Sipas një sondazhi të fundit të kryer nga Reuters, vrulli i korunës çeke do të ndalet në muajin e ardhshëm të këtij viti, i ndjekur nga pas edhe nga forinta hungareze e cila pritet të bjerë në nivelet e saj më të ulëta gjatë këtij viti. Sipas analistëve, ngadalësimi i ekonomive globale do të ndikojë shumë edhe në monedhat europiane qendrore.
Faktorët globalë, siç janë shqetësimet e tregut dhe pasiguria në lidhje me daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, krijuan probleme të shumta sa i takon monedhave të rajonit në vitin 2019, por sipas ekonomistëve, ka edhe një sërë faktorësh të tjerë lokalë që do të luajnë rol të rëndësishëm gjatë 2020-s.
Ekonomistët presin që zloti polak, të humbasë 1.6% ndaj euros, në kushtet e një ngadalësimi të mundshëm të rritjes dhe përshpejtimit të inflacionit.
“Ekonomia duket se do të ngadalësohet … ne kemi gjithashtu një Bankë Qendrore që me siguri nuk do të kufizojë normat e interesit këtë vit edhe pse inflacioni do të rritet në mbi 3.5% gjatë vitit në tërësi”, tha Liam Peach, ekonomist për tregjet europiane në zhvillim në Capital Economy.
“Unë mendoj se në vijim ne do të bindemi më shumë me provat që do të shikojmë, në lidhje me mënyrën sesi sektori i jashtëm po lufton për të përballuar dobësitë e hasura në Gjermani”, vazhdoi ai më tej.
Përveç kësaj, janë edhe rreziqet që lidhen me depozitat në franga zviceriane, si pasojë e frikës se huatë do të konvertohen në monedhën vendase me kushte të pafavorshme për bankat.
Forinta hungareze, monedha më e dobët në Europën Qendrore në vitin 2019, pritet të shënojë një rënie prej 1.35 për qind kundrejt euros.
Marcin Sulewski, një ekonomist në Santander Bank Polska, beson se panorama globale do të bëhet më e qartë në vitin 2020, e megjithatë, një gjë e tillë nuk do të ndikojë në ndalimin e rënies së forintës hungareze.
“Pozitiviteti i tregut global mund të ndikojë disi në ngadalësimin e trendit rënës të forintës hungareze, por gjithsesi ne nuk presim ndonjë rikuperim të madh…normat e interesit në Hungari janë të ulëta dhe nuk ka asnjë shenjë të mundshme, që banka të përpiqet të normalizojë politikën e saj monetare në Hungari”, tha z. Sulewski.
Banka Qendrore e Hungarisë që prej vitit 2016 i ka mbajtur normat e saj të interesit në 0.9 për qind. Koruna çeke, e cila arriti nivelin e saj më të lartë gjatë javës së kaluar, njëkohësisht edhe niveli i saj më i lartë në 23 muajt e fundit, pritet të shënojë një rënie prej 0.7 për qind kundrejt euros, teksa ekonomia ngadalësohet.
Ky nivel i lartë i korunës çeke ka befasuar shumë prej analistëve, të cilët prisnin që monedha hungareze të shënonte rënie gjatë tremujorit të parë të 2020, gjë që bëri që analistët të ndryshojnë parashikimet e tyre të bëra gjatë një muaji më parë.
“Por ne nuk jemi shumë të sigurt që rritja e korunës do të vazhdojë duke qenë se dobësia industriale vazhdon dhe Banka Qendrore ka të ngjarë të tregohet më e rreptë gjatë 2020”, u shprehën analistët e Citi.
Buxheti i Rumanisë, deficitet e llogarisë korente dhe pasiguria politike do të vazhdojnë të ndikojnë në nivelin e ulët të leit gjatë 2020, ku sipas ekonomistëve do të kemi një rënie prej 3 për qind.
“Ne duhet të marrim parasysh ndikimin e premtimeve zgjedhore politike, që qeveria aktuale ka bërë, kryesisht në drejtim të rritjes së pensioneve”.
“Kjo është e rëndësishme sepse e shtyn në mënyrë të efektshme deficitin publik mbi pragun prej 3%”, tha Krystian Jaworski, Kryeekonomist në Credit Agricole CIB. Dinari serb parashikohet të bjerë me 0.2 për qind. “Në përgjithësi, unë pres stabilitet relativ … dinari serb është relativisht i fortë, ai vazhdon të ketë një ecuri të mirë, i mbështetur nga një rritje e fortë ekonomike”, tha Jakub Kratky, analist financiar në Generali Investments për EQL.