Banka Botërore ka rishikuar edhe një herë projektin për modernizmin e asistencës sociale duke përmirësuar këtë herë vlerësimin e saj të përgjithshëm në raport me ato të bëra më herët. Në dokumentin e fundit Banka nënvizon se nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë marrë disa masa për të avancuar me komponentët e projektit.
“Është bërë një progres domethënës në lidhje me implementimin e aktiviteteve të projektit që nga vizita e fundit mbështetëse për zbatimin në qershor 2018. Pavarësisht disa vonesave në zbatim, treguesit e lidhur me disbursimin u arritën nën projektin fillestar. Po kështu pjesa më e madhe e aktivitetetve të asistencës teknike u zbatuan me sukses dhe u kompletuan para dhjetorit 2018. Menaxhimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe stafi teknik arriten këtë përmes angazhimit për të zbatuar reformën dhe për të arritur rezultatet e dakordësuara. Pilotimi i reformës së paaftësisë(të pjesës që mbulon skemën e personave me aftësi të kufizuara) është nën zbatim në dy njësi administrative në Tiranë dhe do të zbatohet në gjithë njësitë administrative të Tiranës deri në qershor 2019. Shtesa e financimit u nënshkrua nga qeveria në 6 qershor 2018 dhe u deklarua efektive në tetor 2018. Aktualisht Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po nis zbatimin e aktiviteteve për të vijuar mbështetjen e zbatimit të reformës” thuhet në raportin e Bankës.
Kjo është hera e parë në më shumë se një vit e gjysmë që Banka Botërore nënvizon hapa pozitive për reformën në modernizmin e asistencës sociale e cila më herët ka marrë Kritika për vonesat në zbatimin e aktiviteteve e lidhur kjo me situatën parazgjedhore dhe ndryshimet në administratë.
Projekti i modernizimit të asistencës sociale ka dy komponentë dhe mbështetet me një financim prej më shumë se 60.8 milionë USD. Ajo u bë efektive në 31 tetor 2012 ndërkohë që data e parë e mbylljes ishte në qershor 2017. Kjo datë u rishikua duke u shtyrë për në 30 qershor 2021.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.