Si arriti Finlanda, një shtet me popullsi 5.5 milionë banorë në veriun e ftohtë të Europës të bëhej e para në botë për startup dhe nxitjen e teknologjisë dhe novacionit. Nuk është as rastësi që nxënësit e saj renditen në vendet e para në Programin për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Një model që shumë përpiqen ta kopjojnë, por anashkalojnë faktin që ajo ka një “sekret” të vogël, “Gjithçka fillon nga njeriu”.
Markus Villig është rasti tipik i një të riu, i cili e la universitetin që ndiqte në Talin të Estonisë në moshën 19-vjeçare për të ndjekur ëndrrën e tij, duke themeluar kompaninë Taxify, në industrinë e teknologjisë, pesë vjet më parë. Për të siguruar fonde për idenë e tij për krijimin e një platforme transporti për taksitë, iu desh fillimisht t’u mbushte mendjen prindërve, të cilët ishin skeptikë për huanë që i dhanë.
Ndonëse në konkurrencë me Uber, ai ia doli të krijojë platformën më të madhe të transportit në Europë, duke u renditur sot në listën e Forbes të sipërmarrësve e më të mëdhenjve të teknologjisë nën 30 vjeç. “Kam parë gjithnjë këndvështrimin konsumator”, pohon ai, duke shtuar se e ka çuar biznesin në moshën dixhitale. “Tani çdo gjë ndodh nëpërmjet aplikacioneve. Nuk ka më nevojë për call center”. Konkurrenca nuk e ka trembur, përkundrazi.
“Të kalonim përmes vështirësive ishte avantazh për ne”. Sot, Taxify është i pranishëm në 32 shtete, nga Europa (përfshirë Ballkanin, përmes Serbisë) në Afrikë e deri në Amerikën e Jugut dhe miliona pasagjerë e përdorin platformën në 60 qytete dhe synimi është për të arritur në 100. Krahas taksive, shërbimi tjetër që po përhapet me shpejtësi është ai i motorëve (skuter), me markën e re Bold. I zbatuar fillimisht në Afrikë, ai tashmë po testohet në Europë.
I riu nga Estonia, i cili sot është 24 vjeç, tregoi historinë e tij të suksesit në “Slush”, eventin më të madh botëror të startup që u zhvillua në fillim të dhjetorit në Finlandë. Eventi dyditor tërheq sipërmarrës, investitorë, përfaqësues të medias dhe ekspertë të teknologjisë nga mbarë bota. Seminare, intervista, prezantime dhe gara zhvillohen në gjashtë skena.
Eventi nisi 10 vjet më parë nga një grup i motivuar studentësh që donin të krijonin një komunitet interesant të startup në Finlandë. Ai ia doli të rritej nga një konferencë prej 300 personash në 2008-n në një event global të startup me mbi 20 mijë pjesëmarrës në vitin 2018.
Nuk është rastësor interesi i lartë për këtë event. Finlanda është sot e para në botë për zhvillimin e startup dhe novacionit, duke ofruar një ekosistem nxitës për to, përmes mbështetjes së tyre nga Business Finland, agjencia më e rëndësishme publike për fondet e kërkimeve, në varësi të Ministrisë Finlandeze të Punësimit dhe Ekonomisë. Finlanda është sot një lider global në shëndetin dixhital. Inteligjenca Artificiale dhe monitorimi i shëndetit po transformojnë mënyrën se si diagnostikohen sëmundjet.
Ky vend është sot në pararojë të rimodelimit të kujdesit shëndetësor dhe nxitjes së inovacionit në këtë sektor, theksohet në spotin “E ardhmja me Finlandën”, të përgatitur për eventin e “Slush”. Finlanda është gjithashtu në pararojë të revolucionit të realitetit virtual, me risitë e saj që shkojnë deri te navigimi automatik në marinë.
Biznese të reja krijohen vazhdimisht në industritë e lojërave, elektronikës, programimit, teknologjisë së pastrimit dhe shëndetit. Shpenzimet për kërkim- zhvillim janë mbi 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndër më të lartat në Europë. Finlanda është kthyer në një nga qendrat teknologjike në Europë, sipas një vëzhgimi të kryer nga “Atomico”, një firmë me seli në Londër.
Firmat finlandeze të teknologjisë në fushat e Inteligjencës Artificiale, robotikës, realitetit virtual dhe internetit kanë siguruar rreth 100 milionë dollarë nga investitorët, të cilët janë të etur për të fituar qasje në ekspertizën e teknologjisë, të edukuar nga kompani si “Nokia”, “Rovio” dhe “Supercell”, tregon anketimi.
“Gjithçka fillon nga njerëzit”
Jukka Hayrynen, drejtorin e “Business Finand” e pyesin shpesh nga e gjithë bota se çfarë këshillash mund t’u japë qeverive të vendeve të tjera për të nxitur startup dhe novacionin. Por, ai ka një përgjigje të thjeshtë: “Gjithçka fillon nga njerëzit”.
“Nuk ishte një vendim politik, që të nxisim startup”, thotë ai për “Monitor”. Erdhi nga vetë njerëzit. Mbi 20 vjet më parë, finlandezët që luanin lojëra filluan t’i demonstronin ato me njëri-tjetrin dhe ngritën një të ashtuquajtur panair, ku konkurronin për demon më të mirë. Ata filluan të zhvillonin kode të ndryshme në 1995-1998.
“Në 10 vitet e para, ky komunitet ishte i vogël dhe nuk i identifikuam startup si entitete. Në 2012, filluam të identifikojmë startup-et dhe nisi lulëzimi i tyre”, thotë Hayrynen.
“Duhet ta nisni nga pak dhe pak a shumë nga universitetet. Nuk ka një rrugë të shpejtë, nuk ka zgjidhje të shpejtë. Fillon me njerëzit, ashtu si në Finlandë nuk ishte qeveria që donte të krijonte ekosistemin, por ishin vetë sipërmarrësit. Kjo është sfida e madhe, sepse duhet të vijë nga njerëzit. Qeveria e krijoi mjedisin, por vetëm pasi startup nisën të zhvilloheshin vetë”.
Sot Finlanda ka krijuar një ekosistem shumë të fortë për startup, duke i mbështetur ato përmes “Business Finland”, një organizatë publike, që financon punët në kërkim-zhvillim dhe ka zyra në 40 vende të ndryshme dhe 60 në Finlandë. “Ne synojmë që të krijojmë rritje të re, duke i ndihmuar kompanitë, në dy këndvështrime, së pari rritja globale dhe së dyti krijimi i një ekosistemi për startup, në mënyrë që ato të jenë konkurruese”.
“Startup-et janë kompani të reja, ku ekipet përpiqen të gjejnë dhe testojnë modele biznesi dhe të gjejnë rrugë për t’u rritur”, shpjegon Hayrynen. Ai pohon se e rëndësishme për organizatën publike është të dallojë se cila nga këto kompani ka potencial të rritet dhe cila jo. “Business Finland” përdor çdo vit 500 milionë euro për të financuar kërkimet inovative dhe 140 milionë euro për kompanitë startup.
“Ne e fillojmë me një grant shumë të vogël për ekipin dhe me këtë projekt ata duhet të tregojnë se cili është produkti i tyre, ku duhet të shkojnë dhe ta testojnë atë në treg. Nëse aplikantët e përmbushin këtë test, ata kalojnë në fazën e kërkim-zhvillimit dhe marrin më shumë fonde. Çdo vit jepen fonde për rreth 400 aplikime që përzgjidhen, të ashtuquajtura tempo, me financime që janë mesatarisht 50 mijë euro për një skuadër. Një projekt tempo zgjat 6 deri në 9 muaj. Më pak se 300 prej tyre kalojnë në fazën e kërkim-zhvillimit dhe më pas, në fund rezultojnë rreth 10 kompani me rritje të shpejtë dhe rreth 100 kompani fitimprurëse, që financohen nga ‘Business Finland’”, thotë Hayrynen.
Dhjetë vjet më parë, fondet tona publike përbënin gjysmën e totalit, ndërsa sot janë shtuar financuesit privatë të huaj dhe ndërkombëtarë dhe fondet publike zënë një të tretën. Nga investimet private, pothuajse gjysma janë të huaja.
“Ka shumë industri që po rriten shpejt, si Inteligjenca Artificiale, realiteti virtual, ekonomia rigjeneruese”, pohon Hayrynen, duke shtuar se një tjetër projekt është krijimi i një qyteti inteligjent, ku me ndihmën e 5G çdokush do të mund të shohë në kohë reale se ku është autobusi, a do t’i duhet të vrapojë, apo të ecë në këmbë për ta kapur atë.
Aplikime dhe nga Shqipëria
Projekti më i fundit i “Business Finland” është që të ftojë startup nga jashtë për t’u dhënë mundësinë të zhvillohen në Finlandë. “Ka një jetë cilësore, mundësi shumë të mira financimi publike dhe nga investitorë, ka shumë shërbime për startup. Finlanda është vendi më i mirë për të rritur një fëmijë. Procesi është marketuar dhe kanë marrë mbi 100 aplikime për rreth gjysmë viti”, pohon Hayrynen. “Business Finland” analizon modelin e biznesit dhe ekipin dhe më pas, procesi kalon në agjencinë e emigracionit për të marrë lejen. Më pas, ekipi themelon kompaninë dhe vjen në Finlandë.
Pyetjes se çfarë duhet të bëjë një person që jeton në Shqipëri dhe është i interesuar për të aplikuar për këtë proces, Hayrynen i përgjigjet “Dërgoni idenë e biznesit, ku duhet të ketë të paktën dy persona në ekip, një plan biznesi të shkurtër dhe CV. Mund të aplikohet në çdo fushë për sa kohë që është një startup, që ka mundësi për rritje të shpejtë.
Më pas duhen 3 ose 4 javë që ne të analizojmë idenë dhe i dërgojmë deklaratën ekipit nëse plotëson kriteret. Më pas, ata duhet të aplikojnë për leje në zyrën e emigracionit dhe nëse e marrin lejen për startup, mund të vijnë këtu dhe të themelojnë kompaninë. Pra mjafton të kenë ide dhe nëse ajo pranohet mund të vijnë e ta vënë në jetë në Finlandë”.
Ai pohon se ka pasur aplikime nga Shqipëria, por nuk kanë arritur të kalojnë fazën e parë, atë të përzgjedhjes së idesë, pasi modeli i biznesit nuk ishte mjaftueshëm i maturuar. “Nëse pranohet ideja, jemi gati të financojmë ekipin me 50 mijë euro fonde tempo dhe me këto fonde, ekipi më pas duhet të gjejë investitorë dhe të ndajë rrezikun”.

Hanna Autere dhe Tuija Laukkanen, këshilltare për Edukimin Profesional në Agjencinë Kombëtare të Finlandës për Edukimin
Si u zhvillua arsimi profesional
Finlanda është sot shteti me përqindjen më të lartë të të rinjve që ndjekin arsimin profesional, me 42% të totalit. Por nuk ka qenë gjithnjë kështu. Hanna Autere, këshilltare për edukimin profesional në Agjencinë Kombëtare të Finlandës për Edukimin thotë se tendenca nisi 20 vjet më parë, kur vendi në fillim të viteve ’90 po kalonte kohë të vështira, pasi ekonomia kishte qenë shumë e varur nga tregtia me ish-Bashkimin Sovjetik dhe papunësia u rrit ndjeshëm.
Shumë njerëz që kishin punuar gjithë jetën mbetën të papunë për shkak të ndryshimit të modelit ekonomik dhe nuk dinin ç’të bënin. Ishte e vështirë për ta që të aplikonin për një punë të re, sepse nuk kishin certifikatë për aftësitë që ata mund të kishin.
Kjo situatë bëri që Finlanda të kthente sytë nga nevoja për edukim profesional, duke zhvilluar sistemin për kualifikimin bazuar në aftësitë. “Njerëzit që nuk kishin kualifikim, mund të tregonin aftësitë e tyre. Mund të vije një ditë nga rruga, të bëje një test ku të tregoje aftësitë praktike dhe në fund të ditës mund të merrje certifikatën. Sistemi bazë edhe sot është që mund të tregosh kompetencat dhe aftësitë kudo, jo vetëm në shkollë, po përgjatë punës, hobeve dhe ato njihen”, thotë znj. Autere.
Tuija Laukkanen, këshilltare për edukimin profesional në Agjencinë Kombëtare të Finlandës për Edukimin, thotë se kanë kriteret kombëtare për kërkesat e kualifikimit, bazuar në kuadrin europian të kualifikimit, të cilat i krahasojnë gjatë demonstrimit të aftësive. Nëse nga këto kritere rezulton që niveli nuk është i mjaftueshëm, duhet të mësosh pak më shumë.
Znj. Autere shton se arsyeja kryesore për suksesin e arsimit profesional është se arsimi nuk ka asnjë kufi. “Edhe nëse je 15-16 vjeç dhe vendos të ndjekësh arsim profesional, më pas mund të gjesh rrugën tek doktoratura. Arsimi profesional të jep të drejtën të vazhdosh rrugëtimin në të gjitha fazat. Mund të ndjekësh studimet profesionale në dy fusha, ose mund të ndjekësh disa module nga shkolla e përgjithshme”. Jo vetëm të rinjtë që vazhdojnë arsimin profesional mund të ndjekin rrugën deri te doktoratura. Ka dhe shumë njerëz që kanë mbaruar universitetin dhe kthehen për të ndjekur arsimin profesional, sepse ai është shumë praktik dhe i dobishëm.
Në Agjencinë Kombëtare të Finlandës për Edukimin, në Departamentin e Arsimit Profesional ka një njësi për parashikimin e aftësive që do të duhen në të ardhmen, si sasiore ashtu dhe cilësore. Bazuar në këto të dhëna, Ministria e Kulturës dhe Edukimit jep licenca për institutet e edukimit për kualifikimet që duhen.
Në mënyrë që të bëhet përputhja e kërkesave të tregut me arsimin profesional, është krijuar një bashkëpunim trepalësh, mes ministrisë-institucioneve unionit të mësuesve dhe punëdhënësve, të cilët marrin pjesë në parashikimin e aftësive. Nga profesionet e parashikuara të së ardhmes mbizotëron IT, robotika, pasi ka gjithnjë e më pak punë për humanët, por sërish e preferuar mbetet mësimdhënia.
Është në dorë të shkollave dhe mësuesve që të gjejnë mënyrat për të plotësuar kërkesat. Vlerësimi i studentëve bëhet dhe nga sipërmarrësit. P.sh., dikush që studion për biznes duhet të vlerësohet dhe nga një punëmarrës gjatë kohës që bën praktikën, pra janë dy persona që bëjnë vlerësimin.
Cilësia e mësimdhënies është njësoj e lartë si për arsimin publik dhe llogaridhënia është e njëjta. Mësuesit që përzgjidhen në sistemin profesional kanë të njëjtat standarde me ata të arsimit publik, pra të kenë master në fushën e tyre përkatëse, ndërsa nuk duhet të vijnë thjesht nga mësimdhënia, por dhe të kenë të paktën tre vjet përvojë praktike në fushën ku ata do të japin mësim. P.sh. nëse jep biznes, duhet të kesh punuar të paktën tre vjet në këtë fushë. Edhe universitetet që edukojnë mësues profesionalë janë të veçantë.
Fleksibiliteti është një tjetër pikë e fortë e arsimit profesional. Modulet janë shumë fleksibël, përshtaten dhe dikush që do të vijë në shkollë vetëm për një apo dy module, mund ta bëjë lehtësisht atë. Të rinjtë që fillojnë arsimin profesional menjëherë pasi mbarojnë arsimin bazë do tu duhen 2 vjet e gjysmë 3 që ta përfundojnë. Por, sistemi është fleksibël, shpjegon znj. Autere, ndaj është i bazuar në kompetencë.
“Në momentin që dikush e ndien që ka marrë aftësitë e nevojshme , duhet ti tregosh ato në një provim. Për disa zgjat më shumë, për të tjerë më pak”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.