Trendi i shtuar i rasteve të konfirmuara me Covid-19 ka vijuar dhe gjatë javës që lamë pas, por njëkohësisht epidemia ka paraqitur një numër më të lartë të rasteve që janë hospitalizuar dhe të rasteve që kanë humbur jetën.
Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 459 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19, nga të cilat janë konfirmuar 71 raste pozitive.
Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 24 raste në Tiranë, 8 në Elbasan, 6 në Durrës, nga 5 raste në Krujë, Kukës, Lezhë, 4 në Kurbin, 3 në Vlorë, nga 2 raste në Korçë, Shkodër, Përmet, dhe nga 1 rast në Delvinë, Vau Dejës, Bulqizë, Kamëz, Fier.
Në 24 orët e fundit 3 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me virusin e rrezikshëm, mes tyre një mjek 69-vjeçar nga Puka, i cili luftonte prej disa ditësh me sëmundjen në spitalin infektiv. Dhe dy qytetarë, një 63 vjeçar nga Lezha dhe një 65 vjeçare nga Tirana, megjithë përpjekjet e mjekëve, nuk kanë mundur të mbijetojnë.
Vijon të ketë shtrime në spitalin infektiv ku aktualisht janë 78 pacientë në spital, prej të cilëve 9 në gjendje serioze në terapinë intensive, 2 prej tyre të intubuar në gjendje të rënde.
Në 24 orët e fundit janë shëruar 45 qytetarë, duke e çuar në 1702 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Në vendin tonë aktualisht janë 1183 persona aktivë me Covid-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë, Durrës.
Për statistikat më të fundit klikoni këtu: Coronavirus në Shqipëri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.