Intervistë me Elvin Mekën, dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës
Elvin Meka, dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Europian të Tiranës, mendon se modeli ekonomik i Shqipërisë nuk po jep shenja të ndryshimeve rrënjësore.
Ai thotë se politikat e deritanishme ekonomike kanë tentuar kryesisht përfitime afatshkurtra, shpesh duke ndjekur një qasje politike pragmatiste, duke u përshtatur me rrethanat. Zoti Meka sugjeron që sektorët, të cilët mund të ofrojnë avantazhe konkurruese, janë bujqësia në të gjithë zinxhirin e vlerës, industria automotive, por edhe shërbimet financiare me vlerë të shtuar dhe financa e lartë.
Vëreni shenja të ndryshimeve të modelit ekonomik, në këndvështrimin e kontributit të sektorëve të ndryshëm në PBB?
Në parantezë duhet thënë se, Shqipëria po vijon të ndjekë thuajse të njëjtën rrugë të “kapitalizmit” që “zgjodhi” (më saktë duhet thënë e “orientuan” të zgjedhë) tri dekada më parë, kryesisht atë të kapitalizmit klasik dhe liberal. Pas një rrugëtimi të tillë të gjatë, në të cilin janë realizuar reforma të shumta e të dhimbshme sociale dhe ekonomike, disa të suksesshme, por shumë prej tyre të pasuksesshme, Shqipëria dhe ekonomia kombëtare ka arritur në një moment kritik ku është bërë i domosdoshëm jo thjesht reflektimi, por ndërmarrja e hapave konkretë, për një qasje dhe narrativë të re, drejt një modelimi të ri të ekonomisë.
Për fat të keq, me lëvizje të vogla, vërehet se ekonomia po vijon të ecë në të njëjtat shina ku ka ecur të paktën në dy dekadat e fundit, e ku shërbimet vijojnë të zënë pjesën e luanit në kontributin e tyre në PBB. Në thelb nuk kemi ndryshuar ndonjë gjë të rëndësishme, me gjithë lëvizjet sporadike në industri dhe bujqësi, por nuk kanë arritur të krijojnë moment të rëndësishëm për ndryshim të dukshëm në këtë drejtim.
Mendoni se politikat e deritanishme ekonomike kanë mbështetur një ndryshim të modelit ekonomik të vendit?
Siç u përmend dhe pak më parë, rezultati dhe realiteti i sotëm që shikojmë në praktikë është pasqyra më e mirë e efikasitetit dhe efektivitetit të këtyre politikave. Fakti është që në këto vite janë hartuar e miratuar dhjetëra politika e strategji të ndryshme, që lidhen me zhvillimin e ekonomisë. Faktet janë shumë kokëfortë dhe ndërkohë vërejmë përsëri një ekonomi që kopjon vetveten gjithë kohës dhe nuk arrin të gjenerojë jo vetëm rritje të qëndrueshme ekonomike, por dhe një nivel (ritëm) rritjeje që të mund të kontribuojë në rritjen reale dhe të prekshme të mirëqenies ekonomike.
Për të vërtetuar këtë, mjafton të vlerësohet konvergjenca në vite e të ardhurave për frymë në Shqipëri dhe raporti i PBB-së ndaj mesatareve përkatëse të BE-së (si dhe atyre të Gjermanisë, si lokomotiva e Europës). Shifrat flasin për një pozicionim konstant të këtyre raporteve dhe treguesve, në këto tri dekada. Kjo përkthehet në një paaftësi të modelit aktual ekonomik për të prodhuar një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, që të paktën do të mund të “tejkalonte” ritmin e rritjes ekonomike të BE-së.
Përtej kësaj, duhet pohuar se në Shqipëri, politikat ekonomike ndër vite janë zbatuar thuajse në mungesë totale të koherencës dhe koordinimit me njëra-tjetrën dhe që nuk kanë marrë në konsideratë aspektet themelore të zhvillimit strategjik afatgjatë të vendit dhe potencialet që ai ka, mbi të cilat mund dhe ndërtohen avantazhet krahasuese dhe konkurruese (këtu nuk ka vend të flasim për avantazhe absolute, pasi fatkeqësisht Shqipëria nuk zotëron, në asnjë aspekt, asnjë avantazh absolut).
Nga ana tjetër, politikat ekonomike të zbatuara deri më sot, në rastin më të mirë, kanë synuar përmbushjen e objektivave afatshkurtra, të lidhura me programet politike të qeverive. Ndërkohë, shpesh kanë rezultuar të papërfunduara, ose të hequra fare nga axhenda ekonomike e qeverive të ardhura rishtazi në pushtet. Për më tepër, shumë prej këtyre politikave kanë synuar përshtatje pragmatike ndaj situatës, sesa ndryshim rrënjësor dhe me efekte të forta pozitive në zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit.
Si mund të nxitet riorientimi i ekonomisë drejt sektorëve më konkurrues dhe produktivë? Cilët mund të jenë këta sektorë ose aktivitete?
Së pari, kjo kërkon hartimin e një strategjie konsensuale afatgjatë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, që përcakton sektorët dhe akset strategjike drejt të cilave do të duhet të ecë ekonomia kombëtare. Pa asnjë lloj diskutimi, çdo strategji zhvillimi duhet të synojë një riindustrializim të ekonomisë aktuale, në ato fusha dhe sektorë që kanë shanse dhe hapësira reale për zhvillim, e që sigurojnë vlerë reale të shtuar për gjithë ekonominë, e jo vetëm për një grusht sipërmarrësish.
Nga ana tjetër, modelimi i ri ekonomik i synuar duhet të sigurojë ripozicionimin optimal dhe funksional të gjashtë llojeve të kapitaleve, brenda sistemit ekonomik, që janë: kapitali i biznesit, kapitali infrastrukturor, kapitali njerëzor, kapitali social, kapitali intelektual dhe ai natyror. Deri më sot, Shqipëria ka shpërdoruar, keqpërdorur dhe neglizhuar në zhvillim një pjesë të mirë të këtyre kapitaleve, e konkretisht atë: njerëzor, social, intelektual dhe natyror.
Kjo e bën modelimin e ri ekonomik një sfidë shumë të vështirë, por jo të pamundur, gjithmonë nëse ka vullnet të qartë politik. Ajo që nevojitet është gjetja e rrugëve për të energjizuar kapitalet e sipërpërmendura, në një mënyrë të tillë që, fuqizimi i njërit prej tyre të mund të rrisë dhe të stimulojë reciprokisht të tjerët dhe anasjelltas.
Për sa u përket sektorëve dhe veprimtarive drejt të cilave mund të riorientohet ekonomia kombëtare, përveç atyre që shfrytëzojnë burimet dhe avantazhet natyrore (industria nxjerrëse, energjetika dhe e mikpritjes) mund të konsiderohen:
-sektori automotiv,
-shërbimet financiare me vlerë të shtuar (auditim dhe mbajtje kontabiliteti),
-financa e lartë dhe promovimi i kapitalit sipërmarrës (private equity/venture capital),
-bujqësia e integruar në të gjithë zinxhirin e saj të vlerës (dhe jo thjesht e subvencionuar dhe e trajtuar me lehtësi fiskale).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.