Ata mund të pësojnë “burnout” dhe të largohen…
Edhe punonjësit më të angazhuar mund të lodhen nga puna e tyre – veçanërisht gjatë pandemisë.
Pëlqimi i punës tuaj nuk do t’ju shpëtojë
Një numër gjithmonë e më i lartë studimesh po eksplorojnë lidhjen midis angazhimit të lartë në punë dhe “burnout”-it, të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e përkufizon si “stres në vendin e punës që nuk është menaxhuar me sukses”. Tre komponentët e “burnout”-it, sipas OBSH-së, janë: rraskapitja, cinizmi dhe performanca e përkeqësuar.
Një studim i vitit 2018 nga Qendra Yale për Inteligjencën Emocionale dhe Qendra e Studimit të Fëmijëve në Yale zbuloi se gati një në pesë punonjës shfaqi shenja të angazhimit të lartë në punë dhe të burnout-it. Platforma e trajnimeve të karrierës BetterUp e ka nxjerrë këtë shifër si një në tre. Studimi i Yale zbuloi gjithashtu se punonjësit e angazhuar që kishin burnout, shprehën tendencën më të madhe nga të gjithë punonjësit e anketuar për të lënë punën e tyre.
Julia Moeller, autorja kryesore e studimit dhe Emma Seppälä, psikologe në Stanford, dhanë alarmin në Harvard Business Review në vitin 2018. “Kompanitë mund të rrezikojnë të humbasin disa nga punonjësit e tyre më të motivuar dhe më punëtorë, jo për shkak të mungesës së angazhimit, por për shkak të përjetimit të njëkohshëm të stresit të lartë dhe të burnout-it nga ana e tyre”, thanë ato.
Disa studime sugjerojnë se ky tension midis angazhimit dhe lodhjes së madhe është i zakonshëm më tepër te punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe te mësuesit. Jiménez e quajti këtë: “lodhje nga dhembshuria”.
Gail Miller, një mësuese në Kentaki për personat me aftësi të kufizuara, e cila ka 22 vjet përvojë, tha për Axios në nëntor se “është për të ardhur keq, sepse unë e dua punën që bëj, por urrej të gjitha gjërat shtesë që duhet të bëjmë”, si për shembull ruajtja e protokolleve të COVID-19 në klasë. Miller tha se ishte e rraskapitur dhe se praktikisht po priste me padurim daljen në pension.
Washington Post raportoi se Lorna Breen, një mjeke e departamentit të urgjencës, vdiq nga vetëvrasja në prill të vitit 2020, vetëm pak kohë pasi kishte publikuar një artikull shkencor ku ajo kishte qenë bashkëautore, i cili lidhej pikërisht me shkallët e larta të burnout-it të mjekëve të departamentit të urgjencës.
Menaxhimi i mbingarkesës në punë
Menaxherët gjithashtu duhet të sigurohen se nuk po shfrytëzojnë entuziazmin e punonjësve për punën e tyre, tha Christina Maslach, profesore emerita e psikologjisë në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, e cila ka bërë një studim mbi burnout-in. Maslach shtoi se, ndonjëherë, njerëzit që janë shumë të angazhuar “mund të shfrytëzohen” – ata performojnë aq mirë në punën e tyre sa menaxherët u japin më shumë punë për të bërë sesa ata mund të përballojnë nga pikëpamja realiste.
Të qenët shumë i angazhuar nuk ju bën drejtpërdrejt të ndiheni të rraskapitur ose me burnout. Pavarësisht se rraskapitja nuk është sinonim i burnout-it, ajo është një nga komponentet e tij. Ky lloj specifik i burnout-it ndodh më shpesh kur një punonjës shumë i angazhuar po menaxhon shumë kërkesa, pa pasur burimet e duhura nga punëdhënësi i tyre. Davis tha se këto burime mund të përfshijnë gjëra të tilla si fleksibiliteti, autonomia dhe mundësia për t’u rritur si profesionist.
Jiménez tha se shpresonte që ndryshimi i dinamikës së vendit të punës do t’u jepte mundësi punëdhënësve të rimendonin mënyrën se si është strukturuar puna. “Një botë e re e punës kërkon mënyra të reja për t’iu qasur punës,” tha ajo. “COVID hodhi dritë mbi një pikë shumë të rëndësishme, mbi nevojën që kompanitë të ndihmojnë punonjësit e tyre të zhvillojnë një mendësi dhe sjellje që i mundëson atyre të mbajnë suksesin e arritur në këtë botë komplekse.” / Insider