Prodhimi i mobilieve është një nga sektorët më informalë në vend. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT mbi statistikat e ndërmarrjeve, operonin në vend 1000 të tilla, ndërsa aktorët e tregut thonë se numri i tyre është të paktën tre herë më i lartë. Sa potencial ka ky sektor për t’u zgjeruar në tregjet europiane dhe rajonale. Kriza politike po step blerjet e konsumatorëve…
Nga Ledina Loga
Për sektorin e mobilierive, informaliteti mbetet problemi kryesor, edhe pse kanë disa në listën e tyre të “shqetësimeve”. Sami Hoxha operon prej vitesh në zonën e Durrësit, ku ka një punishte zdrukthëtarie. Ai thotë se shumë pranë tij operojnë dhe një duzinë me marangozë të tjerë, të cilët janë të paregjistruar dhe nuk paguajnë taksa. Puna në të zezë, që iu mundëson kosto më të ulëta operative, i bën që të dalin me çmime më të lira, duke prishur tregun dhe duke vështirësuar punën për punishtet e licencuara.
Ai është një nga 886 njësitë prodhuese të mobilieve që operojnë në Shqipëri, sikurse raportoi dhe INSTAT në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve. Ky ishte viti i tretë radhazi me rënie i numrit të bizneseve që operojnë në këtë sektor. Ndërsa 2015-a do të shënonte vitin me numrin më të lartë të bizneseve dhe jo rastësisht. Numri i bizneseve në prodhimin e mobilierive kërceu në 957, nga 836 që ishin një vit më parë, me një rritje prej gati 15%. 2015 përkon me vitin e aksionit anti-informalitet, ku shumë biznese që punonin në të zezë u detyruan që të regjistroheshin. Mirëpo koha dhe konkurrenca e ashpër do t’i nxirrte shpejt nga tregu, sikurse tregojnë dhe të dhënat e INSTAT.
Megjithatë, krahasuar me vite më parë, situata me informalitetin është disi më e zbutur. Ilir Linza, administrator i kompanisë së prodhimit të mobilieve FPM, të cilat tregtohen në Shqipëri nën logon Bestseller, thotë për “Monitor” se situata ka qenë më e vështirë në vitin 2001, kur ai nisi të operojë dhe pjesën më të madhe të prodhimit e kishte destinuar për tregun vendas.
Situata mbetet shqetësuese. Sipas burimeve të tij nga tregu, kryesisht nga furnitorët që tregtojnë lëndë të para për sektorin, vetëm në Tiranë operojnë mbi 3000 mobilierë.
Emigracioni po kthehet në sfidë për të gjetur punëtorë
Sezoni i pranverës dhe verës shoqërohet në përgjithësi me flukse të larta pune në zdrukthëtarinë e Sami Hoxhës. Ndonjëherë është i detyruar që për të ruajtur ritmin e punës dhe që të mbarojë në kohë porositë, të punësojë punëtorë sezonalë. Mirëpo, sipas zotit Hoxha, të gjesh punëtorë në ditët e sotme po kthehet në një sfidë të vërtetë. Një prej punëtorëve kryesorë të repartit e njoftoi vetëm një ditë përpara se ai nuk do të vinte më në punë. Arsyeja ishte sepse do të emigronte me shpresën për të lidhur kontratë pune në Itali. Ky ishte i disati punëtor që largohet për të njëjtën arsye.
Hoxha shpjegon se e ka shumë të vështirë që të gjejë staf të kualifikuar që njohin zanatin e marangozit. Shpesh, atij i duhet që të punësojë, më pas të trajnojë dhe kur ai bëhet i aftë, largohet, ndërkohë që ka investuar për të pasur një punëtor të kualifikuar. Për më tepër, Hoxha thotë se të rinjtë janë të dekurajuar për të punuar. “Mbase është edhe paga e ulët, por aq janë mundësitë për t’u paguar, pasi fitimet në këtë sektor janë të ulëta dhe kostot të larta”,- shpjegon ai.
Peshku i madh vs. peshku i vogël, përfshirja në TVSH vë në vështirësi të vegjlit
Operatorët në treg pohojnë për “Monitor” se shumë prej bizneseve të mëdha që marrin furnizimet, lëshojnë fatura tatimore me vlerë më të vogël se realja. Për këtë arsye, ata e kanë shumë të vështirë që të shkarkojnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Një pjesë e tyre janë përfshirë në skemën e TVSH-së me ndryshimin e pragut të xhiros vjetore nga 5 milionë lekë në 2 milionë. Ata thonë se, nëse furnitorët do të bënin të gjitha shitjet me faturë tatimore të rregullt, do të ishte edhe më e vështirë për të licencuarit që të operonin në treg.
Turizmi po i jep shtysë sektorit
Sektori i hotelerisë dhe turizmit ka qenë një nga faktorët që ka nxitur sektorin e prodhimit të mobilierive në vend. Kërkesa pritet në rritje nga operatorët edhe për vitet në vijim. Sipas të dhënave të INSTAT, vetëm gjatë tremujorit të parë, sipërfaqja e lejeve të dhëna për hotele është 15-fishuar. Duke qenë se hotelet kërkojnë kryesisht mobilie me porosi, operojnë me prodhuesit vendas. Sami Hoxha thotë se kryesisht po punon me hotele në zonën e Durrësit, ndërsa më parë ka punuar edhe me bujtinat në Korçë. “Në Durrës po punoj kryesisht me hotelet që kanë lidhur kontrata me agjencitë e huaja dhe kanë të rezervuar me kapacitet të plotë dhomat për turistët e huaj deri në fund të gushtit”,- tha ai.
Kërkesa në rritje, importet në zgjerim
Klaudia, menaxhere nga kompania Shaga, një nga më të mëdhatë në vend, u shpreh se kërkesa për mobilie është rritur në vitet e fundit. Tashmë kanë arritur të konsolidohen në tregun vendas dhe po përpiqen që të depërtojnë dhe jashtë. Sipas aktorëve të tregut, së fundmi po vihet re se kërkesa po stepet, e lidhur me krizën politike. Ilir Linza nga Bestseller, tha se kriza ndikon te kërkesa e njerëzve për të blerë. Edhe menaxherja e shitjeve e kompanisë Roal shprehet se kanë vënë re një tkurrje të shitjeve, e cila vjen nga mungesa e parasë në qarkullim.
“Njerëzit kanë më pak para në duar, por edhe kur kanë, priren që t’i kursejnë”, – tha ajo për “Monitor”. Për sa u përket importeve, ato janë rritur vazhdimisht që prej 2013-s. Vetëm gjatë 2018-s, vlera e mobilieve të importuara kapi shifrën e 7.7 miliardë lekëve, apo 61 milionë euro, me një rritje prej 4% me bazë vjetore. Ndërsa që prej 2013-s, importet janë zgjeruar me 56%. Zgjerimi ka qenë edhe më i lartë, duke marrë në konsideratë edhe nënçmimin e euros. Mobiliet e importuara nga vendet e BE-së, për shkak të nënçmimit të euros janë bërë edhe më të lira.
Partnerët kryesorë, ku importohen pjesa më e madhe e mobilieve në Shqipëri janë Italia, Kina dhe Turqia. Italia përgjigjet për 30% të peshës së totalit të importeve, me një vlerë prej 2.3 miliardë lekësh, e ndjekur ngushtë nga Kina me 28% të totalit, me një vlerë importi prej 2.2 miliardë lekësh. Të dy këto vende zinin peshën kryesore të importeve në Shqipëri gjatë 2018-s.
Importet nga Turqia kanë një peshë më modeste në totalin e importeve në vend, ku sipas INSTAT, importet nga ky vend ishin mbi 1 miliard lekë, apo 13% e totalit. Më pas, pesha e importeve ndahet midis Greqisë, 5% të totalit, Spanjë dhe Poloni me 3% të totalit, Holanda, Gjermania, Serbia dhe Kosova me vetëm 2%.
Eksportet, me rritje dyshifrore
Eksportet e mobilieve shënuan rritje dyshifrore gjatë 2018-s. Të dhënat e INSTAT treguan se, në raport me një vit më parë, eksportet shënuan rritje me 12%, ndonëse nuk qenë të favorizuara nga zhvlerësimi i euros. Sipas të dhënave të INSTAT mbi eksportet e kapitullit ‘Mobilieritë, krevate, dyshekë, llamba dhe pajisjet e ndriçimit etj.’, u eksportuan 4.3 miliardë lekë, nga 3.8 miliardë që ishin një vit më parë. Që prej 2013-s, eksportet shqiptare të këtij kapitulli janë rritur me 85%. Tre destinacionet kryesore ku eksportohen mobiliet shqiptare janë Italia, Kosova dhe Rumania. Eksportet në drejtim të Italisë zinin rreth 43% të totalit për vitin 2018.
Eksportet e mobilierive nga Shqipëria kanë njohur zgjerim edhe në tregun e Kosovës. Së fundmi kjo po nxitet edhe nga taksa që është vendosur për produktet serbe. Në krahasim me viti 2017, eksportet e këtij grupi shënuan rritje me 40%. Në 2018-n, vlera e eksporteve në Kosovë ishte 695 milionë lekë, apo rreth 16% e totalit. Vendi i tretë ka qenë Rumania, me një peshë prej 11% dhe me vlerë 471 milionë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.