Dojaka i Natyral, modeli i suksesit në blegtori, ja “receta”
Kur vendosi të zhvillojë një fermë blegtorale me gjedhë, Artur Dojaka, i cili tregton prodhimet e bulmetit Natyral, zotëronte njohuri të thelluara në sektorin e blegtorisë. Me një trashëgimi të pasur nga familja me tradita në bujqësi dhe blegtori, ai kishte fituar përvojë të çmuar nga puna vullnetare në komunitetet bujqësore (Kibbutz) në Izrael.
Me profesion ekonomist dhe me një pasion që trashëgoi për bujqësinë, ai nisi aktivitetin për krijimin e një ferme blegtorale në Ndroq, një fshat në rrethinat e Tiranës, ku ngriti edhe një fabrikë për prodhimin e vajit të ullirit. Edhe pse politikat në Shqipëri nuk janë favorizuese për bujqësinë, zoti Dojaka duket se ka arritur të krijojë një biznes të suksesshëm, edhe pse investimet e tij pothuajse u shuan nga përmbytja e vitit 2016.
Deri më tani, ai nuk ka marrë asnjë mbështetje institucionale, as për dëmin e krijuar nga përmbytjet dhe as ndonjë subvencion. Dojaka shpjegon se, prodhimi organik me cilësi të lartë ishte çelësi i suksesit. Ashtu si në vendet e zhvilluara, edhe në Shqipëri interesi për ushqime të shëndetshme është në rritje. Ndaj për prodhimet Natyral, kërkesa do të jetë në një trend afatgjatë rritës, pohon ai. Targeti i tij i tregut është Tirana dhe ai segment i shoqërisë që ka mundësitë dhe vlerëson ushqimin e shëndetshëm. Shitjet janë rritur me mbi 25%, shprehet sipërmarrësi, i cili këshillon se suksesi i investimeve në bujqësi kërkon përgatitje profesionale dhe menaxheriale të larta. Nuk mundet që blegtori të ketë sukses nëse mendon se investimet e tij do të kthehen në pak vite dhe nëse nuk ka pasionin e duhur për këtë lloj biznesi.
Edhe pas 18 vitesh aktivitet me vështirësi, zoti Dojaka ende e do fort punën që bën dhe pret një perspektivë më inkurajuese, edhe pse më 2016 përmbytjet i krijuan 4 milionë euro dëme në gjedhë dhe në fabrika. Ai tha se në stadin e zhvillimit aktual, bizneset në bujqësi dhe blegtori kanë kosto të lartë, për shkak të mungesës së zinxhirit, ku baza ushqimore është e shtrenjtë, mekanika, gjenetika etj. Të gjitha këto rrisin kostot e prodhimeve, të cilat mund të konkurrojnë në tregje vetëm duke ruajtur standarde dhe cilësi të lartë, shprehet ai.
Mirëpo Dojaka tha se bujqësia aktualisht është si një shtëpi pa çati, pasi institucionet shtetërore ende nuk kanë gjetur rrugën e duhur për të krijuar një model të suksesshëm. Politikat duhet të funksionojnë në sistem, që i gjithë sektori të zhvillohet. Ai tha se për të nxitur ekonominë e shkallës, duhet që bujqësia të organizohet në modelin e kooperativave bujqësore.
Mandreu: Realizova ciklin e mbyllur, por dështova
Ferma Flori sh.p.k. në zonën e Lezhës është duke kaluar të njëjtat vështirësi si të gjitha fermat e tjera blegtorale në vend. Por ndryshe nga shumë ferma të tjera, Florin Mandreu, kishte ndërtuar ciklin e mbyllur në aktivitet, pasi zotëronte sipërfaqe të mëdha toke për kullotat dhe kishte mundur të investonte edhe në një fabrikë për përpunimin e qumështit dhe paketimin e djathit. Ferma nisi aktivitetin në vitin 2016 dhe kur prodhimet e fermës Flori dolën në treg u konkurruan nga produktet me çmime të ulëta të tregut të zi.
Ai tha se, në tregjet e Lezhës, një kilogram djathë kushton vetëm 3000 lekë, por nëse respektohen standardet e cilësisë dhe prodhimit, kjo është e pamundur. Fuqia e blerëse në Shqipëri dhe sidomos në rrethe, është shumë e ulët ndaj prodhimet me standard që kanë çmime më të larta se tregu i zi. nuk shiten. Të gjendur para kësaj situate, drejtuesit e fermës Flori vitin e kaluar mbyllën fabrikën e përpunimit të bulmetit. Tani qumështin e shesin te përpunuesit e mëdhenj dhe pohojnë se të ardhurat nga aktiviteti i mbarështimit të lopëve nuk i justifikojnë investimet e bëra në fermë, duke lënë të kuptohet se aktiviteti është me humbje.
Flori thotë se biznesi blegtoral në të gjithë vendet e zhvilluara, por edhe në rajon, që kanë pak a shumë kushte të njëjta zhvillimi me Shqipërisë, sektori subvencionohet se ndryshe nuk ka fizibilitet. Mirëpo institucionet tona, sipas tij, nuk janë duke bërë as disa detyra më të thjeshta. Mospastrimi i kanaleve të kullimit është bërë shkak që kullotat e fermës Flori të përmbyten disa herë. Dëme për shkak të përmbytjeve nga bllokimi i kanaleve të kullimit kanë pësuar edhe qindra ferma të tjera në vend gjatë vitit të fundit. Flori shprehet se edhe blegtorët e tjerë janë në të njëjtat vështirësi. “Imagjino që edhe unë që ndërtova ciklin e mbyllur nuk ia dola, çfarë problemesh mund të kenë të tjerët”, përfundoi ai.
Ferma Koçi: Në dimër jam me humbje, në verë zero-zero
Emërim Koçi zotëron një tufë me 150 dhi në Selitë mal në afërsi të Tiranës. Ka vetëm katër vite që ka investuar në një fermë blegtorale me 300 kokë dele, por pas dy vitesh me vështirësi dhe humbje, ai vendosi ta shndërrojë në fermë dhish. Tani mbarështon 15 të tilla dhe është në kërkim të një blerësi të bagëtisë.
“Nuk ka aspak leverdi. E kam të bazuar aktivitetin në mbarështim në natyrë, më së shumti dhe vetëm dimrit i ushqej në stallë. Në dimër kam humbje të mëdha, pasi baza ushqimore kushton, ndërsa në periudhën e verës jam zero-zero. Zoti Koçi e ka të regjistruar fermën e tij modeste në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe paguan taksa rregullisht. Tani në pranverë, për shkak të furnizimit të bollshëm nga ekonomitë familjare, çmimi i bulmetit dhe mishit është në nivele më të ulëta.
“Shpesh më duhet të shes nën kosto, thotë Emërimi. Një kilogram kec e shes tek tregtarët me vetëm 350 lekë, teksa çmimet e bulmetrave janë përtokë”. Koçi thotë se mbijetesa pa subvencione është e vështirë. Sektori i prodhimit ushqimor subvencionohet në të gjithë botën, sidomos blegtoria, tha ai, ndaj nëse shteti nuk na mbështet financiarisht jemi të destinuar të falimentojnë. “Pak kohë më parë, një miku im në Lundër e mbyllim fermën me mbi 800 krerë, pasi pësoi humbje të mëdha. Në këtë rrugë jemi të gjithë”, përfundoi ai.
Bedri Dema: Jam me humbje, dua ta shes, por nuk ka blerës
Bedri Dema, zotërues i një ferme në zonën e Kasharit në Tiranë, thotë se investimet në fermat blegtorale në kushtet sot në Shqipëri nuk ia vlejnë. “Aktualisht, mbarështoj rreth 500 lopë. Para se të bëja kompleksin, kam vizituar shumë ferma në Europë për të parë fizibilitetin e këtij biznesi. Jam me profesion agronom dhe pasioni im janë fermat, shtoi ai. Në kërkimet që bëra, fitimet e fermave të lopëve në Europë ishin rreth 1500-1600 euro për kokë. Në llogaritë e mia mendova të fitoja së paku 500 euro për kohë dhe do të isha në rregull. Kështu e nisa aktivitetin dhe nga viti në vit, në vend të fitimeve kam vetëm humbje. Çmimet e imputeve bujqësore janë të shtrenjta dhe copëzimi i tokës me Ligjin 7501 e bën të shtrenjtë bazën ushqimore.
Për shkak të situatës në të cilën gjendemi, unë dhe kolegët e mi jemi në një dilemë të madhe për vijimësinë e aktivitetit. Na vjen keq për investimet, po sa për bagëtitë hajde se i therim dhe i shesim për mish”, shprehet zoti Dema i cili po përjeton humbje të mëdha nga aktiviteti në mbarështimin e lopëve. Është një biznes me shumë sakrifica, duhet të jesh çdo moment i përkushtuar. Qoftë dhe një ditë jashtë vëmendjes, kafshët nuk e marrin veten edhe për një javë dhe humbin rendimentin. Nëse qeveria nuk e ndryshon politikën e subvencioneve dhe vizionin për zhvillimin e blegtorisë jam i bindur se si edhe gjithë kolegët e mi në sektor, do të mbyllim aktivitetin. Edhe Serbia, as në kohën e luftës, nuk e ka ndaluar mbështetjen financiare për bujqësinë dhe blegtorinë.
Halit Osmani: E mbylla, kisha 160 mijë euro humbje në vit
Halit Osmani, një ish-blegtor në Qarkun e Fierit, tha se e ka mbyllur fermën me 100 krerë gjedhë që vitin e kaluar. “Nuk mund të vazhdoja më. Humbjet arritën 160 mijë euro në vit”. Arsyet e humbjes lidhen me kostot e larta të aktivitetit nga mungesa e ekonomisë së shkallës dhe informaliteti i lartë në treg, pohoi ai.
Gjeta: Ferma me ecuri të mirë, për 10 vjet më kthehet investimi
Osli Gjeta, si shumë të rinj të shkolluar jashtë, ka vendosur t’i hyjë biznesit të blegtorisë tre vite më parë. Ai ka ngritur një fermë në zonën e Fushë-Krujës, me rreth 800 dhi të racës siriane. Gjeta thotë se deri tani, të ardhurat po justifikojnë investimin dhe për 10 vjet, vlera e investuar pritet të shlyhet tërësisht.
Ai tha se biznesi i tij ka një zgjerim vertikal, ku shumë prej çështjeve që lidhen me funksionimin e zinxhirit të furnizimit i ka zgjidhur para se ferma të vihej në punë. Gjeta është optimist për biznesin dhe në fillim ka bërë një plan biznesi të saktë që, në tre vitet e para duket se ka ecur sipas parashikimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.