Provoni të thoni të vërtetën.
Sa shpesh gënjeni? Mbase jo shumë shpesh – të paktën jo gënjeshtra, që mund të dëmtojë dikë.
Por, sa shpesh nuk arrini të jeni të sinqertë me bashkëshortin, punonjësit, klientët dhe ndoshta, më e rëndësishmja, me veten?
Kjo është ndoshta pak më e vështirë për t’u llogaritur, sepse ne e bëjmë atë gjatë gjithë kohës, pavarësisht nëse është duke buzëqeshur për të mos lënduar dikë, për t’i thënë klientit vetëm anët më të mira të shërbimit tuaj, ose për të gënjyer veten se do të bëni diçka më vonë, kur nuk keni ndër mend ta bëni atë vërtet.
Megjithëse këto gënjeshtra të vogla mund të duken të dobishme për momentin, ato ndonjëherë bëjnë më shumë dëm sesa mirë.
Por, cila është zgjidhja? Ndershmëri e plotë. Është një praktikë, që të sfidon të jesh i sinqertë, në çdo gjë që bën, me veten dhe me të tjerët.
Por, e vërteta mund të thuhet edhe pa lënduar të tjerët. Qasja e çdo situate me ndershmëri të plotë, mund t’ju ndihmojë të bëheni lider më i mirë, me integritet dhe të transformojë biznesin tuaj.
Më poshtë shpjegohen pesë mënyra për të qenë i ndershëm në zbatimin e strategjisë së drejtimit.
1. Gjykoni qartë duke ndarë vëzhgimet nga mendimet
Ndershmëria fillon me vëzhgimin. Vëzhgoni ndjesitë fizike, mjedisin përreth dhe mendimet, më pas thoni çfarë po shihni me zë të lartë, pa bërë gjykime.
Ky ushtrim synon t’ju ndihmojë të mësoni të dalloni atë që vini re, nga ajo që mendoni ose ndjeni për të.
Ju ndihmon të dalloni paragjykimet dhe të shikoni përvojat tuaja me një këndvështrim më objektiv, edhe në punë.
2. Jini të sinqertë me veten
Jini të sinqertë me veten së pari. Ku po e gënjeni veten? Të mësosh të veçosh atë që vëren nga mendimet, është thelbësore për të zbuluar të vërtetën.
Ndoshta po gënjeni veten se do të shkoni në palestër nesër, ose ndoshta mendoni se të gjithë do ta vënë re një të metë, për të cilën ndiheni të pasigurt.
Cilat aspekte të vetvetes i keni shtypur dhe a janë ato fusha ku mund të rriteni?
Kur zbuloni një gënjeshtër që i keni thënë vetes, përballuni me të dhe mësoni prej saj. Zotërimi i së vërtetës suaj, do t’ju lejojë të shihni fushat ku duhet të rriteni, si dhe të njihni pikat e forta si njeri dhe si drejtues.
3. Nxisni ndershmëri mes ekipit tuaj
Ndershmëria radikale është më shumë sesa thjesht të jesh i sinqertë me veten – duhet të jesh i sinqertë edhe me të tjerët.
Vendi më i mirë për të filluar është të ndani të vërtetën tuaj: Pranoni gabimet tuaja. Jini më të vërtetë për atë që jeni.
Mos mbani sekrete, veçanërisht nga njerëz të rëndësishëm si familja dhe anëtarët kryesorë të ekipit të punës. Të qenit i hapur dhe i sinqertë brenda biznesit, do të bëhet shembull, duke nxitur të tjerët të jenë të vërtetë dhe të ndershëm.
Jini të hapur me ekipin në lidhje me vendimet e menaxhimit dhe performancën e biznesit, dhe pranoni komentet dhe idetë e tyre.
Kur keni një konflikt me dikë, tregojini atij në një mënyrë të mirë dhe të sinqertë, se çfarë po e shkakton problemin. Përqendrohuni te problemi dhe jo te personi. Gjeni një zgjidhje përmes qartësisë dhe mirësisë.
Ky mjedis pune është i vlefshëm për punën në grup, zgjidhjen e problemeve, konflikteve dhe ndërtimin e besimit.
4. Gjeni zgjidhje më shpejt
Ndershmëria e plotë është mjet i fuqishëm në vendin e punës për zgjidhjen e problemeve dhe konflikteve.
Sigurisht, ndershmëria duhet të tregoni takt, për të shmangur lëndimin e ndjenjave të individëve të përfshirë, por mund të shmangni një sasi të konsiderueshme keqkuptimesh.
Ndershmëria gjatë konflikteve ndërpersonale mund të jetë veçanërisht e dobishme – siguron komunikim të qartë dhe i mban të gjithë të përfshirë nga keqinterpretimi i ndjenjave, mendimeve ose qëllimeve të të tjerëve.
Kur në mjedisin e punës ka kulturë ndershmërie dhe vërtetësie, ku anëtarët e ekipit nuk kanë frikë nga gjykimi, ka hapësirë për komunikim më të mirë dhe zgjidhje të konflikteve.
5. Krijoni besim te të tjerët
Ndershmëria e plotë ndihmon në krijimin e besimit me ekipin, miqtë, familjen, klientët dhe aksionarët.
Të qenët i sinqertë, si për gjërat pozitive ashtu edhe për ato negative, i bën njerëzit të kuptojnë se jeni të besueshëm dhe ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve të mira.
Për shembull, nëse e dini se nuk jeni më i përshtatshmi për të përmbushur nevojat e një klienti, referimi i tyre diku , do të sigurojë që ata t’ju kujtojnë si një drejtues i besueshëm dhe ata mund t’ju rekomandojnë të miqtë e tyre në të ardhmen.
Kur ndershmëria e plotë mund të mos jetë e dobishme për drejtuesit?
Ndershmëria mund të jetë nj mjet i fuqishëm, si për rritjen personale ashtu edhe për drejtimin, por është e rëndësishme të zbatohet me kujdes.
Të qenët i sinqertë, nuk kërkon që të ndani çdo mendim. Ndonjëherë është më mirë të mos e shprehni atë që po mendoni, nëse nuk është produktive; mund të lëndojë ose te jetë e nxitur nga ndjenjat negative në atë çast.
Si një drejtues biznesi, përgjegjësia juaj shkon përtej arritjes së suksesit financiar. Krijimi i një kulture ndershmërie dhe vërtetësie, mund të ndihmoj në bashkimin e ekipit, komunikim dhe vendimmarrje më të mirë.
Praktikoni ndershmërinë në çdo aspekt të drejtimit, duke përfshirë reagimet dhe zgjidhjen e konflikteve.
Krijimi i besimit te të tjerët, është përfitim kryesor i ndershmërisë, e cila mund të çojë në më shumë mundësi për rritje dhe sukses. / Entrepreneur