Kosova ka humbur 7.5 milionë euro të fondeve të BE-së, si rezultat i mos zbatimit të indikatorëve që lidhen me reformat në administratën publike.
Në vitin 2018 Kosova ka pasur të përmbush dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë indikatorë.
Instituti EPIK ka njoftuar se Kosova po humb 7.5 milionë euro të fondeve të Bashkimit Evropian nga moszbatimi i reformave.
Sipas EPIK-ut, institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma të paraparë në Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit, të cilat deri më tani janë zbatuar 8 reforma.
Nga moszbatimi i këtyre reformave, Kosova humb 7.47 milionë euro.
“Institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë €16.5 milion përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar €9.03 milion, duke humbur kështu €7.47 milion nga fondet e BE-së”, thotë EPIK.
Në dhjetor 2017, Kosova dhe Bashkimi Evropian nënshkruan Marrëveshjen e Financimit për Programin e Veprimit për Kosovën për vitin 2016 – Pjesa II – Mbështetja Sektoriale Buxhetore.
“Në kuadër të kësaj marrëveshje, Kosova ka marr për obligim që të zbatoj reformat në fushën e administratës publike, në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe Agjendën Evropiane të Reformave (ERA), drejt krijimit të një administrate publike të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarit. Institucioni përgjegjës për koordinimin e zbatimit të marrëveshjes është Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike”.
Sipas marrëveshjes, institucionet e Kosovës u zotuan se gjatë 2018-2020 do të zbatojnë 8 reforma në fushën e administratës publike, të cilat do të vlerësohen me anë të 33 indikatorëve.
“Ndërsa, në anën tjetër Bashkimi Evropian u zotua se zbatimin e reformave të dakorduara do të shpërblej me €22 milion të mbështetjes direkte buxhetore, përmes katër transheve financiare në vlerë prej €5.5 milion secila. Thënë ndryshe, institucionet e Kosovës përmes zbatimit të këtyre reformave do të fitonin një injektim financiar në vlerë prej €22 milion të cilin do të mund të orientonin për përkrahjen financiare të bizneseve, ofrimin e bursave për studentet, ndërtimin e shkollave, spitaleve apo çfarëdo shërbimi tjetër publik në të mirën e qytetarëve”, ka bërë me dije Instituti EPIK.
Në vitin 2018 Kosova ka pasur të përmbush dymbëdhjetë indikatorë, në vitin 2019 njëmbëdhjetë indikatorë dhe në vitin 2020 dhjetë indikatorë. Gjatë gjithë kësaj kohe, institucionet e Kosovës është dashur po ashtu të sigurojnë në vazhdimësi përmbushjen e katër parakushteve.
“Në këtë kontekst, transhi i parë prej €5.5 milion nuk ka qenë i kushtëzuar me indikatorë, dhe rrjedhimisht është zbatuar në tërësi. Transhi i dytë është zbatuar në vlerë prej €3.11 milion pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur 7 nga 12 indikatorë variabil. Transhi i tretë është zbatuar në vlerë prej vetëm €0.42 milion pasi që institucionet e Kosovës kishin përmbushur vetëm 1 nga 11 indikatorë variabil. Transhi i katërt është shtyrë për vitin 2021 për shkak të efekteve të pandemisë”.
Sipas marrëveshjes deri më sot, institucionet e Kosovës është dashur të zbatojnë 23 reforma specifike dhe të fitojnë €16.5 milion përkrahje drejtpërdrejt buxhetore nga fondet e BE-së. Në vend të kësaj, institucionet kanë zbatuar vetëm 8 reforma specifike dhe kanë fituar €9.03 milion, duke humbur kështu €7.47 milion nga fondet e BE-së.
Humbja e radhës e fondeve të BE-së është indikator shqetësues i mungesës së theksuar të vullnetit politik dhe kapaciteteve administrative në zbatimin e reformave Evropiane dhe paralajmërim për vështirësitë në të cilat Kosova do të has në zbatimin e IPA III për vitet 2021-2027 ku vetëm do të ashpërsohen kërkesat për performancë në shfrytëzimin e fondeve të BE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.