Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka nisur këtë të martë serinë e takimeve në Tiranë, në kuadër të Artikullit 4. Takimin e parë, përfaqësuesit e FMN e kanë zhvilluar me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete.
Takimet e FMN vijnë në kohën kur institucioni ndërkombëtar financiar ka rishikuar me ngritje parashikimet për rritjen ekonomike të Shqipërisë gjatë këtij viti, duke e vlerësuar atë në 3.6%, ashtu siç bëri disa ditë më parë edhe Banka Botërore.
Ministri Mete informoi përfaqësuesit e FMN-së mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe pritshmëritë për situatën makroekonomike dhe fiskale, ndërsa nga shefja e misionit, zj. Anke Weber u prezantuan fushat kryesore ku do të fokusohen përfaqësuesit e FMN gjatë ditëve në vijim në takimet me autoritetet shqiptare.
Ministri konfirmoi angazhimin për të vijuar konsolidimin fiskal, përmirësimin e administrimit në mbledhjen e të ardhurave dhe zbatimin e reformave të mëtejshme.
Nga ana e saj, shefja e misionit të FMN-së, Weber u shpreh se disa prej fushave kryesore ku do të përqendrohet misioni do të jenë analiza dhe perspektiva e treguesve makroekonomikë, fiskalë e financiarë dhe projeksionet për to, reformat strukturore, performanca e vitit 2023, etj.
Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Tiranë nga data 17-27 tetor dhe do të zhvillojë një seri takimesh, ndërsa në fund është parashikuar një konferencë e përbashkët për shtyp.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.