Banka Botërore ka vlerësuar se projekti për modernizimin e asistencës sociale që po mbështetet me një linjë të dytë kredie është ndikuar negativisht si nga tërmeti edhe nga pandemia dhe me shumë gjasa mbylla e programuar për mesin e vitit tjetër ndoshta do të rishikohet.
Në raportin e bërë publik për ecurinë gjatë kësaj kohe, BB vlerëson se projekti ka të disbursuar 25 për qind të totalit që i korrespondon me 2.77 milionë dollarë ndërkohë që mbeten ende të padisbursuara edhe 8.23 milionë dollarë.
Qeveria shqiptare duke pasur parasysh situatën e pandemisë ka kërkuar që Banka të shohë mundësinë që të shtyjë deri në fund të vitit 2022 zbatimin e projektit ndërkohë që data origjinale sot është qershori 2021.
“Zbatimi i projektit me financimin shtesë filloi në janar 2019. Që atëherë, zbatimi i projektit është ndikuar negativisht nga tërmeti (nëntor 2019) dhe pandemia COVID-19. Në përgjithësi, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka demonstruar angazhim dhe përpjekje të forta për të zbatuar reformat e kërkuara.
Progres është vërejtur në zbatimin e disa aktiviteteve, përfshirë përcaktimin e institucioneve shëndetësore brenda të cilave do të krijohen komisione multidisiplinare për qarkun e Durrësit dhe Elbasanit; punimet e kërkuara civile në këto qendra; dhe rehabilitimi fizik i zyrave rajonale (punimet e përfunduara në rajonin e Tiranës, ndërsa skicat janë gati për rajonin e Durrësit dhe Elbasanit).
Përkundër këtyre përpjekjeve të forta, vonesat e shkaktuara nga pandemia e tij Covid – 19, si dhe kufizimet e konsiderueshme buxhetore për shkak të dy krizave(tërmeti dhe pandemia)ministria shprehu dëshirën për të zgjatur zbatimin e projektit, deri në dhjetor 2022 për të siguruar arritjen e objektivave të mbetur” thuhet në raportin e BB.
Projekti për modernizimin e ndihmës sociale që ka nisur për herë të parë në vitin 2012 parashikoi në një fazë të parë reformimin e ndihmës ekonomike si dhe një sërë treguesve të lidhur me të duke shtrirë se pari projektin në zona pilot për të parë rezultatet. Përgjatë kohës së zbatimit projekti u rishikua në disa aspekte duke qenë se nga skema për shkak të kritereve dolën edhe familje të cilat kishin të pamundur jetesën pa këtë ndihmë. /N.Maho
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.