Pas rënies së industrive përpunuese tradicionale, shqetësimi kryesor i shumë qyteteve ishte sigurimi i së ardhmes. Nga Amerika e deri në zemër të qendrave industriale në Europë, kryetarët e bashkive të qyteteve të ndryshme po përpiqen që të ringjallin industrinë përpunuese, por duke u munduar që të reduktojnë në maksimum ndotjet e kësaj industrie.
Kjo ishte edhe situata me të cilën u përball në vitin 1999 Yılmaz Büyükerşen, Kryebashkiaku i sapozgjedhur i Eskişehirit, qytetit të 11-të më të madh të Turqisë. “Gjithmonë kam ëndërruar që ky qytet të ndryshonte totalisht, por teksa popullsia rritej dhe bashkë me të, edhe prodhimi industrial, jeta në këtë qytet u bë e pamundur si pasojë e emetimeve të larta të kësaj industrie”, shprehet z. Büyükerşen.
Dikur, ky qytet ka qenë një prej ndalesave më të rëndësishme në linjën hekurudhore Berlin-Baghdad, por kohë më pas ai u shndërrua në një “qytet me ndotje të larta toksike”. Lumi kryesor i qytetit, Porsuk, u kthye në një vend ku hidheshin sasi të mëdha plehrash, duke u shndërruar në një kërcënim për shëndetin e njerëzve të qytetit. Banorët po i humbisnin shpresat se e ardhmja e qytetit mund të ndryshonte ndonjëherë.
Sikur e gjithë kjo situatë të mos mjaftonte, vetëm gjashtë muaj pasi z. Büyükerşen kishte marrë mandatin e Kryebashkiakut, qyteti i Eskişehirit goditet nga një tërmet me magnitudë 7,8, ku humbën jetën 37 persona, ndërkohë që infrastrukturës së vendit, e cila ishte në gjendje kritike iu dha goditja përfundimtare.
Por, pikërisht këtë moment tragjik, z. Büyükerşen dhe një koalicion i gjerë i shoqërisë civile e konsideruan si një thirrje për t’u zgjuar dhe për të bërë të pamundurën që ky qytet të ndryshonte sa më parë të ishte e mundur. Kështu, mori jetë Projekti i Zhvillimit Urban të Eskişehirit, një seri investimesh për modernizimin e transportit dhe për pastrimin e mjedisit. Ky projekt, jo vetëm që rindërtoi infrastrukturën e qytetit, por në fund rishkroi nga e para edhe historinë e qytetit.
Masat që u morën për katastrofën që shkaktoi tërmeti nuk kishin të bënin me një rikonstruktim të thjeshtë të qytetit. Ato shkuan shumë më larg se kaq. Kryebashkiaku dhe ekipi i tij filluan të vepronin menjëherë, duke bërë bashkë akademikë, përfaqësues të industrisë, Dhomës së Tregtisë, avokatët e tyre e shumë të tjerë, për të vënë në jetë projektet më prioritare për të rindërtuar dhe për të modernizuar qytetin.
Puna filloi me rikonstruktimin e lumit kryesor të qytetit, i cili u pastrua nga të gjitha mbeturinat që ishin hedhur në të, iu ndryshua sistemi i tubacioneve dhe përmirësimi i infrastrukturës së ujërave të zeza dhe iu vendosën bordura mbrojtëse në rast të rritjes së nivelit të ujit në kohën e shirave. Më pas, ekipi i Büyükerşenit vazhdoi me ndërtimin e një rrjeti të ri të transportit publik dhe rikonstruktimin e disa prej pikave kryesore të qendrës së qytetit.
Fillimisht, jo të gjitha ndryshimet u mbështetën dhe u pëlqyen. Banorët u lodhën dhe e humbën durimin gjatë periudhës së punimeve, ndërsa pronarët e bizneseve, sidomos të dyqaneve në qendër u shqetësuan shumë, sepse makinat nuk mund të kalonin më në qendër të qytetit dhe as të parkonin aty.
Por opinioni publik ndryshoi shumë shpejt. Në më pak se dy vjet pas fillimit të punimeve, u ndërtua në Eskişehir, linja e tramit me shpejtësi të lartë brenda qytetit. EsTram lidh destinacionet kryesore publike si spitalet, universitetet, parqet dhe teatrot. Brenda një kohe të shkurtër u pa një dyndje e madhe në dyqane, sepse në sajë të sistemit të ri të transportit publik, blerësit tashmë e kishin të lehtë të vinin nga zona të ndryshme të qytetit në dyqanet kryesore në qendër. Duke qenë se numri i banorëve që po përdornin tramet po shtohej, u bë zgjerimi i këtij transporti duke shtuar linjat ku ata kalonin, në mënyrë që njerëzit të kishin sa më shumë akses.
Çdo projekt mund të aksesohej nga të gjithë njerëzit, duke përfshirë edhe personat me aftësi të kufizuar (personat në karrige me rrota), të moshuarit dhe nënat që i shëtisnin fëmijët e tyre duke i mbajtur në karrocë.
“Për mua, këto ndryshime nënkuptojnë të qenët i lirë”, u shpreh Emel Kapanoğlu, avokat për njerëzit me aftësi të kufizuar në lëvizje. “Nuk ka më mirë kur zona të tilla publike mund të aksesohen lehtësisht edhe nga kjo kategori njerëzish, madje kjo është në të mirë të të gjithëve”, tha ai më tej.
“Edhe funksional, edhe i bukur”
Përkushtimi i z. Büyükerşen dhe i ekipit të tij për të ndërthurur së bashku një sërë investimesh dhe për t’i dhënë qytetit të Eskişehirit një fytyrë tërësisht të re dhe shumë herë më të bukur, është i jashtëzakonshëm dhe mbresëlënës.
Një pjesë e madhe e projekteve të qytetit u frymëzuan nga projekte të suksesshme në shtete të ndryshme, por secili prej tyre iu përshtat më së miri historisë kulturore dhe nevojave të qytetarëve të Eskişehirit. “Menjëherë pasi u hapën kafene, bare, lokale, restorante, librari përgjatë lumit, turizmi filloi të shënojë rritje”, tha z. Büyükerşen.
Turizmi vendas dhe ai ndërkombëtar u rritën me 430% dhe 820% secili. Ekonomia filloi të lulëzonte. Vlera e pronave u trefishua sidomos në zonat ku kalonin tramet. Hapësirat publike të gjelbra për banor u trefishuan. Kontrollet rutinë dhe mirëmbajtja e vazhdueshme, bënë që lumi Porsuk të ishte vazhdimisht i pastër dhe me një risk shumë të ulët përmbytjeje gjatë shirave. Ndoshta ndryshimi më transformues dhe më i rëndësishëm ka qenë mentaliteti i banorëve.
Fatma Korkmaz, aktualisht shofere e një prej linjave të EsTram, nuk arriti të gjente punë pasi përfundoi studimet. “Unë kam lindur dhe jam rritur në Eskişehir. Më parë gratë as nuk mund ta mendonin të bënin punë të tilla, si për shembull shofere trami. Madje, më parë të rralla kanë qenë gratë të cilat mund të shëtisnin të vetme.
Por sot, vetëm falë punës që bëj, kam ndryshuar shumë edhe si njeri. Nga një grua e pasigurt, kam fituar shumë besim në vete, kam të ardhurat e mia, mund të udhëtoj, të vazhdoj një shkollë të dytë nëse dua dhe kështu të rritem, jo vetëm profesionalisht, por edhe si njeri në radhë të parë”. Rikthimi në funksion të njerëzve, i hapësirës që dikur e zinin parkingjet e makinave, ka krijuar një komunitet më të fortë, u shpreh Mustafa Kürşat, një student në Universitetin Anadolu.
Nëpërmjet Projektit të Zhvillimit Urban të Eskişehirit, ky qytet ndryshoi në 360 gradë, dhe u shndërrua në një qytet gjithëpërfshirës, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e mjedisit dhe rrjedhimisht, edhe ndaj shëndetit të banorëve të tij. Në vitin 2014, qyteti i Brukselit në Belgjikë filloi një projekt të arkitekturës së peizazhit të qytetit të modeluar, sipas restaurimit dhe zhvillimit të lumit Porsuk në Eskişehir.
Awaza në Turkmenistan u frymëzua nga ndryshimi rrënjësor i Eskişehirit, duke rikonstruktuar dhe duke rindërtuar edhe ajo vetë urat e saj. “I gjithë ky ndryshim u bë që banorët e Eskişehirit të ndihen krenarë për qytetin e tyre dhe të mos dëshirojnë të largohen më prej tij. Ai u bë edhe për të tërhequr sa më shumë banorë nga qytete të tjera, që të vijnë dhe të zhvendosen këtu, përfundoi Kryebashkiaku Büyükerşen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.