Flet Stephanie Sieg-Farka, Drejtore e Përgjithshme e “Tirana Business Park”
“Tirana Bussines Park”, një biznes gjerman që zotërohet nga “Lindner Group” po zhvillon në zonën e Rinasit një projekt hotelerie me vlerë 15 milionë euro. Diversifikimi drejt këtij sektori erdhi falë ndryshimeve në planin e zhvillimit për “Tirana Bussines Park” nga “Lindjer Group”, ku koncepti i ri do të krijojë një qytet brenda qytetit.
Stephanie Sieg-Farka, Drejtore e Përgjithshme e “Tirana Business Park” shprehet se hoteli me 5 yje pritet të përfundojë në pranverë të vitit të ardhshëm dhe “MK. Hotel Tirana” do të menaxhohet nga vetë zinxhiri i hotelerisë, pjesë e grupit gjerman “Lindner”.
Qëllimi ynë ishte që të hapnim dyert e “MK Hotel” në vitin 2020. Për shkak të situatës dhe bllokimit që solli COVID-19 në sigurimin e disa materialeve jashtë, si për shembull pjesa e fasadës që prodhohet nga kompania jonë e fasadave në Bullgari, na u desh të riskedulonim datën e hapjes. Për momentin jemi në fazën e rregullimeve të brendshme dhe po ecim mirë. E parashikojmë përfundimin e tij në pranverën e vitit 2021.
A mund të kemi disa detaje sa i takon këtij projekti lidhur me vlerën e investimit, kapacitetin e akomodimit apo targetin e hotelit?
“MK hotels” është një qasje shërbimi modern, që udhëhiqet nga një ekip pasionant. Jemi pjesë e familjes “Lindner Group” nga Arnstorf. Ishin aktivitetet e ndërtimit të grupit që nxitën idenë e “MK Holel”: me qëllimin e ofrimit të dhomave me cilësi të lartë në zona qendrore për udhëtimet e biznesit të punonjësve tanë. Ndaj jemi shumë të lumtur që ky plan është zhvilluar në një ofertë tërheqëse për mysafirë nga e gjithë bota.
Emri MK qëndron për Mariakirchen. Në Gjermani, ngjitur me kështjellën Schloss Mariakirchen në Bavarinë e Poshtme u hap i pari hotel, “Schlossparkhotel”, dhe birraria jonë e parë, “Schlossbräu:.
“MK. Hotel Tirana” do të jetë një hotel me 5 yje që do të kalojë në vlerësimin e qeverisë shqiptare. Investimi në këtë projekt është rreth 15 milionë euro, me investitor “Tirana Bussines Park”, nën grupin gjerman “Lindner”. Investimi përfshin një hotel me 5 yje, një pishinë, restorant, bar, një parking, zonë të gjelbër, argëtimi dhe zonën e zgarës.
Hoteli ka një total prej 80 dhomash, duke përfshirë dhoma standarde dyshe, dhoma delux, dhoma familjare, dhoma për persona me aftësi të kufizuar apo dhoma që merren për afat të gjatë. Disa nga lehtësitë e veçanta përfshijnë restorantin me të paktën 200 vende, një zonë të dedikuar për mëngjesin me 120 vende, një zonë fitnesi dhe pishine, zonë për aktivitet dhe argëtim si dhe birrarinë. Për fat të keq, për shkak të COVID-19 ne presim që ta hapim hotelin në pranverë të 2021. Zhvillimi i “Tirana Bussines Park” nuk do të ndalet këtu. Jemi duke parashikuar së shpejti shpalljen e projektit të ardhshëm që tashmë është në fazën e konceptimit.
Cila është pika e fortë e zinxhirit “MK Hotel” dhe standardi që do të sjellë në Shqipëri?
Falë vendndodhjes brenda “Tirana Bussines Park”, hoteli është afër me aeroportin “Nënë Tereza”. Është i projektuar për udhëtimet e biznesit dhe personat nga e gjithë bota në kërkim të një “shtëpie”. Motoja e hoteleve është që të përjetohet përvoja e “si të qenët në shtëpi” kudo ku je.
Në mënyrë të ngjashme, hoteli do të jetë mikpritës edhe për familjet. Ato që shpresojnë të largohen nga zhurma dhe ritmi i shpejtë i qendrës së qytetit dhe të shijojnë një zgarë me fëmijët pranë pishinës, gjelbërimit dhe ajrin e pastër. Po kështu do të mirëpresë edhe shumë evente biznesi dhe familjare.
A shihni potencial në sektorin e akomodimit duke qenë se “Lindner” po zgjeron portofolin e investimeve, pikërisht në këtë sektor?
Duke patur parasysh nevojat e tregut, Grupi “Lindner” vendosi të investojë dhe ndryshojë në tërësi planin për “Tirana Bussines Park”. Koncepti i ri do të krijojë një qytet brenda qytetit, që do të thotë investime në strehim (shtëpi), zbavitje, edukim dhe peizazh. Meqë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është pika më e afërt e hyrjes së turistëve të huaj në Shqipëri, vendosëm të ndërtojmë një hotel me markën tonë mk |. Hotel.
Duke qenë se qeveria shqiptare po fokusohet në turizëm, përfshirë shërbimin e akomodimit, ne si “Tirana Bussines Park” kemi vendosur të investojmë në ndërtimin e një hoteli me 5 yje, bashkë me zyrat tona qendrore. Ndërtimi i hotelit do të kompletohet nga kompania jonë e ndërtimit “Lindner Albania” me investitor “Tirana Bussines Park” dhe do të operohet nga ekipi menaxhues i mk. Hotel.
Disa marka të njohura ndërkombëtare kanë njoftuar hyrjen e tyre në Shqipëri si “Marriott”, ACCOR, “Hyatt” apo “Hilton” që u hap rreth dy vite më parë. A mendoni se hyrja e kaq shumë markave në të njëjtën kohë mund të ketë një efekt bumerang duke rezultuar me një mbiinvestim në sektor?
Siç e thashë edhe më parë, mk | hotel Tirana do t’i shërbejë më së shumti atyre që duan një vend afër me aeroportin dhe të shpëtojnë nga zhurma e qytetit në një zonë më të gjelbër dhe më të qetë. Tirana ka nevojë që të zgjerohet, ndaj ne duam ta bëjmë sloganin tonë realitet, duke krijuar një qytet brenda qytetit.
Shpresojmë që tani, me investimet dhe fokusin e qeverisë në infrastrukturë, Tirana të shohë ndryshimin dhe zonat përreth saj të përfitojnë nga kjo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.