Javën e kaluar, Apple Inc. u bë një nga kompanitë e para të mëdha në botë që paralajmëroi investitorët rreth ndikimit negativ të koronavirusit, duke shfaqur edhe një herë llojin e transparencës dhe përgjegjshmërisë, që e kanë shndërruar atë në një nga kompanitë më të vlerësuara në botë.
Ndërkohë, fakti që pak shoqëri të tjera kanë ndjekur shembullin e Apple, nxjerr në pah një nga sfidat e mëdha me të cilat kompanitë duhet të përballen: të thonë të vërtetën.
Kur them që kompanitë kanë vështirësi të thonë të vërtetën, nuk e kam fjalën që po gënjejnë klientët, autoritetet rregullatore apo investitorët – nënkuptoj që po gënjejnë veten.
Edhe pse është ende shumë shpejt për të kuptuar se sa i madh do të jetë impakti i koronavirusit në ekonominë botërore apo te kompanitë, është e qartë se nuk do të jetë i papërfillshëm. Zinxhirët e furnizimit janë ndërprerë. Aktiviteti i konsumit në Kinë tashmë po ngadalësohet. Dhe Apple nuk është e vetmja kompani në botë që do ta ndiejë ndikimin e koronavirusit.
“Është logjike” – thotë Diane Swonk, kryeekonomiste në Grant Thornton për “USA Today”, duke shtuar se vonesat dhe mungesat e transportit janë të pashmangshme. Por shumë kompani janë ende në pritje se si do të zhvillohet më tej situata.
Ndoshta e gjithë kjo do të marrë fund brenda marsit, po i thonë vetes tani shumë CEO. Të mos e ekzagjerojmë. Të mos shqetësohemi të gjithë për asgjë.
Kjo është e pritshme, natyrisht, për vetë natyrën njerëzore. Është më e thjeshtë të gjesh strehë në gënjeshtra ngushëlluese se sa të përqafosh të vërteta të dhimbshme. Por udhëheqësit – udhëheqësit e vërtetë – bëjnë pikërisht këtë gjë, pasi përballja me sfidat është e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer ato.
Yossi Sheffi, ekspert i zinxhirit të furnizimit dhe autor i “The Resilient Enterprise”dhe “The Power of Resilience”– i nxit drejtuesit e kompanive ta marrin seriozisht kërcënimin e koronavirusit.
“Koronavirusi mund të shkaktojë ndërprerje në zinxhirin e furnizimit, që janë shumë ndryshe nga çdo gjë që kemi parë në 70 vitet e fundit” – shkroi ai në një artikull në “Wall Street Journal”. “Tani për tani, mënyra më e mirë e veprimit të kompanive është analizimi i rezultateve të mundshme në kontekstin e rreziqeve të njohura në zinxhirin e furnizimit, duke u mbështetur në precedentët historikë dhe marrja e masave që minimizojnë ekspozimin ndaj ndërprerjeve të ardhshme.
Sheffi bën pesë rekomandime specifike:
1.Përcaktoni një grup për menaxhimin e situatave emergjente. Në këtë pikë, mund të jetë virtual, por mund të përfshijë edhe një listë të qartë me persona, me procedura të qarta vendimmarrëse në raste pandemie.
2.Rishikoni portofolin e produkteve të kompanisë në bazë të klientëve për të përcaktuar përparësitë. Nëse kapaciteti reduktohet, duket të përcaktohen rregulla për produktet që duhet të prodhohen dhe cilët klientë duhet të furnizohen të parët.
3.Rishikoni furnizuesit. Cili realizon pjesë thelbësore? A ka burime alternative? Si është gjendja e inventarit të furnizuesve?
4.Planifikoni aktivitete për të rritur qarkullimin e parave në vend të fitimeve.
5.Ruani komunikimin me autoritetet qendrore dhe lokale, si dhe me miqtë e kolegët kinezë dhe nga vende të tjera të Azisë Juglindore në terren.
Ndërkohë që kjo këshillë u drejtohet specifikisht prodhuesve, çdo kompani që mbështetet në mallra që vijnë nga Kina, apo që shet produktet e shërbimet e saj në Kinë, mund të adoptojë masa të ngjashme për të zvogëluar pasojat nga kjo pandemi potenciale. Por, duhet të përsërisim edhe një herë, për të bërë këtë gjë, ju duhet të tregoheni të ndershëm me veten. Ju nuk mund të merrni në konsideratë vetëm skenarët më të mirë.
Një gjë tjetër që mund të bëni është të përdorni “Red Team Thinking”, për t’u siguruar që strategjitë dhe planet tuaja janë mjaftueshëm të qëndrueshme për t’i bërë ballë kësaj stuhie. Një ndër instrumentet për ta bërë është “Alternative Futures Analysis” (Analiza alternative e së ardhmes) që shqyrton mënyra të ndryshme në të cilat një plan mund të zhvillohet në bazë të faktorëve të jashtëm të ndryshëm.
Kjo është diçka për të cilën çdo kompani duhet të mendojë. Edhe nëse kompania juaj nuk ka lidhje të drejtpërdrejta me Kinën, gjithnjë e më shumë ekonomisë paralajmërojnë se pasojat e koronavirusit mund të jenë aq të mëdha sa t’i shtyjnë disa vende – duke përfshirë edhe SHBA – drejt një recesioni.
*Bryce Hoffman, Bashkëpunëtor
Burimi: Forbes