Editorial MONITOR / Tregu vendas i punës po ndien vitet e fundit mungesën e punonjësve. Problematika po raportohet pothuajse nga të gjithë sektorët dhe është e lidhur, kryesisht, me ritmet e larta të emigracionit që ka përjetuar vendi vitet e fundit.
Emigracioni ka përfshirë, në dekadën e fundit familjet, forcën e punës së arsimuar e të kualifikuar dhe sidomos të rinjtë, që ikin të shkollohen e vështirë se kanë motiv të kthehen më. Pandemia vlerësohet ta ketë thelluar më shumë këtë tendencë, për shkak të problematikave që ka krijuar në gjendjen financiare të familjeve.
Bizneset po tentojnë të plotësojnë hendekun nëpërmjet punësimit të të huajve. Rregullat për marrjen e punonjësve jo shtetas shqiptarë janë lehtësuar, ndërsa shumë sipërmarrje, tashmë po e bëjnë zëvendësimin. Disa janë të kënaqur e disa jo, por procesi, të paktën për momentin, duket i pakthyeshëm.
Në një ekonomi tregu, këto zhvillime janë normale. Emigracioni ka qenë një faktor që pas viteve ’90, ndikoi pozitivisht si në paratë që emigrantët sollën te të afërmit, ashtu dhe në kulturën e punës dhe modelet e bizneset të cilat shumë prej tyre i hapën sërish në vend. Në një treg të hapur, edhe bizneset do të tentojnë të maksimalizojnë eficiencën e tyre, qoftë edhe përmes marrjes së punonjësve të huaj, kur nuk arrijnë të gjejnë vendas.
Ajo që nuk është normale, është ritmi me të cilin po vijojnë të largohen shqiptarët. Të dhënat e Eurostat në vitet e fundit për kërkesat për azil në raport me popullsinë, tregojnë se Shqipëria renditet e dyta në botë, pas Sirisë (një vendi në konflikte të forta), me shumë diferencë nga shtetet e tjera të rajonit. Rreth 80% e kërkesave për azil, po sipas Eurostat, janë nga të rinjtë nën 34 vjeç, tregues i qartë i mungesës së perspektivës për të ardhmen.
Rrënjët e këtij problemi duhen parë në modelin ekonomik që ka prodhuar vendi në këto tre dekada tranzicioni të tejzgjatur, me sektorë me vlerë të shtuar të ulët.
Për më tepër që emigracioni i viteve të fundit, ku po ikën dhe shtresa e mesme, nuk është i lidhur ekskluzivisht me aspektin ekonomik, por edhe për shkak të pasigurisë që kanë në marrjen e shërbimeve cilësore si shëndetësi, arsim, drejtësi, rend dhe siguri.
Ndryshe nga fillimet e veta, kur emigracioni u nxit nga pothuaj një faktor i vetëm – nevoja ekonomike, emigracioni i viteve të fundit është kombinim faktorësh ekonomikë dhe të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve, që ofron shteti për banorët e tij. Është pikërisht kjo që po e mban kurbën e emigracionit pa hyrë në kahun zbritës.
Ky format i ekonomisë reflektohet dhe në nivelin e të ardhurave që krijon për qytetarët e saj. Paga mesatare është më e ulëta në Europë dhe rreth 40% më pak se në vendet e tjera të rajonit. Eurostat raportoi se paga mediane, që përfiton gjysma e forcës punëtore, nuk i kalon 302 euro në muaj. Ky nivel është shumë më i ulët se shtetet e tjera europiane, ku shumë shtetas drejtohen në kërkim të një jete më të mirë. Në kahun tjetër, çmimet janë më të lartat në rajon, për shumë produkte jetike. Për këto arsye, në shportën e mallrave të konsumit, familjeve u duhet të shpenzojnë rreth 40% të totalit për t’u ushqyer, më e larta në Europë dhe një tregues direkt i varfërisë.
Shqipëria nuk është më ajo e 30 viteve më parë. Shtetasit e saj, sidomos të rinjtë janë ambiciozë, shumica të shkolluar, kanë më shumë alternativë, jetojnë në epokën e Teknologjisë së Informacionit, në një botë të globalizuar dhe është normale që të kërkojnë më shumë nga jeta. Nëse vendi i tyre amë nuk ua jep këtë mundësi, nuk do të ngurrojnë të vazhdojnë të ikin pa e kthyer kokën pas.
Mundësitë për të ngjallur shpresën janë aty, duhet vetëm pak vullnet nga ana e politikëbërësve. Nxitja e Teknologjisë së Informacionit (duke e filluar investimin që tek arsimi), tërheqja e investimeve të huaja me vlerë të shtuar të lartë, rritja e konkurrueshmërisë në vend do të ndikonin në paga më të larta dhe do të ndihmonin në kthimin e besimit dhe ngadalësimin e hemorragjisë, e cila, nëse vijon me këto ritme, rrezikon të sjellë pasoja të rënda në të ardhmen e vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.