër të Kryeministrit, do të monitorojë, shqyrtojë dhe raportojë periodikisht ecurinë e Garancisë Shtetërore dhe do të mundësojë komunikim të përhershëm me Bankat për të adresuar nevojat e plota të përdorimit efektiv të kesaj garancie.
Ministri i Financave dhe Ekonomisë gëzon të drejtën, që pas 60 ditësh nga data e nënshkrimit të marrëveshjes përkatëse, sipas raportimit të strukturës së posacme, të propozojë rialokime të shumave të garancisë nga huadhënësi, që nuk e ka ezauruar shumën e garancisë në favor të tij, tek huadhenesi(t), që e kanë ezauruar atë.

*** Vendimi është hartuar në përputhje me Nenin 100 të Kushtetutës; Nenin 34-43 të Ligjit Nr. 9665, datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Nenin 57 të ligjit Nr. 9936, datë 26.06.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; Ligjin Nr.7850, datë 29.07.1994 “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar; Aktin Normativ Nr. 6, datë 21.03.2020 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin Nr. 88/2019”; si edhe me pikën 6, të Vendimit Nr. 243, datë 24.03.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of