Intervistë me Akan Ajdini, drejtor i përgjithshëm i Iute Credit
Kriza e COVID-19 ka sjellë tashmë efektet e para në cilësinë e portofolit të institucioneve të mikrofinancës. Akan Ajdini, drejtor i përgjithshëm i Iute Credit, thotë se raporti i kredive me probleme është rritur me rreth 10 pikë përqindje që nga fillimi i krizës. Megjithatë, ai shprehet optimist se kreditimi dhe cilësia e portofolit do të përmirësohen gradualisht, nëse ekonomia nuk do të pësojë goditje të tjera.
Sfidë në afatin e shkurtër sot për institucionet e mikrofinancës ngelet sigurimi i burimeve të financimit për të mbështetur aktivitetin kreditues. Z.Ajdini thotë se mikrofinanca konsumatore nuk duhet paragjykuar, sepse jep kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e konsumit. Interesat e larta, sipas tij, lidhen me modelin e biznesit që kërkon marrjen përsipër të një rreziku shumë të lartë dhe kostove të IT të lidhura me modelin e biznesit.
Si u ndikua sektori i mikrofinancës nga pandemia?
Sektori u ndikua relativisht shumë. Treguesit kryesorë ku e ndiem këtë efekt ishin pagesat e kredisë nga klientët dhe gjendja e likuiditetit të institucionit. Në kushtet e mbylljes, ishte edhe normale që njerëzit të kishin vështirësi për të paguar këstet, çka iu shtua edhe elementi i moratoriumit, i cili i shtynte këstet për tre muaj. Megjithatë, vlen për t’u përmendur se rreth 25% e klientëve ishin korrektë me pagesat, edhe në periudhën më të zezë, kur liridalja ishte e kufizuar në minimum. Kjo për mua është e rëndësishme, sepse tregon që klientët ishin përgjithësisht korrektë. Ne vendosëm prioritet likuiditetin.
Ulëm kredidhënien, por pa e ndaluar totalisht atë; ulëm shpenzimet e kompanisë në tre drejtime kryesore. Ulëm shpenzimet e stafit, duke reduktuar pagat nga 10% deri në 20%, në varësi të nivelit të pagës; shkurtuam shpenzimet e qirave të degëve dhe pjesa më e madhe e qiradhënësve ishin bashkëpunues, na mirëkuptuan; ulëm gjithashtu edhe shpenzimet e marketingut, çka ishte më se normale në një moment të atillë.
Pas qershorit, situata nisi të përmirësohet, duke u kthyer gradualisht drejt normalitetit, por ende nuk jemi në normalitetin e parakrizës. Kur të arrijmë në treguesit e marsit dhe shkurtit, atëherë mund të themi se jemi pranë normalitetit. Këtu kam parasysh kredidhënien e re dhe treguesit e cilësisë së portofolit.
Cilësia e portofolit mund të jetë një element për t’u përmendur, meqë ju patët moratorium më të shkurtër se sektori bankar dhe tashmë mund të bëni një bilanc të parë të efekteve të krizës.
Portofoli sot ka cilësi më të keqe, megjithëse është në përmirësim gradual. Krahasuar me periudhën e parakrizës, raporti i kredive me probleme është rritur me rreth 10 pikë përqindje.
Ndërmorët shkurtime të vendeve të punës?
Shumë pak, gjithsej shtatë vetë, nga 120 vetë që ishte numri total i punonjësve. Janë shkurtime që mund të bëhen edhe në kohë normale, po të vlerësohet performanca me sy më kritik.
Si paraqitet ecuria e biznesit të kompanive të mikrofinancës pas hapjes së ekonomisë? Vëreni përmirësime të kërkesës për kredi?
Që nga qershori, kërkesa për kredi është në përmirësim të vazhdueshëm, ndonëse me ritme të ngadalta. Në muajin gusht, përmirësimi arriti pikun, i lidhur edhe me sezonin e pushimeve. Mendoj se ekonominë e ndihmoi shumë ardhja e rreth 800 mijë turistëve nga Kosova.
Sa të gatshme janë sot institucionet e mikrofinancës për të kredituar dhe për të marrë përsipër rrezik?
As kërkesa nuk ka arritur nivelin e periudhës së parakrizës, por, sigurisht sot edhe oferta për kredi është më e kujdesshme. Ne ngelemi të gatshëm të japim kredi, por me kritere më konservatore se më parë. Përpiqemi të jemi më përzgjedhës dhe të marrim përsipër më pak rrezik. Por, edhe në drejtim të ofertës mendoj se do të kemi një lehtësim gradual, edhe në varësi të përmirësimeve të situatës ekonomike. Ne po kreditojmë çdo muaj më shumë krahasuar me muajin paraardhës.
Te cilat produkte po mbështeteni më shumë në këtë periudhë?
Ne konstatojmë se vazhdon të ketë kërkesë të kënaqshme te kreditë me palë të treta, për blerjen e produkteve elektroshtëpiake dhe elektronike.
Institucionet tuaja aplikojnë norma të larta interesi. Keni pasur ndryshime në politikën e çmimeve gjatë kësaj periudhe?
Duke qenë se rreziku ishte më i lartë, edhe interesat e reflektuan këtë rrezik në rritje për një periudhë të caktuar. Por, sot që flasim, jemi kthyer pranë normave të zakonshme të interesit që aplikojmë në biznesin tonë. Interesat tona janë të larta në krahasim me bankat, sepse kostot janë të larta, të lidhura sidomos me investimet në teknologji dhe marketing, por mbi të gjitha modeli i rrezikut është ndryshe. Ne u japim mundësi më shumë njerëzve të marrin kredi, i procedojmë aplikimet shumë më shpejt dhe me procedura minimale. Kjo përkthehet në një rrezik dhe kosto shumë më të lartë.
A ka ndikuar kriza në shtrëngimin e burimeve të financimit të aktivitetit të mikrofinancës?
Patjetër dhe ne prisnim më shumë ndihmë nga qeveria në këtë drejtim, kryesisht nëpërmjet dhënies së aksesit në linja financimi me çmime të arsyeshme. Këto para ne do t’i rishpërndanim, duke dhënë kredi për ekonominë. Një mbështetje e tillë ka munguar, gjatë kohës së pandemisë, por edhe më pas. Ne aplikuam pranë bankave tregtare për të përfituar nga linjat e financimit me garanci sovrane, por ato u treguan hezituese dhe ne nuk arritëm të përfitonim nga ky mekanizëm.
Ne kemi ende burime për të financuar kredidhënien tonë, por do të donim të financonim më shumë dhe çdo kontribut me linja financimi do të na ndihmonte ne dhe do të ndihmonte edhe ekonominë.
Si do ta adresoni këtë problem në vazhdimësi, nëse burimet klasike të financimit që përdorni do të vijojnë të jenë të shtrënguara?
Ne do të vazhdojmë të mbështetemi te fondet e siguruara nga kompania mëmë, që i siguron përmes emetimit të obligacioneve në bursën e Frankfurtit. Por, do të donim akses edhe në linja më të shpejta dhe lokale. Ne e kemi adresuar këtë shqetësim nëpërmjet Shoqatës së Mikrofinancës.
Në kushtet e sotme, mikrofinanca mund të jetë një ndër sektorët më të përshtatshëm për të tentuar ngritjen e financimeve nëpërmjet instrumenteve të tregut të kapitalit. E merrni në konsideratë një hap të tillë?
Procedura është e gjatë. Ne kemi qenë ndër institucionet e para që kanë emetuar obligacione dhe për të, po paguajmë me korrektësi interesat tek investitorët. Ne planifikojmë ta aplikojmë sërish në të ardhmen, por procesi ka disa hapa të caktuar burokratikë. Nga ana tjetër, në këtë kohë edhe investitorët janë më të kujdesshëm në ndërmarrjen e investimeve të reja. Megjithatë, them që kjo do të ketë shumë perspektivë në të ardhmen. E rëndësishme është që institucionet të jenë bashkëpunuese dhe mbështetëse ndaj këtyre alternativave, sigurisht duke garantuar respektimin e të gjitha kërkesave ligjore.
Do të dilni sërish me ofertë private apo mund të merrni në konsideratë edhe ofertën publike?
Mendoj se me ofertë private. Për fat të keq, këtu oferta publike perceptohet si grumbullim depozitash, pavarësisht se këtu po flasim për një formë të mirëfilltë investimi. Ndaj, mendoj se do të qëndrojmë tek emetimet private, me disa investitorë institucionalë ose biznese.
Cilat janë kapacitetet e kapitalizimit të sektorit dhe sa i aftë është për të përthithur humbje të mundshme nga kriza? Mendoni se mund të ketë falimentime mes institucioneve të mikrofinancës?
Nuk mendoj se do të ketë falimentime. Pres të ketë vështirësi në cilësinë e portofolit, mbase edhe në kërkesën për kredi, por besoj se tendenca është në përmirësim. Tremujori i fundit i vitit sjell edhe një rritje sezonale të konsumit dhe volumeve të biznesit. Gjithashtu, nëse siç pritet do të kemi një vaksinë brenda vitit, mendoj se ajo do të japë një efekt psikologjik edhe në ekonomi.
Cilat janë sfidat kryesore për institucionet e mikrofinancës në rrugën e daljes nga efektet e krizës që ka shkaktuar pandemia?
Mendoj se ngritja e financimeve do të ngelet një sfidë, të paktën deri në mesin e vitit të ardhshëm. Një çështje që duhet nxitur është dixhitalizimi, sidomos firmosja dixhitale. Ky duhet të jetë prioritet në axhendën e qeverisë. Pandemia po e nxit dixhitalizimin në të gjithë drejtimet, ndaj është momenti i duhur për të mundësuar edhe nënshkrimin e kontratave në formë elektronike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.