Mosmarrëveshjet mbi investimet e huaja nga Bashkimi Europian

21/06/2019 10:05 PM 0 komente

Pse Bashkimi Europian po mban një qëndrim kundër marrëveshjeve dypalëshe të investimeve. Me populistët që korruptojnë gjykatat, investitorët e huaj kanë nevojë për masa mbrojtëse që të ndihen të sigurt

 

Pas rënies së Murit të Berlinit dhe përpara se vendet e Europës Qendrore dhe Lindore të fillonin të bëheshin pjesë e Bashkimit Europian në vitin 2004, zyrtarët në Bruksel nxitën fuqishëm krijimin e marrëveshjeve dypalëshe të investimeve ndërmjet vendeve anëtarëve të bllokut dhe fqinjëve të tyre në Lindje, shkruan The Economist. Marrëveshjet dypalëshe të investimeve janë marrëveshje ndërqeveritare, që rregullojnë mosmarrëveshjet midis investitorëve të huaj dhe shteteve pritëse.

Qëllimi i tyre është të mbrojnë investitorët nga diskriminimi dhe shpronësimi (mosmarrëveshjet ndërmjet kompanive trajtohen veç e veç). Komisioni Europian shpresonte se këto marrëveshje do të nxisnin investimet në rajon në përfitim, si të investitorëve ashtu edhe të vendeve të ish-bllokut sovjetik. Dhe në fakt, kjo rezultoi e vërtetë, sepse falë këtyre marrëveshjeve, flukset e kapitalit u rritën. Gjermania, për shembull, u shndërrua në një prej investitorëve më të rëndësishëm në Hungari dhe në Republikën Çeke.

Marrëveshjet dypalëshe të investimeve janë kthyer në një mënyrë të zakonshme të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të rajonit, me rreth 145 raste të paraqitura që prej vitit 1989. Megjithatë, me kalimin e kohës, Eurokratët janë bërë më të ftohtë ndaj këtyre marrëveshjeve dypalëshe të investimeve (BIT) kryesisht për shkak se ata janë të pakënaqur me vendin se ku ato shqyrtohen dhe analizohen, për t’u zgjidhur më pas.

Arbitrazhi kryhet nga Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), një organizëm i Bankës Botërore me qendër në Uashington. Komisioni Europian argumenton se ky është organizmi i gabuar për të zgjidhur mosmarrëveshjet e investimeve europiane. Sipas KE-së, gjykatat lokale do të ishin organizmi i duhur për t’i zgjidhur ato, dhe në rast se ato nuk marrin zgjidhje në gjykatat e vendeve përkatëse, atëherë organizmi i fundit për t’iu drejtuar mbetej Gjykata Europiane e Drejtësisë.

Kjo u reflektua qartazi edhe në mars të 2018, kur Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi kundër Achmea (një ndër siguruesit më të mëdhenj të shërbimeve financiare në Holandë), e cila kishte paditur Sllovakinë për shkelje të marrëveshjes dypalëshe të investimit ndërmjet Holandës dhe Sllovakisë, si pasojë e një ndryshimi në ligjin sllovak. Një gjykatë gjermane iu referua çështjes së mësipërme dhe zgjidhjes së dhënë nga Gjykata Europiane e Drejtësisë, duke argumentuar se klauzola e arbitrazhit në marrëveshje nuk përputhej me ligjin e BE-së. Në prag të vendimit të marrë ndaj Achmea, Komisioni deklaroi se mbi 190 marrëveshje dypalëshe investimi brenda BE-së duhet të përfundojnë deri në dhjetor të këtij viti.

Dëshira për të zgjidhur mosmarrëveshjet në gjykatat brenda vendit dhe jo në gjykatat e huaja përtej Atlantikut do të ishte e kuptueshme, në rast se ndaj të gjitha gjykatave në BE do të ekzistonte një ndjenjë e lartë besimi. Por, fatkeqësisht kjo gjë nuk ekziston. Në disa pjesë të Europës Qendrore, sistemi gjyqësor vendas nuk është as i drejtë dhe as i barabartë, sepse ai është nën ndikimin e politikanëve, gjë që fatkeqësisht po rritet.

Në Poloni, partia qeverisëse “Ligj dhe Drejtësi” ka ndikim të plotë në Gjykatën Kushtetuese në vend, sepse ka emëruar aty mbështetësit e saj të flaktë. Ajo ia ka lënë në dorë Parlamentit dhe jo gjyqtarëve të tjerë të zgjedhin anëtarët e Këshillit Kombëtar të Gjyqësorit, organ që merret me emërimet gjyqësore. Ndërsa në Hungari, Kryeministri Viktor Orban, ka ndryshuar së fundmi Kushtetutën për të frikësuar në këtë mënyrë gjyqtarët e vendit. Javën e kaluar, ai hoqi dorë nga planet për të krijuar një sistem gjyqësor paralel, i cili do të kishte trajtuar rastet e ngritura kundër organeve shtetërore, vetëm sepse ai druhej faktit se kjo do të shkaktonte dëbimin e partisë së tij nga Partia Popullore Europiane e Parlamentit të BE-së (që tashmë është pezulluar).

Së fundmi, Kryeministri çek, Andrej Babis, ka zëvendësuar ministrin e Drejtësisë me një ushtar besnik të tij, lëvizje të cilën e ka bërë me shpresën se do të arrijë të parandalojë, në këtë mënyrë, ose të paktën të vonojë sa më shumë të jetë e mundur, akuzën që mund t’i bëhet për shpërdorim të fondeve të BE-së. Në këtë situatë, ku Gjyqësori në pjesën më të madhe të Europës Qendrore është i politizuar, mendimi se një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh dypalëshe investimi do të shfuqizohen brenda fundit të këtij viti, ka shkaktuar shqetësim dhe frikë në rrethin e investitorëve. Nëse këto marrëveshje do të përfundojnë në dhjetor të këtij viti, së bashku me to do të marrë fund edhe një pjesë e madhe e investimeve nga fqinjët perëndimorë, tek të cilët rajoni ende vazhdon të mbështetet kryesisht.

Jo më kot, Gjermania, Franca dhe Austria, të gjitha shtete, firmat e të cilave kanë investime të mëdha në Europën Qendrore, janë kundër përfundimit të marrëveshjeve dypalëshe të investimit brenda BE-së (deri në fund të këtij dhjetori). Ndërsa shtete si Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria, janë pro kësaj mase. Një zgjidhje do të ishte themelimi i një organi të BE-së, sipas modelit të ICSID, i cili do të ishte i specializuar për t’i dhënë zgjidhje mosmarrëveshjeve dypalëshe të investimeve.

Por, do të duheshin vite deri sa ky organ të përfundonte. Ndërkohë, BE-ja duhet të vazhdojë të mbështesë marrëveshjet dypalëshe të investimit. Nëse ajo nuk do ta bëjë këtë gjë, atëherë investitorët ose do të shmangin vendet me sisteme gjyqësore jo të besueshme ose do të strukturojnë marrëveshjet e tyre nga vendet jashtë bllokut që kanë marrëveshje dypalëshe me ato brenda tij. Sido që të jetë, Europa do të jetë ajo që do të humbasë.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of