Kjo monedhë mund të rezultojë e suksesshme, por po aq përçarëse edhe për vetë rrjetin e Facebook
Një monedhë dixhitale globale do të lehtësonte dërgimin e parave në të gjithë botën, me po të njëjtën lehtësi që dërgohen edhe tekstet e mesazheve nëpërmjet aplikacioneve të ndryshme. Do të shmangeshin gjithashtu taksat, vonesat dhe pengesat e tjera në rrjedhjen e parasë, shkruan The Economist. Kjo do të ishte ideale sidomos për vendet më pak të zhvilluara, sepse do t’u jepte atyre akses në sistemin financiar, si dhe një mundësi për të ruajtur më mirë pagat e tyre, të fituara me aq mund nga inflacioni në rritje.
Kjo monedhë dixhitale globale do të shkaktonte një valë inovacioni në sistemin financiar, në po të njëjtën mënyrë dhe ndikim që edhe interneti shkaktoi në shërbimet online. Këto, me pak fjalë, u premtuan nga rrjeti social Facebook më 18 qershor. Brenda një viti, rrjeti social u shpreh se do të hedhë në treg një monedhë të re dixhitale që do të njihet me emrin “Libra”. Emri i saj vjen nga njësia matëse e peshës në Romën e lashtë. Në mënyrë të pashmangshme, Facebook përmendi edhe fjalë si kriptomonedhë dhe blockchain. Por për t’i dhënë fund banaliteteve dhe shpifjeve të Sillicon Valley, Facebook theksoi se misioni i tij i vetëm ishte “të fuqizonte miliarda njerëz” nëpërmjet krijimit të kësaj monedhe dixhitale.
Pavarësisht pretendimeve të ndryshme, potenciali komercial i saj është shumë i rëndësishëm, po aq sa janë edhe problemet që mund të shkaktohen prej saj. Nëse secili prej 2.4 miliardë përdoruesve të Facebook do të konvertonte vetëm një pjesë të kursimeve të tyre në Libra, ajo shumë shpejt do të shndërrohej në një monedhë të shpërndarë gjerësisht. Nëse do të fillojë të përdoret gjerësisht, ajo mund të krijojë një pushtet të pashembullt në duart e emetuesit të saj.
Pikërisht për të shmangur komentet negative dhe kritikat e ndryshme ndaj Facebook në lidhje me keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve, keqinformimin apo problematika të tjera të cilat i kanë zhvlerësuar aksionet e tij në sytë e politikëbërësve, përdoruesve dhe partnerëve të tjerë të mundshëm, megjithëse jo tek investitorët, Facebook ka vendosur që menaxhimin dhe drejtimin e Libra-s t’ia transferojë një konsorciumi anëtarësh të denjë të rekrutuar nga bota e financave, teknologjisë dhe OJQ-ve.
Pasojat për sistemin financiar global mund të jenë të rëndësishme. Po aq i rëndësishëm mund të jetë edhe ndikimi i saj në biznesin e Facebook. Nëse ky projekt do të jetë në lartësinë e modeleve të tjera, blerja, shitja, mbajtja, dërgimi dhe marrja e Libra-s do të jetë shumë e lehtë. Ajo mund të realizohet nëpërmjet aplikacionit të Messenger apo nëpërmjet WhatsApp, dhe më vonë, për shembull pas një viti mund të transferohet plotësisht në një aplikacion të pavarur. Aktualisht, Messenger ofron pagesa për amerikanët, ndërsa WhatsApp është duke testuar një mënyrë të ngjashme shërbimi në Indi. Por këto shërbime nuk i kalojnë kufijtë e shteteve ku përdoren dhe kërkojnë që përdoruesit të kenë një llogari bankare.
Firmat Fintech si TransferWise, të cilat ofrojnë transferta ndërkombëtare të parave, marrin 4-5% për çdo transfertë prej 200 dollarësh. Por Libra do të jetë edhe më e lirë dhe nuk do të kërkojë një llogarie bankare: më shumë Bitcoin se Venmo. Nëse funksionon, Libra, mund të shndërrohet në një burim të ardhurash për Facebook, edhe pse jo në mënyrë direkte. Tarifat e transaksioneve nuk do të gjenerojnë shumë të ardhura. Por Libra do t’i krijojë mundësinë Facebook që të rrisë çmimet e reklamave online, duke bërë që blerjet e produkteve të reklamuara të kryhen më shpejt dhe më thjesht.
Ai mund të sigurojë një burim të ri të dhënash për të synuar reklamat, duke krijuar informacione mbi përdoruesit. Facebook mund të arrijë të njëjtin nivel suksesi të WeChat, super-aplikacionit kinez i cili ofron pagesa dhe shërbime të tjera, por ambiciet e jashtme të tij nuk mund të zhvillohen deri në momentin që të përfundojë lufta tregtare Sino-Amerikane. Ndoshta, teknikisht dhe financiarisht, Facebook mund ta menaxhojë vetë këtë sipërmarrje ambicioze, por jo politikisht. Kultura e kompanisë së saj ka ndryshuar shumë pak nga fillimet e saj, kur ajo përpiqej të zhvillohej sa më shpejt të ishte e mundur, edhe pse duke shkelur shumë rregulla të cilat nuk duhet t’i thyente.
Për shkak të së kaluarës, të shumtë mund të jenë konsumatorët të cilët mund të zgjedhin që të mos t’ua besojnë paratë e tyre një rrjeti social, i cili deri vonë ka shitur të dhënat e tyre pa kurrfarë kujdesi në ruajtjen e privatësisë së tyre. Dhe nëse aplikacionit në fjalë do t’i mungojnë përdoruesit, atëherë edhe tregtarët mund të ngurrojnë që ta përqafojnë këtë monedhë të re, sado të mëdha të jenë avantazhet e tjera që ajo ofron. Konsorciumi Libra, me seli në Gjenevë, do të përbëhet nga 28 anëtarë (nga 100 që u planifikuan fillimisht) me të drejta të barabarta votimi dhe duke vepruar sipas një sistemi të decentralizuar që prodhon monedha. Në këtë konsorcium janë përfshirë firmat financiare (Visa, Stripe), shërbimet online (Spotify, Uber), portofolat e kriptomonedhave (Anchorage, Coinbase), sipërmarrësit kapitalistë (Andreessen Horowitz, Union Square Ventures) dhe kompanitë e bamirësive (Kiva, Mercy Corps).
Në të nuk ka asnjë bankë të përfshirë. Për të rritur besueshmërinë ndaj Libra-s, por kryesisht edhe ndaj Facebook (që në të kaluarën është thyer si pasojë e gabimeve të shumta), ky i fundit krijoi Calibra-n, e cila do të menaxhojë dhe drejtojë shërbimet e Libra-s brenda aplikacioneve të saj. Në mënyrë që Libra të ketë sukses, konsorciumi do të paguajë tregtarët që të ofrojnë zbritje për klientët që përdorin monedhën e re, e financuar nga një fond me vlerë prej 10 milionë dollarësh, i cili është grumbulluar nga shuma që secili anëtar paguan për të qenë pjesë e këtij konsorciumi. Facebook gjithashtu do të donte që çdokush, jo vetëm konsorciumi, të mund ta gjeneronte monedhën, ta transferonte atë dhe të ofronte shërbime nëpërmjet blockchain të saj.
Projekt i vështirë
Në një projekt me këtë vështirësi, jo gjithçka mund të shkojë mirë. Edhe pse Facebook thotë se ka një shembull se si një projekt i tillë funksionon, teknologjia e tij është ende e patestuar dhe skeptikët dyshojnë që ai do të ketë sukses, ndërsa hacker-at padyshim do të vihen në lëvizje që në momentin e parë që do t’u jepet mundësia të veprojnë. Pastaj janë edhe dinamikat në bazë të të cilave funksionon konsorciumi. Facebook duhet t’u provojë anëtarëve të Libra-s se është vërtet gati të heqë dorë nga kontrolli.
Në të njëjtën kohë, për shkak se vendimet e rëndësishme merren nga një shumicë prej dy të tretash të anëtarëve, padyshim që do të ketë edhe konflikte sepse jo të gjithë do të bien dakord. Historia e teknologjisë së informacionit është e mbushur plot me nisma, të cilat nuk arritën të ishin të suksesshme si pasojë e konflikteve të brendshme. Pengesa më e madhe mund të jetë politike. Facebook, me sa duket, është konsultuar me shumë rregullatorë. Ofertuesit e portofolave dixhitale do të duhet të pajtohen me rregullat kombëtare, si ato kundër pastrimit të parave.
Calibra, integrimi fillestar i së cilës në Messenger dhe WhatsApp do ta shndërrojë atë në portofolin dominues, padyshim që do të shoqërohet edhe me shqetësimet në rritje të konkurrencës. Shqetësimet e konkurrencës mund të shndërrohen në shqetësime mbi stabilitetin financiar, pasi monedha e re të fuqizohet dhe të decentralizohet. Pra suksesi i Libra-s nuk është i sigurt. Por edhe nëse kjo rezulton e vërtetë dhe ky projekt të mos ketë sukses, të paktën ai do të shërbejë për të parë mënyrën sesi Facebook mund të qeveriset në të ardhmen. Detyra kryesore e Shoqatës Libra është të mbikëqyrë blockchain, duke siguruar, për shembull, se Calibra nuk do të jetë më e privilegjuar se të tjerët.
Sipas mendimit të disa vëzhguesve, një shoqatë ekuivalente me atë të Facebook mund të përbëhet nga përfaqësues të përdoruesve, reklamues, autoritetet për mbrojtjen e të dhënave e kështu me radhë. Puna e tyre mund të jetë mbikëqyrja e “grafikut social”, një bazë tjetër të dhënash, e cila liston të gjithë përdoruesit e Facebook dhe lidhjet mes tyre, duke garantuar që përdoruesit e Facebook të mund të postojnë në një rrjet tjetër social dhe anasjelltas.
Kërkesat që Facebook të funksionojë sipas disa rregullave të përcaktuara, po rriten dhe madje po bëhen edhe më të forta, sidomos pas marrjes në konsideratë të ndikimit të këtij të fundit në çështje të ndryshme botërore, që nga ndërhyrja në zgjedhjet në Amerikë e deri te gjenocidi në Mianmar. Vitin e kaluar, vetë z. Zuckerberg njoftoi se Facebook donte të ngrinte një “një bord për rishikimin e përmbajtjes” të përbërë nga ekspertë të pavarur, dhe që do të funksiononte si një lloj “Gjykate Supreme”, e cila do të jepte gjykimin përfundimtar mbi atë që do të konsiderohej si përmbajtje e lejueshme apo jo.
I pyetur nëse Libra mund të shërbejë si një model për Facebook, David Marcus, i cili është në krye të këtij projekti, përgjigjet se ajo padyshim shënon “ardhjen e një epoke tjetër, në momentin që Facebook pranon se ka disa gjëra që nuk mund të jenë patjetër nën kontrollin e tij, si dhe shënon largimin radikal nga mënyra tradicionale e funksionimit të gjërave”. Z. Marcus thotë më tej se, ekziston edhe mundësia që Libra të shërbejë si një model për Facebook, por kontrollet dhe balancat me siguri që do ta bënin Facebook më pak fitimprurës. Do të ishte shumë ironike nëse kjo monedhë e re dixhitale të shënonte fundin e ditëve të arta të Facebook.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.