68 raste raste pozitive me koronavirus janë konfirmuar në 24 orët e fundit, ndërsa situata në spitale paraqitet serioze, njofton Ministria e Shëndetësisë.
Dy paciente kanë humbur jetën duke e çuar numrin në total të viktimave në 83 që nga fillimi i pandemisë.
“Fatkeqësisht, dy qytetare nuk e kanë fituar dot betejën me Covid19 në spitalin infektiv, ku po trajtoheshin në terapi intensive si pasojë e simptomave të rënda të shkaktuara nga Covid19. Pacientet 58 dhe 59 vjeç nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, nuk mundën të mbijetojnë megjithë përpjekjet e mjekëve dhe terapinë e trajtimit”.
Situata në spitalin infektiv paraqitet serioze, ku ka rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientëve në terapi intensive dhe është rritur numri i pacientëve të intubuar.
Aktualisht janë të shtruar 83 pacientë në spital, 10 pacientë janë në terapi intensive dhe 4 prej tyre janë të intubuar në gjendje të rënde.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 397 testime për të dyshuar të prekur me COVID19, nga të cilat janë konfirmuar 68 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 9 në Krujë, 8 në Kukës, nga 5 raste në Vlorë, Berat, nga 3 raste në Elbasan, Lezhë, Kavajë, nga 2 raste në Shkodër, Kurbin, Korçë dhe nga 1 rast në Divjake dhe Lushnje.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 47 qytetarë, duke e çuar në 1791 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1232 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.