Flet Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria
Ekonomia socialiste është zëvendësuar me sistemin e monopoleve dhe karteleve të sotme, në thelb të njëjta. Autoritetet rregullatore të tregut janë jofunksionale dhe u nënshtrohen vendimeve të ekzekutivit sikur të mos ekzistojnë, shkalla e konkurrencës dhe burimet e rritjes ekonomike janë të shteruara, thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustria, në një intervistë për Monitor.
Cilat janë pritshmëritë tuaja nga programet ekonomike të Partive kryesore?
Për hir të së vërtetës, pritshmëria është e ulët kur vlerëson se në 3 muajt e fundit u zhvillua një luftë e ashpër, me synim pushtetin, por shumë pak u fol për rrënjët e gjendjes së vështirë ekonomike, që vendi po kalon. Mendoj, se partitë politike në vend nuk arrijnë të kuptojnë se jemi pikërisht në një paralele historike të ngjashme me fillimvitet ‘90 kur flasim për modelin e ndërtimit dhe funksionimit të shtetit. Modeli i tanishëm shtetëror dhe ekonomik është në fillimin e shthurjes së plotë. Ekonomia socialiste është zëvendësuar me sistemin e monopoleve dhe karteleve të sotme, në thelb të njëjta. Autoritetet rregullatore të tregut janë jofunksionale dhe u nënshtrohen vendimeve të ekzekutivit sikur të mos ekzistojnë, shkalla e konkurrencës dhe burimet e rritjes ekonomike janë të shteruara. Shto këtu edhe dështimin e plotë të sistemit të drejtësisë, që fatmirësisht dhe fatkeqësisht njëkohësisht po i lëshohet protektoratit ndërkombëtar për të kuptuar, se jemi pikërisht në fillimin e plotë të shthurjes së modelit shtetëror dhe ekonomik. Fatkeqësisht, mënyra sesi i shtrojnë partitë politike tregon se nuk e kanë kuptuar ose nuk dëshirojnë të merren me thelbin e ndryshimeve historike dhe thelbësore, që po kalojmë.
Çfarë duhet të kenë parasysh partitë kur hartojnë programet e tyre?
Pikërisht, atë që shpjeguam më sipër. Modeli ekonomik i deritashëm i ndërtuar në Shqipëri i ka shteruar të gjitha mundësitë e tij për të dhënë qoftë edhe shpresën për mirëqenie për qytetarët e saj. Mjafton të vlerësojmë, se nëse do të zbresim efektin e 1.3 miliardë $ borxhe, investimet e maturuara në këto vite të disa projekteve të filluara shumë vite më parë si TAP dhe Statkraft, jemi në kushtet e një recesioni të pastër prej mbi 2% të PBB-së në mesataren e 4 viteve të fundit. Pasoja është e qartë, kur shikon se mbi 400 mijë shqiptarë që kanë ikur ose kërkojnë të largohen nga vendi, kreditimin që është prej disa vitesh në nivelet më të ulëta historike, për të kuptuar dështimin e qartë të modelit ekonomik të tashëm. Nuk e di sesa duan apo dëshirojnë të kuptojnë partitë politike shqiptare realitetin e mësipërm për ta pasqyruar më pas në programet e tyre. Do të dëshiroja të ishte e kundërta!
Lidhur me nivelin e taksave, si e vlerësoni nivelin aktual të tyre, si ka ndikuar rritja e tatimfitimit dhe dividendit në mandatin e kaluar në ecurinë e bizneseve që ju përfaqësoni dhe planeve të tyre për investime?
Politikat fiskale në fuqi përbëjnë një nga shkaqet kryesore subjektive të dështimeve të qarta në ekonomi. Rritja e barrës fiskale për bizneset dhe qytetarët në kushtet e krizës globale, konkurrencës së vendeve fqinjë në garën për tërheqjen e investimeve të huaja, rënies së investimeve buxhetore, tregjeve të mbyllura me sisteme monopolesh dhe kartelesh, etj., kanë qenë tërësisht të gabuara. Sa më sipër shpjegon rënien e besimit për investime nga bizneset, shprehur në nivelin e ulët historik të kreditimit, jashtëzakonisht negativ për zhvillimin ekonomik të vendit.
Cili është niveli i taksave që ju propozoni dhe që do të ishte optimal për të mos ndikuar negativisht në buxhet nga njëra anë dhe për të mos rënduar bizneset nga ana tjetër?
Në mënyrë të përsëritur, Konfindustria ka kërkuar nga vendimmarrja politike që detyrimisht duhet të kalohet në një ulje tërësore të barrës së taksave për bizneset, që punojnë në kushtet e tregjeve të hapura. Niveli prej jo më shumë se 10% i taksimit të sheshtë për kategorinë e mësipërme të bizneseve është i domosdoshëm dhe optimal. Për kategoritë e bizneseve të tregjeve të mbyllura, politikat e taksimit duhet të jenë më të larta, por gjithmonë të sheshta për të siguruar njëkohësisht moralitetin, të ardhurat buxhetore dhe lehtësimin e punës së administratës fiskale.
Rekomandime konkrete që ju mund të keni…
Thelbi i kërkesave tona të përsëritura është shpjeguar më sipër. Kemi nevojë për ndryshim thelbësor dhe jo thjesht rregullime pjesore, që nuk prodhojnë asgjë. Lista e kërkesave të Konfindustrisë është e gjatë, por nuk ka asnjë kuptim nëse nuk ndërmerren si shtjellim i parimeve të mësipërme.
Gjergj Buxhuku
Politikat fiskale në fuqi përbëjnë një nga shkaqet kryesore subjektive të dështimeve të qarta në ekonomi. Rritja e barrës fiskale për bizneset dhe qytetarët në kushtet e krizës globale, konkurrencës së vendeve fqinjë në garën për tërheqjen e investimeve të huaja, rënies së investimeve buxhetore, tregjeve të mbyllura me sisteme monopolesh dhe kartelesh, etj., kanë qenë tërësisht të gabuara
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.