A mund të bëhet Shqipëria një qendër IT

25/06/2016 8:01 AM 0 komente

Shqipëria ka mundësi të zhvillojë eksportin e shërbimeve të Teknologjisë së Informacionit, shërbimet e të cilave janë më të paguarat. Vendet e rajonit po injektojnë në ekonomitë e tyre miliona euro nga zhvillimi i eksportit të shërbimeve të IT, por Shqipëria ende mbetet e nënzhvilluar edhe në këtë aspekt, për shkak të trupës së kufizuar të burimeve njerëzore që iu duhen gjigantëve botërorë të IT–së.

Intercom Data Service (IDS), operatori më i madh Call Center në vend ka diversifikuar shërbimet së fundmi, përmes një marrëveshjeje me Google për ofrimin e shërbimeve të teknologjisë së informacionit, për të cilin ka punësuar inxhinierë, ndërsa ka sjellë inxhinierë nga Italia për të trajnuar punonjës shqiptarë. Nëse do të dëgjojnë administratorin e kompanisë që ka nënshkruar marrëveshje me “Google”, të gjithë të rinjtë do të suleshin në Fakultetin e Inxhinierisë Informatike, matematikës informatike, e çdo sektor që ka të bëjë me disa shërbime teknike.

Sot, kësaj kompanie i duhen inxhinierë, konsulentë për të gjitha shërbimet “Google”, e këtu nuk flasim për operatorë me pagë mujore 30-50 mijë lekë. Duke parë zhvillimin e sektorit informatik, disa sipërmarrës në këtë sektor theksojnë se do të ketë hapësira të mëdha për inxhinierët e informatikës, programuesit, konsulentët IT.

Por, a mund të bëhet Shqipëria një qendër IT. Monitor hap debatin, duke ftuar ekspertët të japin opinionet e tyre.

 

Shehu: Tregu i IT, ende nuk mbulon nevojat vendase, rajoni është konkurrues

Shqipëria ka potenciale të zhvillojë eksportin e shërbimeve të teknologjisë dhe informacionit. Ka të rinj të orientuar nga teknologjia dhe gjuhët e huaja, të cilët mund të shndërrohen në kapacitete për të zhvilluar shërbimet e IT-së, por politikat për të nxitur këtë prirje janë ende në një fazë të hershme, thotë Ardian Shehu, administrator i kompanisë “IT & Business Consultant”, në një intervistë për “Monitor”. Por ai pohon se Shqipëria ka ende hendek të brendshëm për ngopjen e nevojave me shërbimet e TIK-ut, teksa vendet e rajonit e kanë bërë këtë hap kohë më parë dhe tani janë shndërruar në eksportues.

 

A ka kapacitete Shqipëria të zhvillojë eksportin e shërbimeve të IT-së?

Kapacitete nuk mund të them që ka, veçanërisht duke pasur informacion për kapacitetet e vendeve që rrethojnë Shqipërinë, përkundër se është e lehtë të shihet se ka potencial. Kur them ka potencial, ka të rinj të orientuar kah teknologjia e informacionit (IT), kanë edhe një kulturë të përgjithshme, njohin gjuhët e huaja (gjuhë angleze dhe italiane) dhe nëse ju krijohen rrethanat, por edhe ata vetë i krijojnë, mund të shndërrohen në kapacitet për të zhvilluar shërbimet IT. Kur flitet për kapacitet për të zhvilluar eksport për ta thjeshtuar duhet t’u referohemi dy zërave që mund të eksportohen:

-produkteve HW&SW të zhvilluara në Shqipëri dhe

-shërbimeve profesionale IT, (Professional IT services) ku hynë të gjitha llojet e shërbimeve profesionale: dizajnimi, integrimi, zbatimi, programimi etj.

Ajo çka ka ndodhur te vendet e rajonit me të dy këto zëra që mund t’i referohemi edhe si artikuj, ato janë zhvilluar duke i plotësuar nevojat brenda vendit dhe kur kanë marrë formë dhe janë realizuar si vlerë që më vonë të eksportohen.

Shqipëria ka pasur kufizime për stadin e zhvillimit dhe ka ngecur në kërkesat e brendshme. Kur në Shqipëri është paraqitur kërkesa për një produkt, ai ka qenë tashmë i realizuar diku dhe me kosto shumë më të ulët se të zhvillohet nga e para. Mendoj se ka një dizavantazh për vetë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Megjithatë, ka kompani në Shqipëri që kanë arritur ndoshta jo në masën që do të donim të kalojnë këtë dizavantazh dhe të zhvillojnë disa produkte kryesisht SW, por edhe kapacitete për shërbime profesionale, që mund të luajnë rolin e inkubatorit në të ardhmen për zhvillim të kapaciteteve për eksport.

 

Çfarë politikash duhet të ndjekë qeveria, për të stimuluar eksportin e këtyre shërbimeve?

Së pari, qeveria duhet të luajë rolin e klientit korrekt për kompanitë në Shqipëri. Qeveria është prej shfrytëzuesve më të mëdhenj të produkteve dhe shërbimeve IT, ndoshta së bashku me telekomunikacionet janë klienti kryesor. Buxheti i shpenzimeve dhe investimeve IT duhet të orientohet kah produktet SW e ndoshta në masë të madhe kah shërbimeve profesionale, që mund të realizohen nga kapacitete brenda. Pra të mos shpenzohet në blerjen e HW që shpejt humb vlerën por te zgjidhjet e integruara që edhe japin vlerë por edhe vetvetiu krijojnë vlerë me krijimin e kapaciteteve vendore.

E dyta, politikat fiskale por edhe procedurat administrative duhet të jenë të tilla që të lejohet eksporti i shërbimeve pa komplikime rreth interpretimit të TVSH-së gjatë eksportit të shërbimeve. Këtu ndoshta mund të bëhet një marrëveshje bilaterale me Kosovën për lehtësira fiskale për shërbimet e kryera, në mes të kompanive të dy vendeve, thjesht për të lehtësuar operacionet dhe për të rritur natyrshëm tregun për të dy palët me zero kosto shtesë. E treta, të gjejë forma për stimulim të kompanive vendore IT që konkurrojnë, brenda vendit, por edhe kur konkurrojnë jashtë natyrisht, duke respektuar të gjitha rregullat e konkurrencës së lirë dhe detyrimeve eventuale ndërkombëtare.

 

A i përgjigjët sistemi arsimor shqiptar, nevojës që tregu i jashtëm mund të ketë një moment të marrë shërbime IT nga Shqipëria?

Nuk kam shumë njohuri për sistemin arsimor dhe nuk jam më kompetenti për këtë pyetje, por ndoshta më lejohet të përcjell një porosi lidhur me përshtypjen e përgjithshme dhe përvojën që kam nga rekrutët për punë që vijnë, pasi kanë kaluar nëpër sistemin arsimor. Institucioni arsimor që nxjerr një të diplomuar duhet të përkujdeset që përpos njohurive teorike që i jep gjatë periudhës në institucion, kandidati duhet të pajiset së paku me një kompetencë praktike që i mundëson të futet në produksion. DMTH i të diplomuari në një institucion i cilësdo degë IT, përpos titullit inxhinier, duhet të jetë ose programues në Java ose i aftë të konfigurojë një rrjet vetë ose i aftë të implementojë një sistem ERP, CRM apo DMS. Kjo mund të arrihet me partneritet midis institucioneve arsimore dhe kompanive IT vendore dhe ndërkombëtare.

 

A keni njohuri si po zhvillohet ky treg në rajon dhe ku është Shqipëria në raport me rajonin?

Shqipëria është mbrapa rajonit në këtë drejtim. Ka shumë kompani të fuqishme në rajon, Maqedoni, Serbi, Kroaci që eksportojnë produkte IT të cilat importohen edhe në Shqipëri. Për fatin e atyre vendeve në fillimin e viteve ’90 kur industria IT ka filluar të marrë këmbët, këto vende kanë qenë në nivel të zhvillimit që kanë mundësuar krijimin dhe forcimin e kompanive IT për të përkrahur këtë zhvillim. Ju sjell vetëm shembullin e një kompanie maqedonase që diku te viti ’94 ka pasur marrëveshje me një bankë për kalim të sistemit të tyre informative nga “mainframe” në PC arkitekturë dhe ka zhvilluar këtë projekt. Më vonë e deri në ditët e sotme ka furnizuar me sistem bazë më shumë se 40 banka në rajon. Kompanitë shqiptare nuk e kanë pasur kurrë këtë avantazh e megjithatë ka të tilla që kanë arritur të eksportojnë kryesisht shërbime profesionale jashtë, të cilat duhen respektuar.

 

——–

 

Papajorgji: Shqipëria, larg hapit teknologjik, sistemi arsimor të përshtatet

Petraq Papajorgji, dekani i Inxhinierisë në Institutin Kanadez të Teknologjisë, thotë se mangësitë në procesin e edukimit nuk janë vetëm një pengesë serioze për zhvillimin e TIK—ut, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen. Kompanitë e huaja më së paku kërkojnë 40-50 specialistë, por me rimet e studentëve që nxjerr Fakulteti i Teknologjisë dhe Informacionit nuk mund të plotësohet kërkesa që një kompani e madhe mund të ketë, konstaton profesori. Ai parashtron se Shqipërisë do t’i duheshin 15 vite që të krijojë foksin e duhur për krijimin e një brezi specialistësh të aftë për të bërë vendin një eksportues dinjitoz të shërbimeve të IT. Siç thashë, investimi për një brez profesionistësh fillon që në arsimin fillor.

 

Profesor, a mund të jenë shërbimet e IT një nga mundësitë ku qeveria të fokusohet për zhvillimin ekonomik në të ardhmen?

Të pretendosh për një hap teknologjik në nivel të tillë, sa Teknologjia e Informacionit të jetë promotori i zhvillimit ekonomik të vendit, në stadin aktual, më duket utopik. Kjo për arsye se sistemi arsimor në vendin tonë vijon të jetë defektoz në këtë drejtim dhe arrin të prodhojë kapacitetet e mjaftueshme për shkak të varfërisë dhe korrupsionit. Mangësitë në procesin e edukimit nuk janë vetëm një pengesë serioze për zhvillimin e TIK—ut, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit në të ardhmen. Nuk më vjen aspak mirë të bëj këtë krahasim, por edhe në kohën e diktaturës, sistemi arsimor ka funksionuar, duke e përshtatur me nevojat zhvillimore të kohës. Përputhshmëria midis tregut të punës dhe sistemit arsimor ka qenë e madhe. Më e keqja është se asnjë qeveri nuk ka mundur të bëjë një politikë afatgjatë të procesit të edukimit, duke e përdorur më së shumti arsimin për politikë.

 

Kompani të huaja çdo ditë e më shumë po shfaqin interes për të marrë shërbime të IT nga Shqipëria. A mund të plotësojmë ne kërkesa momentalisht?

Kompanitë e huaja më së paku kërkojnë 40-50 specialistë. Por me rimet e studentëve që nxjerr Fakulteti i Teknologjisë dhe Informacionit nuk mund të plotësohet kërkesa që një kompani e madhe mund të ketë. Për më tepër që edhe niveli i studentëve lë për të dëshiruar, sidomos në drejtim të programimit. Tregu vendas aktualisht ofron shumë pak programues profesionistë. Për të arritur nivele të pranueshme dhe për t’iu përgjigjur nevojave të tregut për këta specialistë duhet të aplikohet një seleksionim i prirjeve që në arsimin 8-vjeçar. Ka një përpjekje për përfshirjen e tabletave, por të fokusuara vetëm në projekte pilot. Një nismë e tillë është një start i mirë për edukimin në themele të brezit me teknologjinë.

 

Profesorët e universitetit të TIK kanë pohuar se brezi i ri ka mjaft njohuri për shkak së është përdorues intensiv i teknologjisë, a keni ju të njëjtin mendim?

Përpjekjet individuale janë hapi i duhur, por duhen programues të posaçëm në rang shkencor. Njohuritë e veçuara dhe të pastrukturuara nuk prodhojnë dot atë brezin që i duhet tregut dhe nevojave që paraqet koha të cilat duhet thënë se ecin shumë më shpejt se proceset e edukimit.

Shqipërisë do t’i duheshin 15 vite që të krijojë foksin e duhur për krijimin e një brezi specialistësh të aftë për të bërë vendin një eksportues dinjitoz të shërbimeve të IT. Siç thashë, investimi për një brez profesionistësh nis që në arsimin fillor.

 

Çfarë duhet të bëjë qeveria që të forcojë kapacitetet e ekspertizës në IT?

Fillimisht, qeveria duhet të shpallë prioritetin e saj të zhvillimit afatgjatë. Në përputhje me prioritetin, më pas duhet të zhvillojë edhe përgatitjen e sistemit arsimor, jo vetëm për IT. Plani afatgjatë duhet të marrë konsensusin e të gjitha palëve politike në mënyrë që të mos ndryshojë me rrotacionet politike. Në këtë aspekt, Shqipëria duhet të marrë shembull nga vendet e Bashkimit Europian që kanë futur në procesin e mësimdhënies programin që në shkollat fillore. Edhe Greqia e ka adaptuar së fundmi këtë sistem. Gjithashtu duhet të ndryshojë edhe gjithë kurrikula e inxhinierëve të sotshëm.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of