Në fund të këtij viti, do të nisë aplikimi i një norme tavan të interesit për kreditë konsumatore në vend.
Sipas ndryshimeve në rregulloren “Për kredinë konsumature dhe kredinë hipotekare”, të miratuara në shtator të këtij viti, kjo normë do të vendoset në fund të çdo gjashtëmujori për gjashtëmujorin vijues dhe do të botohet në faqen zyrtare të internetit të Bankës së Shqipërisë. Deri tani, normat maksimale të interesit nuk janë publikuar dhe mungesa e tyre po krijon probleme, sidomos për institucionet financiare jobanka që kanë si fokus kresor mikrokreditë konsumatore.
Përfaqësues të këtyre kompanive shprehen se, në mungesë të normave tavan të interesit, po përballen me pasiguri të konsiderueshme për buxhetet dhe planet e tyre të biznesit për vitin 2022. Kompanitë janë detyruar që planifikimin strategjik për vitin e ardhshëm ta bëjnë bazuar mbi supozime apo vlerësime të përafërta. Megjithëse subjektet më të prekura nga rregullorja e re janë kompanitë e mikrofinancës, aplikimi i normave të reja mund të ndikojë ndjeshëm edhe produkte të kredisë konsumatore që ofrohen nga bankat, si për shembull paradhëniet bankare (overdraftet), kartat e kreditit, apo edhe institucionet e qirasë financiare.
Sipas rregullores së re, Norma Maksimale Efektive e Interesit (NEI maksimal) do të llogaritet si mesatare e normës efektive të interesit të aplikuar nga subjektet sipas llojit të kredisë konsumatore, në lekë, duke shtuar edhe një të tretën e saj. NEI maksimal do të llogaritet vetëm për kreditë konsumatore në monedhën lekë, ndërsa kreditë në valutë të huaj nuk do të jenë objekt i llogaritjes dhe publikimit të këtij treguesi. Banka e Shqipërisë do të përcaktojë normë maksimale interesi të posaçme për secilën nga kategoritë e kredisë konsumatore, ku përfshihen kreditë me këste periodike, kreditë kufi (overdraftet), kartat e kreditit dhe qiraja financiare. Për të llogaritur mesataren e thjeshtë të normës efektive të interesit, Banka e Shqipërisë do të marrë në konsideratë të gjitha kreditë e disbursuara gjatë gjashtëmujorit të mëparshëm deri në vlerën e 10 milionë lekëve, të cilat janë akorduar vetëm për individët dhe nuk janë të siguruara. Si bazë të dhënash për llogaritjen, do të shërbejë Regjistri i Kredive.
Përcaktimi i një norme interesi tavan në huadhënie është praktikë e përhapur në shumë legjislacione dhe arsyeja kryesore që motivon një praktikë të tillë është mbrojtja e interesit të konsumatorëve më të brishtë nga aplikimi i interesave abuzive prej huadhënësve.
Rregullorja parashikon gjithashtu vendosjen e një kufiri të penaliteteve dhe kamatëvonesave në masën 30% të detyrimit kontraktor, i kuptuar si vlerë e kësteve të papaguara (principal+interesa). Vendosja e këtij tavani është parë e arsyeshme për shkak të problemeve të krijuara me kreditë e këqija që kalonin nëpër një fazë të stërzgjatur të procesit të rekuperimit. Penalitetet e larta, që i fryjnë detyrimet përtej çdo kufiri të arsyeshëm, janë identifikuar si një element që cënon të drejtat e huamarrësve dhe ushqen praktika jo etike biznesi nga mbledhësit e borxheve të këqija./E.Shehu
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.