Pavarësisht masave të rrepta që ka marrë qeveria për parandalimin e përhapjes së virusit, drejtuesit e automjeteve vijonë të thyejnë këto rregulla.
Policia e Shtetit njofton se numri i drejtuesve të autmjeteve që janë ndëshkuar me masë administrative ka shkuar në 745. Ndërsa janë vënë në pranga 5 drejtues mjetesh, në Tiranë, Lushnjë, Fier, Vlorë e Elbasan, të cilët në kundërshtim me urdhrin dhe në gjendje të dehur qarkullonin në rrugë, si dhe një drejtues mjeti në Shkodër për kundërshtim me dhunë ndaj punonjësit të rendit publik. Gjithashtu, në gjendje të lirë po procedohen edhe tre drejtues mjetesh në Shkodër, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë.
“Në këtë kuadër, prej orës 06:00 të datës 13.03.2020, deri në orën 06.00 të datës 14.03.2020, janë ndëshkuar me masë administrative sipas parashikimeve të nenit 7, paragrafi 12 i Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë (i ndryshuar), 745 drejtues mjetesh, të cilët nuk kanë respektuar urdhrin e dhënë për ndalim qarkullimi të automjeteve, në qytetet Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Shkodër. 93 drejtues mjetesh u shoqëruan në ambientet e Komisariateve të DVP-ve, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë për masën administrative, për thyerjen e urdhrit për ndalim qarkullimi të automjeteve dhe këtyre drejtueseve iu bllokuan edhe automjetet”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të respektojnë kufizimin e lëvizjes me mjete, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi në të kundërt do përballen me sanksione të përshkallëzuara ligjore sipas normave te përcaktuara ne Kodin Rrugor Shqiptare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.