Flet Klodiana Gorica, pedagoge në Departamentin e Marketingut dhe Turizmit në Fakultetin e Ekonomisë, Tiranë
Shqipëria nuk është e detyruar të zgjedhë një model turistik që përjashton një tjetër. Larmia e pasurive natyrore, kulturore, kulinare mund të japë mundësinë që turizmi masiv të bashkëjetojë me atë elitar, agroturizmi të jetë një vlerë e shtuar ashtu si kultura apo kulinaria.
Pedagogia e Ekonomikut, Klodiana Gorica, shprehet se deri më sot, Shqipëria nuk ka një strategji të mirëfilltë të sektorit dhe zhvillimi ka qenë spontan, por tashmë ka ardhur koha që situata të merret në dorë, duke zhvilluar dhe duke mbështetur në mënyrë të njëtrajtshme turizmin, si një sektor që ndikimin e ka të prekshëm në ekonomitë lokale, por edhe atë kombëtare.
Si mendoni se e ka menaxhuar Shqipëria deri më tani sektorin e turizmit në vend?
Sigurisht jo siç duhet dhe në mënyrë spontane. Nuk ka objektiva të qarta dhe të studiuara në bazë të kërkimeve mbi atë çfarë ka nevojë dhe ofron vendi ynë, tendencave dhe prirjeve të kërkesës ndërkombëtare, si dhe në përputhje me orientimet e Bashkimit Europian apo institucioneve ndërkombëtare për zhvillimin e turizmit. Mbi bazën e këtyre të hartojë strategji afatgjata për zhvillimin e turizmit, të ndërtojë politika dhe synojë plane eficente.
Janë disa probleme të mbartura vit pas viti dhe që nuk janë zgjidhur.
-Së pari, turizmi është adresuar në kohë të ndryshme me ministri të ndryshme, që do të thotë se vihet në diskutim fakti i të qenët prioritet, vëmendje apo politikë prioritare. Nga një bashkim me sportet, kalon me zhvillimin urban, pastaj ekonominë dhe tani bashkohet me mjedisin. E gjithë kjo në përpjekje të gjetjeve të formulave apo artificave në bashkim, automatikisht në zgjidhje të problemeve që mbart. Turizmi është i vetmi sektor që efektin dhe ndikimet indirekte i ka shumë herë më të mëdha se sa çdo sektor tjetër.
-Së dyti, bashkë me ministrinë ka kaluar edhe tagri i mbikëqyrjes së agjencisë së turizmit. Njësia e vetme e pandryshuar këto kohë është agjencia, e cila kryesisht është marrë me ‘business to business’, pra ka tagër shumë të fokusuar, s’ka lidhje integrale me bashkitë dhe njësitë vendore. Planifikimi dhe ligjet e reja s’kanë referim të agjencisë. Përgatitja e planeve vendore që është pjesë e ristrukturimit të ri nuk e përfshin këtë agjenci
-Së treti, ka paqartësi institucionale. Tagri i turizmit është ende i papërcaktuar, nuk dihet se kush është përgjegjës dhe për çfarë. Duhet ndërtuar struktura vertikale se kush do të bëjë dhe çfarë.
Turizmi përbën një sektor kompleks dhe heterogjen, me ndikime të shumta si pozitive dhe negative. Është një proces ku marrin pjesë mjaft faktorë. Mungesa e identifikimit të të gjithë aktorëve, e përcaktimit të rolit dhe përgjegjësive të secilit, monitorimi i tyre, si dhe koordinimi i mirëfilltë çorienton zhvillimin, edhe në rastet kur planet, politika janë të ndërtuara me kujdes, nëse ato nuk kontrollohen si zbatohen, ul eficencën e procesit.
Si mund të zgjidhet ky ngërç sipas jush? Një start ishte masa për uljen e TVSH-së. Si e shihni këtë?
Në zona turistike me potenciale për zhvillimin e formave alternative dhe të qëndrueshme si turizmi familjar, rural, malor, i gjelbër, eko, etj., sugjeroj: ngritje e OMD (DMO) (organizata të menaxhimit të destinacioneve), si praktika të hershme dhe mjaft të suksesshme në botë, që koordinojnë përpjekjet e aktorëve lokalë me ata qendrorë; nxitjen dhe krijimin e zonave me prioritete të caktuara zhvillimi: agroturizëm, ekoturistike, green, turizëm. Më duhet të theksoj dhe disa elemente të tjerë që pengojnë menaxhimin efikas të sektorit: Sektori i turizmit përbën një sektor ku evazioni fiskal është mjaft i pranishëm, ashtu si dhe degë të tjera të ekonomisë shqiptare. Lëvizja e fundit e qeverisë për uljen e TVSH në akomodim nga 20% në 6% është për t’u përgëzuar. Por, nga ana tjetër, mbetet problem deklarimi real i të ardhurave.
Si mund ta zgjidhë qeveria? Një zgjidhje do të ishte që Ministria e Financave të ngrejë grupe pune në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, të cilët të operojnë në pikat e hyrjes kufitare dhe të marrë informacion për të gjithë grupet e turistëve që vijnë, ku shkojnë, sa do të rrinë, me cilin tur-operator i kanë bërë rezervimet. Mbi bazën e këtij informacioni të bëjnë kryqëzimin e informacionit me deklarimet e bëra nga subjektet. Kjo zgjidhje do të eliminonte mënyrën si është operuar deri tani, ku në muajt qershor-korrik zbarkon i gjithë Inspektorati dhe Tatimet nëpër hotele, duke dhënë mbi të gjitha ndikim negativ për turistët, por edhe kontrolle joeficente.
Pavarësisht shifrave të prodhuara nga institucionet e linjës që flasin për ndikime direkte pozitive në rritje të turizmit, gjykoj se sektorit të turizmit asnjëherë nuk i është dhënë vëmendja e duhur.
Në këndvështrimin tuaj, çfarë modeli duhet të ndjekë një vend i vogël si ky yni?
Në përcaktimin e një modeli ndikojnë shumë faktorë, të cilët argumentojnë zgjedhjen e tij. Për shembull, nisur nga strukturat akomoduese dhe mënyrat e vendosjes së tyre (ndërtimet e shumta), zona e Shëngjinit dhe e Durrësit mund të përdoren për turizëm masiv dhe janë të destinuara për një treg me të ardhura relativisht mesme dhe të ulëta. Në këto zona nuk mund të aplikohen modele të ndryshme nga ky, sepse është e vështirë për t’i ndryshuar si struktura dhe për t’ua përshtatur nevojave të një turizmi me të ardhura te larta, mungojnë hapësirat fizike, shërbimet që mund t’u ofrohen turistëve janë të kufizuara.
Ndërsa për sa i përket Rivierës nga Vlora në Sarandë, mund dhe duhet të synohet targetimi i një kategorie të caktuar turistësh, ata me të ardhura të larta. Kjo sepse Jugu është ende i pandërtuar dhe në këto kushte ka mundësi që aktorët e këtij procesi (tur-operatorët, strukturat akomoduese, partneriteti publik-privat), mund të hartojnë plane për thithjen e kësaj kategorie që është më e pakët në numër, por do të shpenzojë më shumë. Këto zona vërtet ofrojnë mundësinë e zhvillimit të modeleve të qëndrueshme për turizmin, që mbi të gjitha nënkupton realizimin në praktikë të shumë parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm si: partneritete publike-private, përfshirje e komunitetit, krijimi i sistemeve të komunikimit, ndërtimi i DMO (organizatat e menaxhimit të destinacioneve).
Nga ana tjetër, nxitja dhe promovimi i turizmit kulturor dhe arkeologjik duhet të jetë një synim konstant për aktorët përkatës, sepse mbi të gjitha kjo sjell jo vetëm rritje të numrit të turistëve, por edhe zgjerim të sezonit (kjo kategori nuk vjen në sezon turistik pik). Këtu dalim tek problematika tjetër që është zgjerimi i sezonit turistik, dhe vëmë re se si orientimi i një modeli zhvillimi mund t’i japë zgjidhje problemit të sezonalitetit.
Duhet të theksoj se zgjedhja e modelit të turizmit masiv jo domosdoshmërisht do të thotë se do të jetë edhe në të ardhmen shkatërrues dhe i dëmshëm. Paçka se si është planifikuar dhe organizuar situata deri tani, e cila jo vetëm ka rritur pesimizmin për zonat që përfshin, por ka krijuar edhe idenë se turizmi detar është masiv dhe shkatërrues dhe i paplanifikuar, përvojat ndërkombëtare kanë treguar se: turizmi masiv i diellit dhe i plazhit përmes resorteve të mëdha bregdetare, nëse është mirëmenaxhuar me një infrastrukturë të përshtatshme, mund të jetë një formë e qëndrueshme e turizmit, sepse ajo mund të ofrojë vende pune për njerëz lokalë, të kënaqë nevojat e një numri të madh të turistëve, edhe me qëllimin që ata të mos ndërmarrin udhëtime në vende të brishta nga pikëpamja mjedisore, nuk shkakton ndikime social-kulturore negative për shkak të faktit se ka pak ose aspak kontakte të turistëve me popullsinë lokale.
Sikurse promovimi i modeleve si ekoturizmi apo ato me bazë natyrën, nëse nuk menaxhohen mirë mund të jenë ppo aq të rrezikshme sa ato masive, sepse dëmtojnë rëndë mjedisin, për të mos shtuar se nuk sjellin shumë të ardhura për zonat. Pra mbarëvajtja dhe ecuria e modeleve tashmë të zgjedhura do të varet dhe nga menaxhimi që do t’i bëhet nga strukturat që janë përgjegjëse.
Si është marketuar deri më tani Shqipëria, sepse ka pasur një prirje drejt panaireve dhe më herët tek spotet?
Ministria përgjegjëse për Turizmin, përmes Agjencisë Kombëtare të Turizmit, merr pjesë në disa panaire ndërkombëtare duke u ardhur në ndihmë operatorëve turistikë për njohjen dhe promovimin e Shqipërisë. Po ashtu janë për t’u vlerësuar dhe përpjekjet e niveleve qendrore, të Ministrisë përkatëse, për të orientuar informimin dhe marketimin e vendit drejt mediave të njohura ndërkombëtare. Gjatë këtij viti ka pasur fokus të gjerë të mediave të huaja. Kjo përveçse ka avantazhe, rrezikon që të kthehet në bumerang nëse nuk arrijmë të përmbushim pritshmërinë që ngjallim te turistët e huaj.
Cila është pika e dobët e sektorit dhe që duhet ta shohim më me urgjencë, për shembull shërbimi, mungesa e burimeve njerëzore?
Shërbimet dhe mungesa e stafit të kualifikuar përbëjnë dy problemet urgjente të sektorit të turizmit. Shkollat ekzistuese nuk ofrojnë profesionistë në nivelin e kërkesave të tregut. Ky treg po zhvillohet në mënyrë dinamike dhe po evoluon shpejt. Kurrikulat dhe produktet që nxjerrin këto shkolla nuk i përgjigjen kësaj dinamike. Është detyrë e ministrisë së linjës që të orientojë urgjent dhe fort të rinjtë drejt arsimit profesional në turizëm dhe të përshtasim kurrikula, si dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me operatorët e sektorit edhe për këtë problem.
Kjo mungesë e hallkave që lidh nevojat e tregut të turizmit me atë çka ofron aktualisht, ul mbi të gjitha konkurrueshmërinë e destinacionit tonë, në rajon, dhe evidentohet pastaj në formën e problemeve të shumta, nisur që nga strategji të hartuara por jo eficiente, plane joreale, politika të paargumentuara, mungesë të edukimit cilësor në turizëm, mungesë planifikimi, kapacitete të pallogaritura.
Probleme të tjera lidhen me infrastrukturën, çështjet e ujit të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza, mungesa e energjisë, mbetjet urbane dhe menaxhimi i tyre. Është e pafalshme që pushtetet lokale “flenë” 10 muaj dhe në fillim sezoni detyrohet përfshirja e ushtrisë për të pastruar territorin.
Me gjithë përmirësimet e këtyre viteve të fundit mbetet ende shumë për të bërë. Është e pafalshme që tre vjet nga miratimi i ligjit “Për turizmin”, ne ende nuk kemi klasifikim të strukturave akomoduese. Duhet të vazhdohet në mënyrë intensive me certifikimin dhe licencimin e guidave turistike. Nxitja e investimeve të qëndrueshme përmes lehtësive fiskale për periudha të caktuara në varësi të vlerës së investimit (numrit të shtretërve). Ata operatorë turistikë që investojnë në struktura akomoduese jo vetëm në sasi (numër shtretërish) por edhe në cilësi (hotele me numër të lartë yjesh) duhet të përfitojnë politika favorizuese nga shteti sepse rrisin nivelin e investimeve, punësimit dhe orientojnë qartë dhe dukshëm zhvillimin e formave të turizmit elitar.
Një nxitje e turizmit detar përmes ndërtimit të porteve turistike, i cili përveçse lehtëson aksesin e turistëve dhe vizitorëve me bregdetin shqiptar, por edhe rrit të ardhurat nga tërheqja e një segmenti me të ardhura të larta, siç është ai i jahteve. Në lidhje me turizmin malor do të identifikoja si problem serioz shkatërrimin që po u bëhet Alpeve dhe specifikisht Luginës së Valbonës dhe basenit të Vjosës. Shoqata të caktuara shqiptare, joqeveritare, i kanë ngritur shumë herë këto problematika, të cilat jo vetëm që nuk janë adresuar për zgjidhje, por po vazhdohet në shkatërrimin pasurinë natyrore me dhënie licencash për ndërtime hidrocentralesh. Qeveria ka për detyrë të dëgjojë e të vlerësojë zërin e nismave të përfaqësimit të qytetarëve dhe të mbrojë këto asete me vlerë të papërsëritshme në nivele ndërkombëtare.
A duhet të shkojmë drejt turizmit familjar, pra që menaxhohet nga familje dhe që gjeneron të ardhura në një shkallë më të gjerë apo te turizmi i resorteve?
Fatmirësisht, Shqipëria ofron mundësi për të dyja, duke mos përjashtuar asnjërën. Nuk kemi pse të zgjedhim njërën e të lëmë pa mbështetur dhe pa zhvilluar tjetrën. E dyta vërtet përbën potencial, por është relativisht e vështirë për shkak të mungesës së kapaciteteve turistike. Një mirëkoordinim i të dyjave do të zgjidhte çështjen e sezonalitetit. Ajo çka duhet të bëhet lidhet fort me standardizimin e produkteve të ofruara për të dy rastet, si dhe diversifikim të tyre, duke bërë që Shqipëria të njihet edhe për agroturizëm dhe turizëm familjar, por edhe për trashëgimi, histori dhe kulturë unike, si dhe për turizëm detar përmes resorteve.
Intervistoi: Nertila Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.