Në vitin 2021, në Australi, do të hapet Muzeu i Artit Nënujor (Museum of Underwater Art – MOUA).
Kjo është një ide e artistit britanik, Jason deCaires Taylor, për të ndërgjegjësuar njerëzit mbi rritjen e nivelit të oqeaneve dhe ndotjen e deteve.
Në brigjet e Townsville, në veri të Queensland, Australi, do të hapet për publikun Museum of Underwater Art, instalacioni i parë nënujor në hemisferën jugore.
Muzeu është krijuar në bashkëpunim me universitete, qendra për kërkimin dhe shoqata lokale. Ai ndodhet në barrierën e madhe koralore dhe do të ketë një seri instalacionesh (rreth 20) të skulptorit nënujor Jason deCaires Taylor, i cili dëshiron të ndërgjegjësojë njerëzit mbi problemin e madh të ndotjes së oqeaneve. Muzeu është menduar të bëhet edhe një qendër arsimore dhe laborator shkencor.
Një ndër statujat e para e më të mëdha që do të instalohet është “The Coral Greenhouse”. MOUA është rreth dy orë me varkë nga Queensland dhe 18 metra nën ujë, në një rrip të sheshtë me rërë në hyrje të John Brewer Reef (Foto: Richard Woodgett)
Me peshë 165 tonë, struktura skeletore biomorfe dhe baza e skulpturës janë realizuar në çelik inoks i qëndrueshëm ndaj korrozionit dhe çimentos me pH neutral për të nxitur rritjen natyrore të koraleve.
Skulpturat figurative të artistit shfaqen si “gardianë të koraleve”, sipas modelit të fëmijëve të shkollave lokale dhe ndërkombëtare.
MOUA ka vetëm një statujë mbi ujë, “Sirena e oqeanit”, skulptura e një vajze të re indigjiene, katër metra e lartë, e cila ushqehet me energji diellore, e instaluar në brigjet e Townsville. E vetmja pjesë e projektit, e dukshme mbi sipërfaqe, “Ocean Siren” përbëhet nga qindra drita LED, që ndryshojnë ngjyrë në varësi të temperaturës së ujit – nga blu në të kuqe të errët – një paralajmërim për ngrohjen kritike.
Prej më shumë se një dekade, DeCaires Taylor realizon skulptura nënujore në site specifike, si në Grenada, Meksikë, Lanzarote, Bahamas. MOUA ishte parashikuar të hapej në fund të marsit, por çelja është shtyrë për shkak të koronavirusit. Skulptura të ndryshme do të instalohen rreth barrierës koralore në kuadër të projektit gjatë vitit 2020 dhe 2021. Priten 50 mijë vizitorë në vit.