Ende pa përfunduar procesi i zbatimit të konkursit të shpallur para gati dy muajsh për 168 vende të reja të punës në institucionet arsimore dhe shëndetësore në veri të Mitrovicës, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, ka shpallur edhe një konkurs tjetër, shkruan sot, gazeta Zeri.
“Kemi hapur edhe 78 vende të reja të punës, tashmë kemi shpallur konkursin për plotësimin e tyre. Kjo na gëzon pa masë mua dhe qytetarët, pasi që të rinjve u ofrohet punë.
Aktualisht jemi duke zbatuar konkursin e mëhershëm, në bazë të të cilit janë pranuar 168 punëtorë të rinj, kryesisht në arsim dhe në shëndetësi. Në rundin e parë ua kemi shpërndarë 80 kontrata pune atyre që janë pranuar, ndërsa këto ditë do t’i shpërndajmë edhe 88 kontrata të tjera për ta përmbushur numrin e punëtorëve e që është 168”, ka thënë Rakiq.
Ai tha se bashkë me konkursin e ri që është shpallur tashmë për 78 vende të punës, në Mitrovicën e Veriut janë hapur këtë vit 246 vende pune në institucionet publike.
Rakiq nuk ka precizuar se si është duke shkuar pranimi i punëtorëve sipas strukturës etnike të popullatës, gjë që është kërkuar nga shqiptarët e asaj pjese. Shqiptarët e veriut të Mitrovicës, në anën tjetër, e ndiejnë veten të diskriminuar në punësim, pasi që Rakiq dhe Komisioni për Zbatimin e Konkursit, sipas tyre, nuk kanë respektuar strukturën etnike të banorëve në pjesën veriore të Mitrovicës.
/Zëri/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.