Udhëtim në kryeqytetin rus, laborator i artit bashkëkohor…
Një erë e re fryn në Moskë, pavarësisht protestave dhe arrestimeve në masë në lidhje me zgjedhjen e kryebashkiakut, që nxorën në pah çështjen e të drejtave të njeriut të mohuara. Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor do të zhvillohet nga data 28 tetor deri më 22 janar, në një nga institucionet më të rëndësishme shtetërore, Galeria Tretyakov. Muzetë kanë shënuar shifra rekord – 2,9 milionë vizitorë në vitin 2018 dhe kjo vetëm në kompleksin e Kremlinit. Po ashtu janë rritur edhe hapësirat ekspozuese.
E fundit, Red Line Gallery, e përuruar në katin e tretë të magazinave legjendare Gum, midis harqeve të shekullit XIX të ndriçuara nga vitrinat luksoze të markave të kohës, propozon veç emra të mëdhenj dhe qëndron hapur deri në mbrëmjen vonë.
Pjesë e ekspozitës bëhet edhe Red October, ish-fabrika e çokollatës në ishullin Bolotny, vetëm dhjetë minuta më këmbë larg Kremlinit. E pagëzuar me emrin New Soho, është një strukturë gjigante që në pak vite ka rikrijuar vetveten, me hapësira ekspozuese si Lumiere Brothers Gallery, kushtuar fotografisë, por edhe me dyqane alternativë dhe qendra kulturore.
Nga ura Patriarshy, shikimi shkon drejt kantiereve të GES-2, qendër e artit bashkëkohor, në ndërtim, gjithnjë në ishullin Bolotny, një ish-central elektrik, 40 mijë metra katrorë, i cili do të përurohet në fillim të vitit 2020. Kjo është një vepër madhështore ruse, e cila mban firmën e arkitektit italian Renzo Piano dhe do të drejtohet nga Teresa Iaroçi Mavica, e cila është në krye edhe të fondacionit V-A-C të miliarderit Leonid Mikhelson, manjat i gazit dhe sponsor i projektit. Duke u kthyer drejt qendrës ju do të përshkoni Zaryadye Park, i cili mban firmën e studios Diller Scofidio + Renfro, e cila ka ideuar edhe High Line në Nju Jork.
Moska e re, nga Mmoma në Gorky Park
Kompleksi, me një milion bimë dhe një shëtitore që qëndron pezull mbi lum, është simbol i Moskës së re. Për të admiruar qytetin mjafton të zgjidhni një restorant me pamje si White Rabbit. Restoranti renditet i 13-ti në klasifikimin e përvitshëm të The World’s 50 Best Restaurants.
Po aq spektakolar është dhe O2, në majë të Ritz Carlton. Dy hapa më larg është Mmoma, Muzeu i Artit Bashkëkohor, një koleksion i mahnitshëm i artit rus me një program të pasur me ekspozita. Duke nisur nga 1 tetori do të mirëpresë veprat e Yoko Ono.
Ju duhet të shihni patjetër Garage në Gorky Park, një kub prej xhami dhe çeliku i studios OMA të Rem Koolhaas. “Këtë vit, të gjithë ekspozitat kanë si temë mjedisin” – thotë drejtuesi Anton Belov, duke treguar me dorë instalacionin Graft, bashkëpunim i artistëve Allora & Calzadilla, me 80 mijë lule artificiale, që do të qëndrojnë deri në dhjetor, përpara muzeut.
Burimi: Corriere della Sera