Mos u krahasoni me njëri-tjetrin, por me aty ku duhet të ishim!

30/01/2021 10:12 PM 0 komente

Editorial Monitor / Sot jetojmë në një botë dixhitale. Informacioni është lehtësisht i disponueshëm dhe i krahasueshëm, gjë që e bën atë të vështirë për t’u manipuluar nga numri i madh dhe gara se kush merr më shumë “like”, e “share”, apo grafikët plot me ngjyra…

 

Ethet e fushatës, teksa po afrohet data e zgjedhjeve, kanë nisur. Në një garë me njëra-tjetrën, të gjitha palët po përpiqen të tregojnë se cila ka punuar më mirë, i ka rritur më shumë të ardhurat, ka shtruar më shumë kilometra rrugë, e me radhë, kush e kush të marrë sa më shumë merita.

Është normale se një vend nuk rri në vend, sado e keqe që të jetë qeverisja e tij dhe sado mbytëse të jenë politikat fiskale, favorizimet e grupeve të caktuara, mungesa e konkurrencës së lirë e të ndershme. Bizneset do të përpiqen të punojnë e përshtaten, individët do të gjejnë alternativa të ndryshme për të mbijetuar, që nga vetëpunësimi e deri tek emigrimi. Nuk ka diskutim që kombi do të ecë përpara.

Krahasimi që sot duhet të bëjmë është se ku jemi e ku duhet të ishim. Treguesi më i mirë për ta matur këtë është se ku jemi në raport me shtetet e tjera të rajonit dhe Europës, sa kemi ecur në të ashtuquajturën konvergjencë (rritja me ritme më të shpejta se vendet e zhvilluara, në mënyrë që të kapim sa më shpejt mesataren e tyre), sa janë pagat mesatare, që në fund të fundit tregojnë se sa është përmirësuar mirëqenia e çdo individi. Nëse do të bënin këtë lloj krahasimi (për të dhënat deri në fund të 2019-s, pasi 2020-a nuk ishte një vit normal, i ndikuar nga Covid-19 dhe pasojat e tërmetit), atëherë shifrat nuk do të ishin në favor të asnjë qeverie.

Në fund të 2019-s, Shqipëria ishte ndër shtetet më të varfra të Europës, me Prodhimin e Brendshëm për frymë (PBB) sa 31% e mesatares europiane, duke lënë pas vetëm Kosovën dhe disa shtete të ish- Bashkimit Sovjetik, si Ukraina apo Moldavia. Në vitet e fundit, ky tregues ka mbetur pothuajse i pandryshuar, duke treguar një ngecje të qartë në rritjen e mirëqenies relative, në raport me shtetet e tjera të rajonit.

Paga mesatare në vend është rreth 430 euro, sërish më e ulëta në Europë. Të ardhurat e pamjaftueshme bëjnë që pjesa më e madhe e familjarëve të shpenzojnë mbi 40% të buxhetit për t’u ushqyer (nga 13% mesatarja europiane dhe rreth 30% rajoni), duke na renditur në nivelin e vendeve afrikane.

Vendi vijon të ketë informalitet të lartë në tregun e punës, me të ardhurat nga sigurimet shoqërore që janë sa gjysma e mesatares rajonale. Edhe buxheti, në raport me PBB-në mbledh rreth 26-27%, sërish ndër treguesit më të ulët në Europë.

Një tjetër tregues i përkeqësuar në raport me rajonin është borxhi publik, që në fund të 2019-s ishte rreth 70% e PBB-së, së bashku me detyrimet e prapambetura, rreth 20 pikë përqindje më i ulët se Serbia, (Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë më të ulët) dhe në nivele të ngjashme me Malin e Zi. Në fund të 2020-s, ky tregues arriti në 80% të PBB-së, sërish rekord në rajon.

I ndërlidhur me të dhënat e tjera të të ardhurave, është e qartë se rritja e borxhit publik nuk ka shërbyer për të nxitur mirëqenien (paga më të larta), apo produktivitetin e bizneseve (më shumë të ardhura në buxhet dhe më shumë përfitime për punonjësit). Edhe në periudhën e krizës, ndonëse borxhi publik u rrit me 10 pikë përqindje, ndër shtesat më të larta në Europë, ndihma direkte ishte më e ulëta, me vetëm 1% të PBB-së. Duke shtuar dhe detyrimet e fshehura për koncesionet/PPP-të e dhëna deri në 30 vitet e ardhshme, borxhi publik i kalon 90% të PBB-së, duke ua lënë “dhuratë” brezave të ardhshëm.

Tregues të tjerë si ata të korrupsionit, indeksit të qeverisjes, inovacionit e deri te numri i mjekëve për një mijë banorë e shpenzimet për shëndetësinë në raport me PBB-në na rendisin të fundit në Europë. Ndërsa të parët jemi për nivelin e emigracionit. Shqipëria u rendit e gjashta në botë në vitin 2019 sa u përket lejeve të qëndrimit që shtetasit e saj kanë në shtetet e Bashkimit Europian dhe e para në raport me popullsinë, si një tregues direkt se politikat e dekadave të fundit kanë dështuar të rrisin mirëqenien e ç’është më e keqja, besimin për një të ardhme më të mirë.

Sot jetojmë në një botë dixhitale. Informacioni është lehtësisht i disponueshëm dhe i krahasueshëm, gjë që e bën atë të vështirë për t’u manipuluar nga numri i madh dhe gara se kush merr më shumë “like”, e “share”, apo grafikët plot me ngjyra.

E vërteta, në një formë, apo tjetrën, gjithnjë do dalë, e qartë, e zezë në të bardhë.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of