Prej vitesh rrjeti kombëtar i rrugëve mirëmbahet nga katër kontrata private, por gjithsesi këto nuk mbulojnë 25 për qind nga totali i rrjetit.
Qeveria nëpërmjet Autoritetit Rrugor do të duhet të ndërmarrë hapa shtesë për mirëmbajtjen e kësaj pjesë, që kërkon edhe burime financiare shtesë.
Gjatë vitit 2019, buxheti i ARRSH-së për mirëmbajtjen ekzekutoi 20.6 milionë euro, për afro 2.200 km rrugë.
Ministria e Infrastrukturës vë në dukje se standardet ndërkombëtare kërkojnë më shumë investime për mirëmbajtjen. Nga 3 mijë euro që janë shpenzimet aktuale për një kilometër në vit, duhet të arrijnë në 11 mijë euro. Më shumë fonde të programuara për investimet në rrugë duhet të shkojnë drejt mirëmbajtjes dhe rehabilitimit, në mënyrë që të ruhen investimet e kaluara në rrugë.
Një projekt BB “Për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë në Rrugë të bazuar në Rezultate” hyri në vitin e tretë të zbatimit të tij. Projekti mbështet mirëmbajtjen rutinore dhe periodike të rreth 1,333 km rrugë kryesore përmes mirëmbajtjes të bazuar në performancë që po zbatohet përmes katër kontratave ka një vlerë prej 79.8 milion eurosh.
Kontratat origjinale u ndryshuan dhe u rregulluan për të reflektuar kostot që nuk ishin llogaritur më parë. Rishikimi i katër kontratave rriti me 11% të vlerën e financimit të tyre.
Kontrata A, është kontrata A që përfshin Rajonin Verior Shkodër-Kukës, me gjatësi në kilometra 336 dhe me vlerë 21.2 milionë euro që është marrë nën menaxhim nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E dyta, është zona B që përfshin Rajonin Veri /Qendër/Lindje – Tiranë – Dibër me gjatësi 286 kilometra dhe me vlerë 19.6 milionë euro e fituar edhe kjo nga (JV) BIOLIAP A.T.E.V.E. & GECI LTD.
E treta, zona C, përfshin rajonin Qendër/Jugor Lindje Fier-Elbasan – Korçë me gjatësi 419 kilometra me një vlerë 11.6 milionë euro dhe e lidhur me kompaninë Raëafed Al-torok Contracting Establishment.
E katërta zona D, rajoni jugor-Vlorë-Gjirokastër, me një gjatësi 350 kilometra, vlerë 13.7 milionë euro dhe operator fitues Elicatechnical Commerce Societa & Salillari sh.p.k.
Projekti i katër kontratave të bashkëfinancuara nga qeveria dhe Banka Botërore përfshin hetime në terren për të siguruar të gjithë informacionin e nevojshëm për të azhurnuar të dhënat për asetet rrugore gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit. Kontraktorët përpilojnë çdo vit një inventar të gjendjes së pasurive rrugore dhe dorëzonjën atë tek konsulenti, i cili pas verifikimeve të nevojshme, i’a paraqet ARRSH-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.