Mendojeni jetën si një libër me shumë kapituj.
Çdo kapitull është i mbushur me përvoja të reja, me aktivitete, me përgjegjësi dhe me mjedise e sfida të reja. Ajo që bëni në çdo kapitull përcakton se si do të përfundojë historia juaj.
Çfarë keni për të treguar nga kapitujt tuaj të fundit? A keni vepruar ashtu siҫ duhet? A keni vepruar sipas qëllimeve tuaja?
Veprimet tuaja janë vendimet që merrni në një moment specifik në kohë, të cilat do të përcaktojnë se si do të vijojë pjesa tjetër e historisë suaj. Ju në fakt jeni duke shkruar historinë e jetës tuaj, çdo ditë.
Kështu, keni dy mundësi: të mendoheni duke parë një hapësirë boshe gjatë gjithë ditës, ose të ndërmerrni veprime të rëndësishme dhe të qëllimshme për të ndryshuar trajektoren e jetës suaj.
Shumica e njerëzve janë më të mirë për pjesën e parë: të menduarit.
Por, më pas, ata fillojnë të mendojnë më shumë se ҫ’duhet, rrjedhimisht duke vepruar më pak. Jeta kalon përpara syve, pa veprimet e tyre të qëllimshme.
Ata rrallë ndikojnë në rezultatet e jetës së tyre. Ka shumë arsye pse njerëzit u shmangen veprimeve dhe ndryshimeve në jetën e tyre, por vetëm njëra ka rëndësi: Ata nuk besojnë se mund ta bëjnë këtë.
Ata që mendojnë se nuk mund të ndërmarrin veprime të mira, besojnë një nga këto dy opsione:
1.) Nuk ka asnjë mënyrë që unë të mund ta bëj këtë tani; ose
2.) Ndoshta e bëj një ditë, por jo sot.
Pse disa njerëz e kalojnë kohën e tyre në mënyrë pasive, në vend që ta jetojnë jetën në mënyrë aktive? Njerëzit e suksesshëm dhe produktivë janë të mirë si në të menduar, ashtu edhe në të vepruar.
Ata ndërtojnë sisteme për ta bërë këtë proces më të lehtë. Ka shumë mënyra për të ndërmarrë veprime në jetën tuaj, por të gjitha ato përfshijnë mbajtjen e një qëndrimi dhe bërjen e zgjedhjeve.
Veprimi sjell ndikim. Ndikimi ndryshon jetën
Veprimi përfshin të menduarit për atë që dëshironi të arrini, dhe më pas veprimin sipas këtij plani, në vend që të shikoni pasivisht jetën që rrjedh përpara syve tuaj. Nuk është e lehtë të bësh një jetë të qëllimshme, por ia vlen.
Të menduarit është ajo në të cilën shquhen qeniet njerëzore. Të menduarit është një hap thelbësor në realizimin e gjërave. Mendimet arritën të projektonin internetin, të ndërtonin piramidat, të shpiknin matematikën, si dhe bënë të mundur vajtjen e njeriut në Hënë.
Por, të mendosh pa bërë asgjë nuk do të të çojë atje ku duhet të jesh. Nuk ka kuptim të kesh mendime dhe plane të shkëlqyera nëse nuk vepron sipas tyre, sepse, herët a vonë, ato do të zbehen dhe do të harrohen.
Më pak mendime, më shumë veprime. Kjo është mënyra se si bëni përparim.
“Nuk ka rëndësi se sa ngadalë ecni, për sa kohë që nuk ndaloni.” – Konfuci
Të menduarit dhe ndërmarrja e veprimeve lidhen me njëra-tjetrën, veçanërisht nëse doni të bëni punë të shkëlqyera. Por, mund të jetë vërtet e vështirë që të kaloni nga të menduarit te të vepruarit.
Në fakt, të menduarit dhe të vepruarit shpesh duken si dy skajet e kundërta të një spektri – njëri pasiv dhe tjetri aktiv.
Mendimet janë diçka që mund t’i kemi sipas kërkesës; ndërsa veprimet janë diçka që duhet ta detyrojmë veten për t’i bërë.
Por, problemi është se të menduarit dhe të vepruarit nuk janë të kundërta – ato janë të lidhura me njëra-tjetrën. Kalimi nga të menduarit te të vepruarit nuk ka të bëjë me zgjedhjen midis njërës ose tjetrës, por me integrimin e të dy hapave së bashku për të arritur një qëllim në mënyrë efektive.
Të menduarit është një pjesë integrale e çdo procesi, por nuk është gjithmonë pjesa më e dobishme. Nëse keni nevojë për një ndryshim në jetën tuaj, të menduarit në vetvete nuk do t’jua mundësojë këtë ndryshim. Ju duhet të kaloni nga mendimet te veprimet.
Të menduarit është hapi i parë në çdo gjë që doni të arrini. Të vepruarit, nga ana tjetër, ju mundëson që ta arrini atë.
Kur përpiqeni të bëni diçka, kalimi nga të menduarit te të vepruarit ju ndihmon jashtëzakonisht shumë.
Kjo thyen të gjitha bllokimet e mendjes që mund t’ju pengojnë të jeni produktiv. Nëse diçka është e rëndësishme për ju, do të gjeni një mënyrë – jo një justifikim – për ta bërë atë të ndodhë.
“Veprimi shpreh përparësitë”, ka thënë Mahatma Gandhi.
Kalimi nga të menduarit te të vepruarit mund të duket i frikshëm, sepse jemi mësuar tashmë me zakonet e vjetra të rehatshme. Nëse shpesh ndiheni të bllokuar ose nuk jeni të sigurt se çfarë të bëni më pas, përqendrohuni te veprimet e vogla. Ato kanë rëndësi për përparimin tuaj.
Ky kalim kërkon guxim, por në fund ia vlen. Kur tundoheni të mendoni shumë, kujtoni atë që tha David Joseph Schwartz, “Veprimi shëron frikën. Pavendosmëria dhe shtyrja e gjërave e nxisin frikën.”/Hive