Vendet e varfra, në vështirësi me borxhin, luftojnë për të marrë ndihmë. Përpjekjet e reja për pushtet midis huadhënësve po ndërlikojnë negociatat, shkruan The Economist
Në mëngjesin e 13 nëntorit të vitit të kaluar, nënkryetari i Zambias i tha Parlamentit, “Ky vend nuk do të shpallë falimentim”. Disa orë më vonë, ndodhi e pashmangshmja. Pasi shkatërroi marrëdhëniet me FMN-në, nuk arriti të siguronte të dhëna të qarta mbi huazimin nga Kina dhe nuk arriti të fitonte një shtyrje afati nga zotëruesit e bonove, Zambia humbi një afat për të paguar interesin dhe për të shlyer borxhin e saj. Kreditorët thjesht tundën kokat në mospranim.
Për disa shtete të varfra si Zambia, një krizë borxhi ka qenë gjithmonë historia e një qeverie kaotike dhe të korruptuar që ka marrë hua pa kujdes. Por, në peizazhin më kompleks të kreditorëve të sotëm, mospagimet e borxheve reflektojnë kombe në vështirësi që kanë ngecur në rrjetin e mosmarrëveshjeve diplomatike që lidhin kreditorët e tyre së bashku.
Çdo huadhënës hyn në bisedimet e ristrukturimit me të njëjtin preokupim: a po merr dikush tjetër një marrëveshje më të mirë? Askush nuk dëshiron të jetë i pari që ofron koncesione dhe nuk ke përparësi nëse tregon që në fillim opsionet e tua. Më shumë sesa të dhënat financiare, ose kornizat ligjore, janë pikërisht këto beteja për pushtet që përcaktuan negociatat e ristrukturimit të borxhit.
Si pasojë e pandemisë, shumë shtete nuk po shlyejnë dot borxhin e tyre. Ashtu si Zambia, pesë vende të tjera – Argjentina, Belize, Ekuadori, Libani dhe Suriname – nuk e shlyen dot borxhin vitin e kaluar. Për disa, shpenzimet shëndetësore dhe shpenzimet sociale u rritën, ndërkohë që ekonomia globale u fundos. Në raste të tjera, si Zambia, Covid-19 shërbeu si justifikim për mosshlyerjen e borxheve nga një qeveri e shfrenuar. Të tjerëve mund t’u mbarojnë paratë në muajt në vijim.
Hera e fundit kur një numër i madh ekonomish të varfra po shkatërroheshin nën peshën e borxhit të qeverisë, ishte rreth fillimit të mijëvjeçarit, dhe grupi i kreditorëve ishte më i vogël. Ai përfshinte organizata shumëpalëshe si FMN, një pjesë të vogël të bankave tregtare dhe vende të pasura si Britania dhe Amerika që vepronin bashkërisht në grupe si “Klubi i Parisit”.
Një përzierje e pazakontë e lojtarëve të tjerë, përfshirë Bono, një yll roku irlandez dhe Pat Robertson, një televangjelist amerikan, gjeneroi një mbështetje të gjerë për faljen e borxhit, por edhe atëherë ishte e vështirë. Programet që rezultuan – nismat Vendet e Varfra në Borxhe të Thella (HIPC) dhe Ndihma Shumëpalëshe e Borxhit (MDRI) – i kanë falur 37 prej vendeve më të varfra të botës mbi 100 miliardë dollarë.
Sërish falje e borxhit?
Tani gjërat janë më të komplikuara. Kombet e varfra kanë marrë hua nga huazuesit e rinj. Kina dhe Arabia Saudite u kanë dhënë shumë para qeverive të botës në zhvillim. Dhe ndërsa yield-et në borxhin e vendeve të pasura kanë rënë, qeveritë e varfra kanë qenë në gjendje të shesin bono në valutë të huaj. Pjesa mesatare e borxhit të jashtëm publik të tregut në zhvillim, që u detyrohet institucioneve shumëpalëshe, ra nga 43% në vitin 2008, në 34% në 2019, sipas të dhënave të Bankës Botërore të grumbulluara nga Fitch Ratings, ndërsa pjesa për huadhënësit komercialë (kryesisht zotëruesit e bonove dhe jo bankat) kërceu nga 29% në 45%. Ndërkohë, kredia dypalëshe ra.
Me ndryshimin e peizazhit të kreditorëve, huadhënësit po shikojnë negociatat e fundit, përfshirë ato në Ekuador dhe Zambia, për shenja se si mund të marrin formë rezolutat e ardhshme. Dy luftëra të reja për pushtet janë shfaqur.
E para është midis huadhënësve kinezë dhe gjithë të tjerëve. E dyta është midis Wall Street dhe Uashingtonit, ku janë të vendosur huadhënësit e sektorit zyrtar si FMN dhe qeveria amerikane. Për 50 marrësit më borxhlinj të huave kineze, stoku mesatar i borxhit ndaj Kinës arriti në 15% të PBB-së në vitin 2017, nga më pak se 1% në vitin 2005, sipas të dhënave nga një grup ekspertësh përfshirë Carmen Reinhart, akademik i Harvardit tani në Bankën Botërore.
Për shkak të konkurrencës politike midis Pekinit dhe Uashingtonit, kjo hua është formuluar si një dredhi djallëzore (shpesh në mënyrë të padrejtë), për të gjymtuar ekonomitë e varfra dhe për të kapur asetet strategjike. Njerëzit mendojnë për Kinën “në terma pothuajse të krahasueshme me teoritë konspirative”, thotë Meg Rithmire nga Shkolla e Biznesit në Harvard.
Qeveritë në Zambia dhe Ekuador kanë rinegociuar borxhin e tyre, duke marrë parasysh zgjedhjet e këtij viti. Si shenjë që tregon sesa e tensionuar është çështja, kandidatët kryesorë në sondazhin në Ekuador, shtet i cili gjithashtu i detyrohet shumë Kinës, po kandidojnë për plane të kundërta ekonomike: Andrés Arauz premton të heqë marrëveshjen ekzistuese me FMN-në, ndërsa Guillermo Lasso dëshiron të rindërtojë besimin e investitorëve.
Përtej dyshimit dhe rivalitetit, huadhënia kineze ka karakteristika specifike që i komplikojnë bisedimet. Hapi i parë në çdo ristrukturim borxhi është llogaritja e borxhit të një vendi dhe ndaj kujt. Ky është një biznes me gjemba kur përfshihet Kina. Ajo që analistët i referohen si “huadhënës kinezë” përfshin një larmi institucionesh, të tilla si ndërmarrjet shtetërore dhe bankat e politikave, të cilat veprojnë në emër të qeverisë. “Ata nuk janë të gjithë në të njëjtin ekip”, shpjegon Deborah Brautigam nga Nisma Kërkimore mbi Kinën në Universitetin Johns Hopkins.
Ndjekja e gjithë kësaj kredie është gjithashtu e ndërlikuar. Pjesa më e madhe e tyre mbetet e padeklaruar dhe klauzolat e konfidencialitetit i ndalojnë qeveritë të ndajnë kushtet e huave të tyre. Kjo ka qenë një pengesë në Zambia. Për të ofruar mbështetje, FMN-së i duhen informacione mbi huatë nga Kina, për të cilat është rënë dakord midis dy vendeve, por ende nuk janë dorëzuar, çka do të thotë se ato nuk shfaqen në llogaritë publike. Zotëruesit e huaj të bonove, të cilët kanë dhënë një hua totale prej 3 miliardë dollarësh, kanë refuzuar të japin një shtyrje afati nga frika se fondet e tyre do të përdoren për të paguar huadhënësit kinezë.
Borxhet e dhëna nga Kina
Të gjithë po kërkojnë të dhëna rreth shkallës në të cilën huadhënësit kinezë do të bashkohen në negociatat e koordinuara të borxhit. Deri tani, ata duket se janë të etur që të duken sikur po angazhohen me kreditorë të tjerë. Por po e ndryshojnë gradualisht sjelljen, duke ndjekur proverbin kinez për “të kaluar lumin duke i ndier gurët”.
Bankat e politikave i kanë shtyrë pagesat për hua për qeveritë e Zambias dhe Ekuadorit, por detajet janë të pakta. Në mënyrë të ngjashme, Kina u bashkua me G20 në Iniciativën e Pezullimit të Shërbimit të Borxhit (DSSI) të shpallur vitin e kaluar, për të ndaluar ripagimet e borxhit bilateral për 73 kombet më të varfra dhe u bashkua me “kornizën e saj të përbashkët”, e cila siguron ndihmë afatgjatë. Por kjo e ka frenuar fuqinë e DSSI-së duke i trajtuar disa kredi bankare si komerciale, kështu që ato nuk janë pjesë e bllokimit.
Për sa i përket luftës tjetër të madhe për pushtet, ajo i vë huazuesit zyrtarë si FMN-ja dhe qeveritë kreditore, të cilat kanë një histori të gjatë të huazimit për botën në zhvillim, kundër huadhënësve komercialë që fitojnë para duke bërë të njëjtën gjë.
Edhe këtu, besimi është një problem. Abebe Selassie, drejtori i departamentit afrikan të FMN-së, tregon se një nga skandalet më të mëdha të kohëve të fundit rreth huave të pazbuluara përfshinin bankat europiane, përfshirë Credit Suisse. Rreth 2 miliardë dollarë borxhi të dyshimtë që u morën nga ndërmarrjet shtetërore në Mozambik në vitet 2013 dhe 2014, dëmtoi ekonominë lokale dhe e detyroi qeverinë të deklaronte paaftësinë për shlyerjen e borxhit. “Transparenca ka të bëjë me të gjithë huadhënësit, jo vetëm me Kinën”, thotë zoti Selassie.
Edhe më shqetësuese është mosmarrëveshja për përgjegjësinë që një menaxher fondi në Londër ose Hong Kong, ka ndaj një qeverie të një vendi të varfër. Huadhënësit e sektorit privat janë vënë nën presion për të ofruar koncesione. Disa zotërues bonosh, si Yerlan Syzdykov në Amundi, thonë se ata kanë një detyrë për të gjeneruar kthime për klientët dhe se nuk është puna e tyre të “sigurojnë ndihmë financiare” për qeveritë e varfra.
“Ne nuk jemi bamirësi”, thotë ai. Përveç kësaj, rinegocimi i bonove në valutë të huaj mund të mos jetë në interes të ekonomive të varfra nëse çon në një rënie të kredisë, duke e bërë më të shtrenjtë mbledhjen e parave në tregjet ndërkombëtare të kapitalit në të ardhmen.
Përfshirja e egove
Zotëruesit e bonove në ditët e sotme janë një grup i larmishëm. Disa fonde e mbajnë borxhin për njëfarë kohe; disa janë oportunistë, duke blerë borxhe të këqija kur ulen çmimet. Ata të gjithë kanë qëllime të ndryshme, prandaj janë ndarë në komitete të shumta në bisedimet e fundit, përfshirë ato në Argjentinë.
Të njëjtët menaxherë të fondeve shfaqen gjithashtu në të gjitha ristrukturimet e borxheve në tregun në zhvillim. Ka personalitete të mëdha të përfshira dhe mosmarrëveshjet personale vazhdojnë.
Një qeveri që përpiqet të ristrukturojë borxhet e saj ka nevojë jo vetëm që të përfshijë të gjithë huadhënësit, por që ta bëjë këtë në rendin e duhur. Klubi i Parisit pranon të negociojë vetëm pasi një shtet ka gati një program të FMN-së dhe kërkon që shtetet debitore të kërkojnë nga huadhënësit e tjerë koncesione të krahasueshme me ato të tyret. Kjo është arsyeja pse Iraku, me rezerva të mëdha nafte dhe trupa të huaja në tokë, nisi negociatat me këtë grup vendesh të pasura para huadhënësve të tjerë, duke fituar një ulje prej 90% (në terma të vlerës aktuale) të stokut të borxhit në kohën e Sadam Hyseinit, në mënyrë që më pas t’u kërkonte kreditorëve të tjerë të ofronin të njëjtën gjë.
Një vendi që i mungon ndikimi gjeopolitik, nuk ka gjasa ta ketë të lehtë me huadhënësit dypalësh dhe mund të ndjekë një strategji tjetër. “Kjo është një pyetje kryesore taktike për një borxh sovran me borxhe si ndaj Klubit të Parisit, ashtu edhe borxh komercial: cila është sekuenca e duhur?” thotë Lee Buchheit, një avokat i specializuar në borxhin sovran.
Çelësi i thyerjes së ngërçit midis kreditorëve të ndryshëm është shpesh FMN-ja. Huadhënësit e tjerë janë më të gatshëm t’i japin një qeverie lehtësime kur kanë të dhëna, një plan ekonomik dhe premtimin e mbikëqyrjes nga Fondi. “Ajo që dëshirohet në përgjithësi është një ndërmjetës i sinqertë”, thotë Jan Dehn në Ashmore Group, menaxher investimesh në tregjet në zhvillim. Në rastin e Argjentinës, FMN-ja u përpoq të luante atë rol, sepse ishte një nga kreditorët që kërkonte shlyerjen.
Për sa i përket ristrukturimit të borxhit të Ekuadorit vitin e kaluar, i cili përfundoi për disa muaj, ishte e rëndësishme që qeveria të kishte mbajtur marrëdhënie të mira me FMN-në. Kërkesa e saj për të shtyrë 800 milionë dollarë në pagesa kuponi, ishte e kushtëzuar me nisjen e fillimeve të një marrëveshjeje të re me FMN-në. Mbi 90% e zotëruesve të bonove ranë dakord për një pauzë dhe më pas për një ristrukturim kur koha të mbaronte.
Ekuadori, një vend që ka dështuar herë pas here në shlyerjen e borxheve, kishte përvojë në diskutimin me kreditorët e tij. Ky nuk ishte rasti i Zambias, e cila shiti bonon e saj të parë në valutë të huaj sa më shpejt, që në vitin 2012. Ajo i prishi marrëdhëniet me FMN-në kur dëboi nga vendi përfaqësuesin e mëparshëm të Fondit në vitin 2018. Arsyeja e vetme për optimizëm tani është që përfaqësuesi i ri i FMN-së në Zambia udhëtoi në Lusaka në dhjetor, i ndjekur menjëherë nga zoti Selassie, duke rritur shpresat se një program i ri mund të thyejë bllokimin.
Fakti që ekipi i FMN-së bëri udhëtimin tregon për një ndërlikim të fundit në bisedimet e tanishme të borxhit: ndalimet e udhëtimit. Zyrtarët e menaxhuan atë, por do të duhet kohë derisa të gjithë huadhënësit të takohen personalisht. Hans Humes në Greylock Capital, ende qesh teksa kujton ditën kur vajza e tij tre vjeç hyri në dhomë gjatë negociatave online mbi borxhin e Argjentinës, për t’i treguar vizatimet e saj bankierëve në Lazard dhe ministrit argjentinas për Ekonominë, Martín Guzmán.
Zoti Humes po pret me padurim ditën kur mund të takohet në një tryezë me homologët e tij në një mjedis më profesional, ku mund të lexojë gjuhën e trupit të tyre dhe mund t’u bashkohet aleatëve të vjetër për të biseduar pa u ndërprerë. “Nuk ka asnjë ekuivalent që i afrohet të bërit pushim dhe pirjes së një kafeje”, thotë ai./ Përktheu: Lira Muça
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.