Sektori i luksit, modës, aksesorëve, parfumeve, veshjeve sportive po investon gjithnjë e më shumë në komunikim. Sipas të dhënave të grumbulluara nga “Pambianco”,
agjenci e specializuar në strategjitë e menaxhimit në Itali, në vitin 2011, kjo industri shpenzoi për reklama te botimet e përditshme, revistat, të përjavshmet e ato mujore rreth 702.9 milionë euro ose rreth 9,7% më shumë se në vitin 2010.
Ndërsa sektori i reklamimit është në krizë, ai i modës vazhdon të rritet. Reklamuesi më i madh për vitin 2011 rezultoi të ishte “Prada” që ka shpenzuar për komunikim rreth 19,96 milionë euro, rreth 84% më shumë se në vitin 2010.
“Prada”, vitin e kaluar ndërmori investime edhe në bursën e Hong-Kongut, duke regjistruar një rekord më vete. Shoqëria e drejtuar nga Patrizio Bertelli e mbështeti këtë investim edhe nëpërmjet komunikimit,
duke e mbyllur vitin ushtrimor me fitime në rritje me 72%.
Në vendin e dytë renditet një markë italiane e ashtuquajtur
“life style”, “Peuterey” (me 9,8 milionë euro shpenzime në komunikim), por që nga ana tjetër uli me 14% investimet në krahasim me vitin 2010.
Medalja e bronzit i përket markës “LiuJo”, me 8.9 milionë euro investime në komunikim, ose rreth 47% më shumë se një vit më parë.
Ndër markat e huaja që ka investuar më shumë në Itali për publicitetin, është “Chanel” me 8.1 milionë euro (40% më shumë), duke lënë pas “Gucci-n” (që mban vendin e shtatë me 7.6 milionë euro shpenzime komunikimi),
një markë italiane me pronësi franceze.
Nëse do të mblidhen shumat që i përkasin markave të të njëjtit grup, atëherë klasifikimi do të ndryshonte.
“Prada” së bashku me “Miu Miu” janë në krye të klasifikimit për shpenzimet e bëra për komunikim me 26,9 milionë euro, ndiqen nga grupi “Lvmh” (“Louis Vuitton”, “Dior”, “Bulgari” e “Fendi”) me 20.9 milionë euro.
Në vend të tretë renditet Diedo Della Valle, president i grupit “Tod’s e Hogan” (13 milionë euro) dhe në vend të katërt është Giorgio Armani (10.2 milionë euro) me koleksionin e parë “Emporio”.
Në fund renditet “Ferragamo”, që vitin e kaluar hyri në bursë dhe rriti ndjeshëm investimet në publicitet.
Në vitin 2011, grupi i drejtuar nga Michele Norsa shpenzoi hapësirë publicitare në median italiane 4.9 milionë euro ose rreth 106.8% më shumë se në vitin 2010), duke u renditur në vendin e 22-të të klasifikimit të bërë nga agjencia “Pambianco”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.