Shteti shqiptar marrëveshjet kryesore me tre shtete kryesore, dokumentet dhe kriteret për pacientët
Prej rreth dy muajsh pacientët shqiptar me probleme të rënda, me sëmundje të vështira, diagnoza të cilat nuk mund të trajtohen në shqipëri janë në pritje të zgjidhjes së problemet në spitalet jashtë vendit. Me nisjen e vitit të ri kalendarik, nisin edhe aplikimet për tu trajtuar jashtë, për të kryer operacione apo për të bërë ekzaminime për të cilat spitalet në vendin tonë nuk kanë infrastrukturë apo nuk mund të përgjigjen.
Marrëveshjet kryesore që shteti shqiptar ka sot janë kryesisht me tre shtete kryesore: Turqia, Greqia dhe Italia.
Më pas në sajë të bashkëpunimeve apo për raste specifike ministria shqiptare e shëndetësisë komunikon me homologë të tjerë në Europë e më gjerë. Nga kjo jave pacientët me probleme të rënda, të cilëve mjekët dhe komisionet mjekësore u kanë këshilluar të drejtohen në spitalet jashtë vendit, bashkë me dokumentet dhe të gjitha analizat dhe kartelën mjekësore duhet të bëjnë gati procedurat për të aplikuar deri në marrjen e një përgjigje nga spitali i huaj. Nga nisja e aplikimit për tu trajtuar në një nga spitalet e huaja e deri në marrjen e përgjigjes duhen nga dy javë deri në një muaj.
Pasi zyra e marrëdhënieve me jashtë të kënë dërguar epikrizën dhe të dhënat kryesore të pacientit, presin përgjigje nëse ky rast mund të merret nga spitali i huaj, mund të trajtohet dhe cilat janë kërkesat dhe kushtet më pas për tu ndjekur në vendin e qëndrimit, në shqipëri.
Dokumentet dhe kriteret
Trajtimi është falas, ndërkohë që sipas rregullit, pacienti duhet të marrë përsipër pagesën e faturës për transportin, udhëtimin me avion si dhe të ketë një shoqërues gjatë gjithë kohës. Po ashtu edhe shpenzimet e udhëtimit për shoqëruesin duhet të paguhen nga vetë i sëmuri privatisht.
Për të aplikuar dhe për të marrë parasysh kërkesën e pacientëve, Ministria e Shëndetësisë kërkon si pjesë të procedurës epikrizë nga qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, si dhe vendim të komisionit nga QSUT. Vetëm pas paraqitjes së këtyre dy dokumenteve që vërtetojnë që pacienti nuk mund të kurohet në Shqipëri, atëherë bëhet përfshirja në këto marrëveshje bashkëpunimi dhe nisin procedurat e aplikimit për tu dërguar në spitalet jashtë vendit .
Pavarësisht marrëveshjes, spitalet pasi kanë marrë dokumentacionin, mund të kthejnë përgjigje negative apo pozitive në varësi të mundësive që ofrohen. Përgjigjet për pacientët vonojnë nga dy deri në katër javë. Zakonisht, rastet që kanë marrë përgjigjet negative janë ato të leucemisë, transplantimit të veshkave, transplantimit të mëlçisë, transplantimit të kornesë dhe ndonjë diagnozë tjetër që kërkon trajtim të zgjatur, ndërsa rastet e tjera janë trajtuar në kuadër të këtyre marrëveshjeve, pavarësisht kostove apo vështirësive të tjera.
Marrëveshjet
Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Turqisë në fushën e shëndetësisë, ku ndër të tjera parashikon edhe kurimin e mbi 100 pacientëve shqiptarë falas nga spitalet turke. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje për vite me radhë janë kuruar në spitalet turke qindra pacientë shqiptarë të cilët kishin nevojë për mjekim të specializuar.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Shëndetësisë në Greqi në fushën e shëndetësisë, ku ndër të tjera parashikohen edhe kurimi i pacientëve shqiptarë falas në spitalet greke. Ministria e Shëndetësisë ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e shëndetësisë edhe me spitalin pediatrik “Bambino Gesu”, në Romë ku në vit parashikohet kurimi i pesë pacientëve shqiptarë në moshë të mitur. Rastet e trajtuara në këtë spital kanë qenë me leucemi akute dhe përfituesit kanë qenë kryesisht pacientë të moshave pediatrike.
Vendet
Kryesisht shteti shqiptar ka marrëveshje në fushën e shëndetësisë për trajtimin e pacientëve shqiptar me Turqinë, Greqinë dhe Italinë
Aplikimi
Mund të aplikojnë për tu trajtuar jashtë ata pacientë që kanë marrë edhe miratimin e komisionit të mjekëve për tu drejtuar në një vend më të specializuar
Përgjgijet
Për të gjithë pacientët përgjigjet vonojnë nga dy javë deri në një muaj nga momenti i aplikimit. Janë mjekët e huaj ata që miratojnë ose jo dërgimin e të sëmurit
Lorina Mixha
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.