Bizneset po falimentojnë, qeveria ndërton rrugë
Parashikimet ekonomike nuk kanë asnjë dozë optimizmi këtë vit. Çdo muaj bizneset llogarisin humbjet, si pasojë e pandemisë që ka goditur çdo sektor, ndaj dhe ministria e financave, brenda gjashtë muajve të parë të 2020-ës, është detyruar të ndryshojë buxhetin tri herë.
Për të përballuar rënien e të ardhurave, në një kohë që qeveria duhet të shpenzojë për rindërtimin pas tërmetit dhe përballimin e emergjencës shëndetësore, financat parashikojnë që këtë vit të marrin 1 miliardë euro borxh në tregun e brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Ndërkohë, rreth 700 milionë euro janë fonde të parashikuara për investime në disa projekte të mëdha rrugore. Sipas ekspertëve, kjo nuk është mënyra e duhur për të përballuar pasojat e pandemisë.
Korriku, muaji i dorëzimeve
Data 31 korrik, është afati i fundit për dorëzimin e bilanceve financiare të vitit 2019, në drejtorinë e tatimeve, por edhe në qendrën kombëtare të biznesit. Burimet në QKB thonë për Monitor Ekonomi se nga të dhënat e deritanishme në regjistrin tregtar rezulton se janë kryer 12% më pak aplikime se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bizneseve u mbeten edhe pak ditë në dispozicion për të përfunduar procedurat, për të cilat kujtojmë se një vit më parë testimi i sistemit të ri, solli mjaftueshëm probleme për shkak të mbingarkesës së aplikimeve dhe lënies së dorëzimit në ditën e fundit të afatit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ri-publikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.