Për Ministrinë e Financave nuk ishte e lehtë të sqaronte ndryshimin radikal të ligjit “Për akcizat”, si për opozitën, ashtu dhe për grupet e interesit, të cilat kanë shprehur shumë vërejtje rreth paketës me propozime. Duke filluar nga 1 korriku, taksa do të administrohet vetëm nga dogana, përfshi edhe te prodhuesit vendas dhe kjo konsiderohet pika kryesore e dyshimit mbi kapacitetet e administratës fiskale.
Tjetër ndryshim lidhet me tarifat e larta të akcizës, të rritura, sipas propozimit të fundit, sidomos për pijet alkoolike, deri me 25 për qind. Me shqetësim shikohet edhe pjesa e parapagimit të pullave fiskale te koncesionari, si dhe vendosja e llogarisë bankare.
Debat ka pasur edhe për kufizimin e prodhimit vetjak të pijeve alkoolike, si rakisë apo vera, për qëllime të aplikimit të taksës së akcizës. Dogana është e detyruar të regjistrojë edhe kazanët e zierjes së rrushit apo produkteve të tjera, në varësi të kapacitetit.
Deklarimi dhe pagesa e taksës
Mallrat e akcizës, që kryesisht janë pijet alkoolike, duhani, karburantet, kafeja si dhe disa produkte energjetike, duhet të deklarohen si për qëllime vetjake (bagazhet e udhëtimit), ashtu dhe për ato tregtare. Deklarimi me gojë si dhe deklarimi me çdo veprim tjetër me anë të të cilit produktet e akcizës mund t’i nënshtrohen një procedure fiskale mund të bëhet, sipas kushtëzimeve në nenin 10 të ligjit (në varësi të sasive), për sendet/dërgesat personale të një natyre jo-tregtare që gjenden në bagazhet e udhëtarëve; dhe të deklaruar nga një person fizik natyror (individi), me kusht që ai të mos përdorë shërbimin e një përfaqësuesi fiskal.
Kur mallrat e deklaruara janë objekt i detyrimit të importit, ose detyrimeve të tjera, zyra doganore e lejon personin në fjalë, të përdorë deklarim të thjeshtuar sipas përcaktimeve me udhëzim të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Në qoftë se nga një kontroll i kryer rezulton se produktet e akcizës u nënshtrohen detyrimeve në import dhe nuk janë deklaruar, këto produkte konsiderohen të paligjshme.
Pagesa e akcizës për rastet e rregullta, kryhet në momentin e hedhjes në konsum të produkteve të akcizës në rastin kur detyrimi i akcizës nuk është pezulluar; në momentin e daljes së produkteve të akcizës jashtë një regjimi pezullimi të detyrimeve; dhe në momentin e prodhimit të produkteve të akcizës jashtë një regjimi pezullimi të detyrimeve.
Gjithashtu, detyrimi i pagesës lind edhe në datën kur autorizimi i depozituesit të miratuar ose autorizimi i përjashtimit nga detyrimi i akcizës pushojnë së qenuri të vlefshëm, në momentin e shitjes ose dhënies për një qëllim të caktuar nga autoritetet doganore të mallrave të akcizës të konfiskuara me përjashtim të rasteve kur ato i shiten ose i jepen depozituesve të miratuar ose përdoruesve të përjashtuar; madje edhe në rastin e hedhjes në konsum të produkteve të akcizës gjatë bashkimit të shoqërive tregtare, me përjashtim të rasteve kur blerësi është gjithashtu depozitues i miratuar ose përdorues i përjashtuar.
Pagesa e akcizës për rastet e parregullta kryhet në datën në të cilën subjekti i akcizës merr zyrtarisht njoftim mbi vendimin administrativ për evidentim të parregullsisë dhe detyrimeve përkatëse për këtë qëllim ose konsiderohet sikur ta ketë marrë atë nga autoritetet doganore. Ky detyrim lind kur hidhet në qarkullim të lirë në mënyrë të parregullt, të produkteve të akcizës, apo daljes së parregullt të produkteve të akcizës nga një regjim i pezullimit të detyrimeve.
Taksa, në varësi të produktit, paguhet edhe në rast se subjekti kapet nga strukturat pa qenë i autorizuar për këtë lloj aktiviteti, madje edhe për ato raste të konsumimit të produkteve të akcizës për qëllime vetjake brenda ambienteve të magazinës fiskale.
Në dispozitat zbatuese të ligjit për akcizat, i cili është në diskutim, janë parashikuar raste të ndryshme se kur duhet paguar taksa, pa përjashtuar edhe krijimet e humbjeve apo firove.
E drejta për rimbursim
Rimbursimi mund të kryhet në rastet kur akciza është e paguar dhe kur prodhuesi i produkteve me akcizë, ka marrë produkte të cilave i është paguar akciza më parë, dhe i ka përdorur ato për të prodhuar produkte të reja akcize.
Në mënyrë të qartë, janë parashikuar të gjitha rastet kur subjektit i lind e drejta të rimbursohet, sidomos kur:
Produktet me akcizë të paguar shkojnë në një destinacion në të cilin këto mallra janë të përjashtuara ose me një nivel taksimi të reduktuar; Mallrat me akcizë të paguar rikthehen në magazinën fiskale; Mallrat me akcizë të paguar eksportohen; Mallrat me akcizë të paguar janë përdorur për të prodhuar mallra të cilat nuk i nënshtrohen akcizës; dhe në rastet kur autorizohen procese përzierje nga të cilat përftohet një produkt, akciza e të cilit është më e ulët se e ajo e paguar për komponentët e tij.
Për rastet e rimbursimeve për të cilat nuk ka dispozita specifike rimbursimi, subjekti i paraqet një kërkesë doganës dhe brenda 10 ditësh nga marrja e kërkesës, administrata aprovon ose refuzon, duke dhënë arsyet.
Sa i takon rimbursimit në eksport, realizimi i këtij procesi ndodh nëse kërkesa dhe dokumentacioni depozitohet përpara se malli të eksportohet. Autoriteti doganor shqyrton gjithë dokumentacionin e paraqitur dhe brenda 10 ditëve nga depozitimi i deklaratës së eksportit kryen procedurën e rimbursimit.
Rastet e rimbursimit të pagesës për pullat fiskale janë parashikuar në dispozitat zbatuese të ligjit dhe kryhet kur sasia e pullave të akcizës është prishur ose kjo sasi bëhet e papërdorshme, përpara se ato të ngjiten ose gjatë procesit të ngjitjes, etj., madje edhe kur deklarimi i produkteve të akcizës për konsum bëhet pas ndryshimeve ligjore që ulin nivelin e taksimit të produktit të deklaruar, apo mbyllet aktiviteti.
Në ligj thuhet se, kërkuesi i paraqet kërkesën për rimbursim autoriteteve doganore, duke paraqitur pullat e dëmtuara me kusht që të jenë të identifikueshme se janë lëshuar për aplikuesin e kërkesës për rimbursim dhe dokumentin financiar që provon pagesën e akcizës për pullat fiskale. Kostoja e prodhimit të pullave të akcizës nuk përfiton rimbursim.
Për sektorë të veçantë të ekonomisë, si karburanti për peshkim, energji dhe sera, janë të specifikuara rastet e rimbursimit, sipas kushteve të vendosura.
Afati
Rimbursimi nuk mund të kërkohet për pagesa që janë kryer një vit nga momenti i kërkesës
Aplikimi dhe e drejta për magazinat doganore
Magazinat fiskale të prodhimit, përpunimit, mbajtjes të produkteve të akcizës në regjimin e pezullimit të detyrimeve ndahen në dy tipe: Magazina fiskale të prodhimit dhe të përpunimit dhe depozitimi/stokimi në mungesë të çdo lloj prodhimi dhe përpunimi të produkteve. Pranohen në magazinat fiskale të prodhimit dhe të përpunimit produktet e destinuara për prodhimin apo përpunimin e produkteve energjetike, produkteve të alkoolit dhe pijeve alkoolike, produkteve të duhanit, produkteve të kafesë dhe produkteve të tjera të akcizës sipas ligjit, si dhe kur përdoren si lëndë të para; por edhe pullat fiskale.
Produktet e akcizës të mbajtura me detyrime të paguara në një magazinë fiskale prodhimi apo përpunimi, magazinohen në mënyrë të dallueshme nga produkte, të cilat mbahen nën pezullim të detyrimeve.
Ndalohet futja në magazinat fiskale të prodhimit dhe të përpunimit të produkteve të akcizës të prodhuara në një tjetër magazinë fiskale prodhimi apo përpunimi, përveç rasteve kur ato përdoren si lëndë e parë.
Miratimi për hapjen dhe shfrytëzimin e një magazine fiskale bëhet nëpërmjet një autorizimi të lëshuar nga autoritetet doganore pas aplikimit të subjektit dhe i paraqitet asaj pike doganore territorialisht kompetente të vendit ku ndodhet magazina e prodhimit, përpunimit apo stokimit/depozitimit të produkteve të akcizës. Gjithashtu, paraqiten një sërë dokumentesh.
Procedura e autorizimit të magazinës fiskale i nënshtrohet një shqyrtimi dhe miratimi paraprak nga Zyra Doganore territorialisht kompetente. Për këtë qëllim ndiqen procedura të ndryshme me afate që shkojnë më shumë se një muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.