2019-a u mbyll me të ardhura totale prej 460.3 miliardë lekësh, ose 3.7 miliardë eurosh. Në krahasim me një vit më parë, të ardhurat u rritën me 2.4%. Nëse marrim në konsideratë inflacionin (1.4% mesatarja e 2019-s) dhe rritjen ekonomike (2.7% e pritshme), atëherë rritja reale e të ardhurave është negative, prej -1.7%.
Në krahasim me planin, buxheti është minus me 26.3 miliardë lekë, nga të cilat 6.3 miliardë lekë nga ndihmat dhe 22 miliardë lekë, ose rreth 180 milionë euro nga të ardhurat e planifikuara tatimore. Pagesat për koncesionet ndërkohë janë fikse dhe në kahun e shpenzimeve kursimi ka ardhur duke shkurtuar investimet kapitale. Në vitin 2016, qeveria vendosi një rregull fiskal, në bazë të të cilit, pagesat për koncesionet nuk duhet të kalojnë 5% të të ardhurave tatimore të vitit të mëparshëm.
Për 2020-n, ky rregull, sipas tabelave zyrtare ishte 3.3%, i matur me planin e të ardhurave tatimore 2019, me pagesat për koncesionet që pritet të jenë 14.6 miliardë lekë. Por, mosrealizimi i lartë i planit të të ardhurave në 2019-n, ka bërë që ky raport të rritet me 0.2 pikë përqindje, duke shkuar në 3.5%. Me pagesat për koncesionet që do të vijojnë të rriten në vitet në vijim, ky raport mund të rritet më tej, nëse të ardhurat tatimore do të vijojnë të jenë më pak sesa plani.
Nëse rrezikohet që pagesat e koncesioneve të tejkalojnë kufirin prej 5% të të ardhurave tatimore faktike të vitit të mëparshëm, qeveria do të detyrohej të korrektonte të ardhurat, ku veprimi që sjell më shpejt para në buxhet është rritja e taksave.
Agjencia vlerësuese “Standard & Poors” në raportin e fundit të saj për Shqipërinë paralajmëronte se “Risku kontingjent fiskal mbetet i lartë si pasojë e PPP-ve. Ndonëse qeveria ka vendosur si tavan për pagesat e PPP-ve normën 5% të të ardhurave tatimore vjetore, ne mendojmë se kjo nuk do të zbatohet nga qeveria, pasi nuk ka asnjë mbikëqyrës për zbatimin e këtij përcaktimi”
Institucionet ndërkombëtare të shqetësuara për kontrollin për PPP
Institucionet ndërkombëtare kanë shprehur vazhdimisht shqetësimin e tyre për nivelin e lartë të përdorimit të projekteve të partneritetit publik privat (PPP), e lidhur më së shumti me mungesën e strukturave për kontrollin e tyre, analizën kosto-përfitime dhe kapacitetin e firmave që janë angazhuar me këto projekte.
Matteo Colangeli, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Shqipëri, ka pohuar më herët për “Monitor” se rreziqet lidhen kryesisht me natyrën e pakërkuar të propozimeve të këtyre PPP-ve, çka nënkupton që është investitori ai që kryen përgatitjen teknike të projekteve. Kjo sjell rrezikun që tenderët të mos jenë konkurrues, pasi investitori që ‘kërkon’ një PPP natyrisht do të ketë një avantazh të rëndësishëm informacioni ndaj palëve të tjera të interesuara. “Një çështje tjetër e rëndësishme lidhet me mospërputhjen që vihet re mes madhësisë së disa prej projekteve dhe të investitorëve që i kanë kërkuar e më pas i kanë fituar këto PPP. Kjo krijon rreziqe lidhur me aftësinë e këtyre investitorëve për të siguruar burimet e nevojshme, përfshirë financimin, për të realizuar zbatimin e projektit”.
Shefi i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, Jan Kees Martijn, e vë theksin te mungesa e sistemeve të monitorimit. “Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është mbështetur dukshëm te përdorimi i PPP-ve për të financuar nevojat e veta për investime dhe për të ofruar shërbime publike. Fatkeqësisht, gjatë kësaj periudhe, nuk ishin funksionale ende sistemet e nevojshme, që do të siguronin që PPP-të të ofronin vlerë për paratë, dhe që do të mundësonin që të kuptoheshin mirë rreziqet financiare të PPP-ve”, pohon ai.
Ai shton se “PPP-të mbartin rreziqe financiare jo vetëm në buxhetin e vitit aktual, por për të gjithë periudhën e kontratës. Në vitin 2019, Ministria e Financave mori një mandat më të fortë për të vlerësuar kostot dhe rreziqet e PPP-ve, si përpara se ato të nënshkruhen, ashtu dhe gjatë periudhës së zbatimit. Hapi tjetër do të jetë që të zbatohen procedurat e nevojshme dhe të rritet kapaciteti brenda ministrisë për t’i zbatuar këto detyra”.
Me sugjerimin e Bankës Botërore, qeveria ka publikuar një raport monitorues të ecurisë së PPP-ve. Znj. Maryam Salim, përfaqësuesja e Përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, thotë se ky është një hap i rëndësishëm në drejtim të transparencës për të pasur një debat të informuar mes politikëbërësve dhe publikut lidhur me kostot dhe përfitimet e këtyre projekteve. “Ky raport erdhi pasi qeveria fuqizoi kuadrin ligjor rreth kontratave PPP, duke rritur përfshirjen e qeverisë në të gjitha fazat e projektit dhe duke forcuar transparencën dhe konkurrencën në fazën e dhënies së tyre. Përfitimi i kësaj reforme është se autoriteteve u jepet kohë dhe mjete për të kontrolluar nivelin e ofrimit të shërbimeve dhe për t’u përgatitur për rezerva të mundshme. Ndërsa çdo projekt duhet të përzgjidhet në bazë të maksimizimit të vlerës së ofruar, mësimet nga ecuria e kontratave ekzistuese duhet të reflektohen në projekte më të mirëplanifikuara”, pohon ajo.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.